“Gruaja e Pilotit”

644722_10151617539965586_1879330939_n“Gruaja e Pilotit është një bestseller ndërkombëtar që e ka ngjitur Anita Shreve në majat e letërsisë bashkëkohore amerikane. Aspekti psikologjik i humbjes së njeriut të dashur dhe rindërtimi i jetës pas një fatkeqësie të tillë, hulumtohet thellë në përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjes: sa mirë mund të arrijmë ta njohim dikë? “Gruaja e Pilotit” është një libër mjaft interesant, i cili është përzgjedhur për diskutim e promovim nga Oprah Winfrey në Klubin e Librit të Oprah. Për shkak të subjektit të gjetur, stili tejet të veçantë të të shkruarit, personazheve të ndërtuara me shumë kujdes dhe që shpërfaqen gjithmonë në zhvillim e kërshërisë për të zbuluar të vërtetën e hidhur që i ishte fshehur për shumë kohë personazhit kryesor, është një libër që të mban të mbërthyer. Së bashku me personazhin kryesor kam ndjerë ankth, nostalgji, kuriozitet, dhimbje, neveri dhe… falje.

Eliona Balilaj, përkthyese e këtij romani, na udhëzon më tepër drejt tij…!

Eliona, si u përzgjodh ky libër për t’u sjellë në shqip?

Në bashkëpunim me shtëpinë botuese ‘Ombra GVG’ arritëm në konkluzionin që të sjellim fillimisht këtë vepër nga kjo autore, për shkak të kritikës dhe vlerësimeve të mëdha. Është një dramë dashurie me ngacmime sociale, temë shumë aktuale edhe në Shqipëri.

Është një libër, që mund të lexohet poshtë çadrës në plazh?

Është  nga ata libra që lexohen me një frymë, pasi të mban të mbërthyer për të kuptuar çfarë realisht ka ndodhur, dhe kjo vjen vetëm në fund të librit. E ku më mirë se në plazh mund të kesh luksin të lexosh një libër pa ndërprerje?

Sa libra keni përkthyer deri më tani?

Kam përkthyer edhe disa libra të tjerë, rreth shtatë të botuar deri tani. Mund të përmend “Burrat e vërtetë nuk thonë kurrë më fal” të Jim Belushit, “365 fakte mbresëlënëse nga gjithçka” etj.

Ju josh libri? A do të fokusohet e ardhmja juaj tek përkthimi i letërsisë?

Ky libër të bën të mendosh shumë … dhe gjatë. Nga pikëpamja artistike, libri është shumë i pasur, çka e bën përkthimin sa kënaqësi, aq edhe sfidë. Ka shumë simbolikë, shumë përshkrim, qoftë të gjendjes emocionale, por në paralelizëm me të, edhe të natyrës ku zhvillohen ngjarjet. Shkrimtarja ka përdorur përvojën e saj si mësuese dhe gazetare, dy fusha që unë i kam shumë për zemër. Unë do të vazhdoj të merrem me përkthimin e letërsisë, pasi është një pasion që e kam nisur që në moshën 17-vjeçare.

Çfarë është përkthimi i letërsisë për ju?

Përkthimi i letërsisë për mua personalisht është pasion; kërkon përkushtim, kërkon hulumtim për të kuptuar veprën dhe autorin si dhe njohje shumë të mirë të të dyja gjuhëve e nuancave të tyre. Por, mbi të gjitha, duhet të nxitet nga një dashuri e madhe për letërsinë.





No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.