Robert Aliaj kundër sistemit

View Gallery
4 Photos
Robert Aliaj kundër sistemit
Robert Aliaj

Robert Aliaj kundër sistemit
Robert Aliaj

Robert Aliaj kundër sistemit
Robert Aliaj

Robert Aliaj kundër sistemit
Robert Aliaj

Jeton në Bruksel, por sytë dhe mendjen duket se i mban në Tiranë. Kjo është kuptuar qysh kur Robert Aliaj (Dragoti) vendosi të sillte në Shqipëri “48-orëshin”, një nga festivalet më prestigjioz për prodhimin, e më tej promovimin e regjisorëve shqiptarë dhe filmave të tyre në botë. Një festival që sot është jashtë axhendës së institucioneve të artit në vend. Arsye, kjo që e ka irrituar jo pak artistin shumëdimensional, i cili fillimet e veta në artin shqiptar (në fundvitet ’80) i pati si këngëtar. Sot, piktor, producent e aktor. Njihet si një nga njerëzit që nuk bën kompromis me të vërtetën, guxon të thotë me zë të lartë ato për të cilat të tjerët heshtin. Me të njëjtin ton vjen edhe në këtë intervistë, ku ngre gishtin mbi institucionet konkrete të artit, por edhe mbi kolegët e tij hipokritë!

Robert, edhe kur jeni në shtëpinë tuaj në Bruksel, duket se sytë dhe mendjen e keni në Tiranë? Çfarë ju bën përshtypje? Cila është ndjeshmëria juaj për së largu?

Nostalgjia dhe dhembshuria i ka shtuar nuanca dhe shije jetës sime. Me pak zemërgjerësi dhe mendje të hapur, pa dashur domosdoshmërish të kritikoj dhe të bëj krahasime, unë arrij të marr maksimumin nga kjo ‘ratatuilles’ socio-politike e gatuar keq këto 25 vitet e fundit. Por më duhet ta përsëris; që të jesh kritik, nuk do të thotë që je negativ. Në Shqipëri, përveç momenteve kur jam kreativ, kam gjithmonë një ndjenjë të çuditshme sikur gjërat evoluojnë si në një botë të animuar, mes pengesave të pabesa dhe disa lirive të rastit, kaq të rastësishme, saqë duket sikur jeta frymëmerr dhe jep shpirt në skajet e këtij ekuilibri liri-zhgënjim. Më duket sikur fle në buzët e një mungese të përjetshme. Kjo më intrigon. Vetëm në këto momente kreative ndjehem i çliruar nga ky ankth, nga mungesa e plotë e kësaj lirie dhe pranisë së të dhimbshmes. Më bën përshtypje fakti që këtu mbretëron padrejtësia sociale, skllavëria moderne, servilizmi, klientelizmi, favoritizimi, shantazhi, intrigat … Ka një klimë absolute që i bën artistët hipokritë dhe të kujdesshëm se mos lëshojnë ndonjë kritikë ndaj këtij sistemi të korruptuar dhe mafioz, ose kundër politikanëve që abuzojnë me mandatet e tyre, me funksionet e tyre apo kompetencat e tyre ‘par exellence’ për të robëruar kulturën.

Festivali juaj 48 orë” është përqafuar nga artistët e rinj, po sa i motivuar dhe i           vlerësuar jeni ndjerë ju nga institucionet e kulturës?

Nuk e kam kërkuar kurrë këtë ndjesi përkëdhelie vaniteti, pastaj nuk e ndiej të nevojshëm vlerësimin nga institucionet. Në qoftë se do të kishte një angazhim serioz dhe të sinqertë nga institucionet, do të ishte ideale, sepse do të përkonte me zgjedhjen që bëjnë të rinjtë. Mua po më duket sikur po rijetoj situata të viteve ’80. Kam ndjesinë se është rizgjuar Laja  (Laja, personazh nga filmi “Kur hidheshin themelet”). “48 orëshi” është një festival që për formatin dhe prestigjin që ka në botë, duhej të ishte në axhendën e Ministrisë së Kulturës dhe të QKK, sepse prodhon filma shqiptarë dhe promovon regjisorët së bashku me filmat e tyre. “48 orëshi” është një institucion kulturor prodhues dhe promovues i mirë për Shqipërinë dhe kinematografinë shqiptare. Për këtë arsye, Ministria e Kulturës dhe QKK duhej të kryenin misionin e tyre në rregull. Mjafton t’ju bëj me dije që në pesë edicionet e deritanishme janë krijuar 74 grupe filmike me studentë, regjisorë të rinj dhe jo vetëm, u realizuan 67 filma, ku spikatën mjaft talente të reja, u angazhuan 490 kineastë, regjisorë, producentë, aktorë, skenaristë, kameramanë etj. Në të pesta edicionet, “48 orëshi” i është përmbajtur detyrimeve që ai vetë i ka përcaktuar vetes, duke i promovuar filmat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri ne Festivalin e Kanës. Pothuajse në të gjitha studiot kinematografike dhe ato televizive të vendit ka kineastë të talentuar që kanë kaluar nga eksperienca e “48 orëshit”.

Vendimi i paparashikueshëm dhe i çuditshëm i QKK për të mos e mbështetur Festivalin e “48 orëshit” për këtë vit, vë në pikëpyetje funksionimin e vetë QKK, e cila e kishte shpallur prioritet “48 orëshin”, kështu ajo mund të justifikonte misionin e saj për të investuar në projekte kryesisht produktive, në termin e prodhimit të filmave si politikë prioritare.

Sepse, vërtetë që bëhen me dhjetëra festivale me fonde publike, dhe çfarë mbetet pas??? Është e pamundur që në një vend si ky i yni, QKK t’u japë prioritet dhe të shpenzojë vetëm për festivale të cilat promovojnë kinematografi të huaj ose që kanë më tepër karakterin e një feste kulturore, gjë që nuk jam aspak kundër, por në kontekstin e këtushëm do të ishte shumë më interesante dhe akute mbështetja për produksione shqiptare. Unë nuk mund të imagjinoj që të vetmin festival-platformë që krijon kushte për bërjen e filmave dhe nxit krijimtarinë mbarëshqiptare (nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia), QKK me vendimin e bordit të saj, e injoron. Njëri nga anëtarët e bordit të QKK ka qenë kryetar dhe anëtar jurie në tre edicione të “48 orëshit”. Është e pabesueshme që bindjet e tij ndryshuan papritur.

Festivali i “48 orëshit” ka një status të padiskutueshëm internacional. Ai mund të mos funksionojë vetëm në një Shqipëri, ku mbretërojnë tarafet dhe mentaliteti anakronik.

 



No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.