Prindërit u ndanë. Po me mua çfarë do të bëhet?!

3Mbi 1000 divorce u shënuan vitin e kaluar vetëm në Tiranë, ndërsa sot flitet për një numër prej 6 divorcesh në ditë, shkruajnë të përditshmet në vend. Teksa të tilla lajme mbushin faqet e kronikave mediatike, shqetësimi më i madh dhe drama që lë çdo divorc janë fëmijët. Eglantina Nikollaj, psikologe prej 8 vitesh pranë Gjykatës së Tiranës, ka ndjekur nga afër histori dhe ngjarje nga më të dhimbshmet, ku pyetja esenciale që fëmijët ju bëjnë vetes, është se çfarë do të ndodhë me ta pas ndarjes së prindërve…?!

Znj. Nikollaj, ju jeni psikologe në Gjykatë dhe më së shumti asistoni në zgjidhjet e martesave. Cili është roli i psikologut në këto çështje?

Përfshirja e psikologut në këto çështje është e përcaktuar në nenin 155 të Kodit të Familjes, ku bën betimin në Gjykatë dhe merr detyra konkrete. Pasi të ketë marrë të dhëna për gjendjen materiale e morale të familjes, marrëdhënien afektive të fëmijës me secilin prind dhe anasjelltas si dhe informacione të tjera që do t’i shërbejnë raportit, i rekomandon Gjykatës se me cilin prind është më e përshtatshme të rritet fëmija.

Si i përjeton fëmija divorcin? A është ai i përgatitur nga prindërit për këtë?

Reagimet emocionale të fëmijëve në momentin që mësojnë ndarjen e prindërve janë të ndryshme. Në një formë a në një tjetër,  ata e përjetojnë këtë. Disa prej tyre nuk e pranojnë për shumë kohë këtë situatë dhe shpresojnë e luftojnë me të gjitha mënyrat e tyre që të “pajtojnë” e  bëjnë sërish bashkë dy prindërit. Ajo çka konstatoj me keqardhje është se janë të paktë prindërit që në momentet e divorcit punojnë me fëmijët e tyre. Në këtë fazë bashkëshortët janë përgjithësisht armiqësorë me njëri-tjetrin dhe gjendja psikologjike e fëmijëve të tyre gati-gati kalojnë në plan të dytë. Pak prej çifteve ulen të flasin me ta për atë çka po ndodh. Kjo e vështirëson punën psikologut, pasi përveçse me të miturin, i duhet të punojë edhe me çiftin në mënyrë që të gjejnë një mënyrë të përshtatshme që t’i komunikojnë fëmijës vendimin që kanë marrë.

Në çfarë forme rekomandohet ky komunikim prind-fëmijë? Do të ishte më mirë që fëmija të mësonte diçka të tillë nga psikologu, i cili mund të ketë një gjuhë më të kujdesshme për t’ia transmetuar?

Jo. Unë nuk do të rekomandoja që një vendim të tillë fëmija ta mësonte nga një person i tretë, qoftë ky edhe psikologu. Askush më mirë se prindi nuk e njeh fëmijën e tij, nuk ia di pikat e dobëta e karakterin në tërësi. Më ka ndodhur pasi kam bërë betimin në Gjykatë, prindërit më kanë thënë: Fëmija ende nuk e di që ne do ndahemi. Si t’ia themi? Ndoshta më mirë t’ia thuash ti…. Ajo çka unë iu kam sugjeruar, ka qenë komunikimi me fëmijën, pasi sado në moshë të vogël, ka të drejtë të dijë gjithnjë të vërtetën. Rëndësi ka mënyra se si i transmetohet kjo e vërtetë. Nëse dy prindër ulen së bashku dhe flasin me fëmijën, i garantojnë se dashuria për të do të jetë e njëjtë, dhe se ata do të jenë gjithnjë bashkë kur ai të ketë nevojë, atëherë për një fëmijë përjetimi  është më i lehtë.

 Cilat janë përjetimet konkrete të fëmijës?

Përjetimet  nisin që në momentet kur prindërit konfliktohen apo ndodh dhunë në sy të tyre. Por ajo çka e rëndon psikologjinë e fëmijës është kur vihet përballë  realitetit konkret dhe të pakthyeshëm, që ai e përkthen si “braktisje”. Pra, është faza kur njëri prind largohet nga banesa. Ky është momenti më i rëndë për fëmijën dhe gati-gati e vë atë në pozita egoiste dhe frike. “Tani prindërit u ndanë. Po me mua çdo të ndodhë?”. Kjo ndodh sidomos kur fëmijët janë në moshën e pubertetit ose në hapat e parë të adoleshencës, ku reagimet emocionale janë edhe më të forta. Kryesisht tek djemtë. Në këtë moshë figura e babait është mjaft e rëndësishme dhe shërben si model. Është mosha kur ata krijojne identitetin e tyre mashkullor dhe roli i babait në këtë fazë është përcaktuese për ta. Një moment tjetër është pasiguria e fëmijës për të ardhmen e tij. Ai mendon se nëse prindërit nuk e duan njëri-tjetrin, a do të më duan mua? Pra, siç e thashë më lart, është shumë e rëndësishme që fëmijës t’i flitet në vijimësi se dashuria karshi tij nuk ndryshon, pavarësisht se prindërit do të jetojnë të ndarë. Gjithashtu, fëmija nuk duhet të ndihet fajtor për marrëdhënien e prishur të prindërve. Nëse kjo ndodh, trauma e shkaktuar mund të jetë fatale, deri në mendime vetëvrasëse. Ndaj them se pavarësisht konflikteve e mosdakordësive mes palëve, interesi thelbësor i çështjes është fëmija. Ata duhet të vënë re çdo përjetim të fëmijës, që shpesh mund të jenë shfaqja e sjelljes agresive, rënia e ndjeshme në mësime, çrregullimet me gjumin, gjendje paniku e ankthi, ndjenjë izolimi e faji, mungesë dëshire për t’u aktivizuar, ndjenjë vetmie dhe braktisjeje, humbje oreksi e përqendrimi, urinim gjatë natës etj.

Ju thatë më lart se djemtë e përjetojnë më shumë ndarjen e prindërve. A mund ta zëvendësojë nëna rolin e babait?

Edhe vajzat e përjetojnë divorcin e prindërve. Secili fëmijë, në momentin kur e mëson këtë, shfaq reagime emocionale të ndryshme. A mund ta zëvendësojë nëna rolin e babait? Unë them se jo. Nëna mund të përmbushë mjaft mirë nevojat e fëmijës në planin ekonomik dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me administrimin brenda familjes. Ajo mund të sakrifikojë shumë, të bëjë dy punë, në mënyrë që fëmijët të mos ndiejnë mungesa pas largimit të babait. Por, ky sforcim i saj do të pasojë me orë më të pakta të qëndrimit me ta, e për rrjedhojë fëmijët veç largimit të babait, do të ndihen të lënë pas dore edhe nga nëna. Sado lidhje të ndërsjelltë të ketë mes fëmijës e nënës, kjo e fundit nuk do të mundet të përmbushë rolin e babait në planin afektiv e emocional. Si vajzat, edhe djemtë kanë nevojë për persona meshkuj që të kujdeset për ta. Ndaj është shumë e rëndësishme që edhe psikologu t’i rekomandojë gjykatës takime sa më të shpeshta të fëmijëve me babanë e tyre.





No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.