KreuStil Jetese

Minir Asani, shkencëtari shqiptar i syrit

Minir Asani është padyshim një shkencëtar i ditëve tona në fushën e okulistikës. Me një shkollim të gjatë dhe brilant, një nga pionierët e parë në Gjermani të praktikimit të laserit, këshilltar shkencor dhe bashkëpunëtor në lëmin e okulistikës,  drejtues dhe menaxhues i pesë klinikave në Gjermani, një në Kosovë (në 20 qershor u celebrua edhe 10-vjetori i saj në Prishtinë) dhe një në Shqipëri (që vepron prej tre vitesh në Spitalin ‘Hygeia’), tregon nga Dortmundi, eksperiencën e tij të rrallë.

Doktor Asani, pas tre vitesh të vendosjes së Klinikës Gjermane të Syrit në Tiranë, a i keni arritur pritshmëritë tuaja?

Klinika Gjermane e Syrit, e vendosur në katin e tretë të spitalit privat ‘Hygeia’, i mbush tre vite pune të suksesshme në Tiranë. Përpjekjet për hapjen e klinikës kanë qenë të pareshtura që pas rënies së sistemit njëpartiak. Në vitin 2000 u bënë të gjitha përgatitjet për hapjen e klinikës, mirëpo për shkak të problemit korruptiv të kohës, u shty për një kohë të pacaktuar. Instrumentet që ishin blerë për Tiranën u mbartën në Prishtinë dhe atje, në vitin 2005, u hap klinika e parë private moderne e syrit me të gjitha pajisjet, duke aplikuar standarde të avancuara teknike dhe klinike. Në vitin 2012, pas bisedimeve të shpeshta me përgjegjësit e spitalit ‘Hygeia’ dhe pas disa vizitave të tyre në klinikat e mija në Gjermani, u hap Klinika Gjermane e Syrit në Tiranë, me pajisje teknike nga më modernet, me shërbime cilësore dhe me përgatitje superiore të stafit të klinikës. Edhe pse në këtë kohë konkurrenca në Tiranë ishte rritur, kjo nuk më pengoi që unë të vazhdoj në qëllimin tim final. Sot pas tre vitesh pune, them me përgjegjshmëri se qëllimi u arrit, pritshmëria u tejkalua dhe rezultatet janë të shkëlqyeshme.

Ju keni përdorur edhe median për të sensibilizuar njerëzit drejt kulturës së vizitës së syrit. A ka dhënë rezultat?

Për të qenë më i saktë, ne nuk angazhuam mediat në punën tonë. Ato, sidomos disa nga mediat, çuditërisht treguan një interesim shumë të madh për hapjen e kësaj klinike, duke vazhduar më vonë me prezantimin e punës tonë të suksesshme. Më vonë, duke mjekuar disa nga publicistët si dhe moderatorët e njohur shqiptarë, m’u mundësua që në një formë më të lehtë, të prezantohem në mediat e vendit, duke sensibilizuar njerëzit drejt kulturës shëndetësore, sidomos të shëndetit në përgjithësi dhe të shikimit në veçanti. E them të shëndetit në përgjithësi, sepse syri është pasqyra e shëndetit fizik dhe shpirtëror. Kjo mënyrë e sensibilitetit të njerëzve ka dhënë efekte pozitive në pritshmërinë time.

Cilat janë problemet që hasni më shumë tek pacientët në Shqipëri?

Të përshkruhen problemet e njerëzve që vijnë të më takojnë personalisht, mua do të më duhej një hambar me letra. Unë do të përmbledh në disa reshta atë që më së shumti më ka ngacmuar. Vijnë prindërit që kanë merak për të vegjlit e tyre, sidomos kur ata shfaqin shenjat e para të dobësimit të shikimit ose të vëngërisë, vijnë mosha e re që dëshirojnë të jetojnë pa mjete ndihmëse si syze dhe lente kontakti, vijnë moshat më të vjetra që u është mjegulluar shikimi nga të parit, vijnë të dëmtuarit nga lëndimet e ndryshme në sy, qoftë në ndonjë spital tjetër ose aksidentalisht, vijnë të sëmurët nga glaukoma, diabeti, zemra, veshkat… vijnë ato që nuk shohin fare, dhe në fund vijnë ato që duan në gjitha hapësirat dhe distancat të shijojnë bukurinë e jetës pa syzet e bezdisshme. Por problemet më të rënda janë ato që vijnë me forma të diabetit të rënduar dhe glaukomës të avancuar, që çojnë në verbërim total. E theksoj se për tre vite në Tiranë kam hasur më shumë të verbër se për 20 vite pune në Gjermani, ku kapaciteti ditor është baras me atë javor të Tiranës.

 

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF