KreuStil Jetese

100 vjet buzëkuq

Festojmë 100-vjetorin e një marrëdhënieje intime mes buzëkuqit dhe femrës. Dikur një ‘mëkat’ joshës, sot aksesori që nuk mungon në çantën e çdo gruaje.

Vetëm pas plot 100 vjetësh, ky objekt i vogël arriti të kthehet në dashurinë e çdo gruaje. Dikur pluhur, me aromë të keqe, pa shkëlqyes dhe shpesh helmues, e kuqja e purpurt arriti të ‘kyçet’ në një kapsulë të cilës arriti t’i mbijetojë për 1 shekull. Derisa u akomodua pa grimë dyshimi në çdo çantë të tejmbushur gruaje, nuk ka qenë e lehtë që buzëkuqi, aksesori i preferuar femëror, të pranohet lehtë nga shoqëria. Shpesh i paragjykuar si tundues, e deri i dënueshëm nga kisha, tubi cilindrik sa një gishtëz sot është ikona e pandashme e modës, duke ju përshtatur çdo tendence që sugjerojnë stilistët.

Që nga agimi i kohërave parahistorike, njerëzit e kanë pasur të nevojshme të dallonin nga të tjerët. Në fillim veshjet, këpucët, bizhuteritë e në fund kozmetika ishin finishi dhe starti i një epokë ku fytyra do të kthehej në elementin identifikues të pamjes humane. E në fakt, e kuqja nuk ishte aspak rastësore; gjahtarët pikturonin lëkurën e tyre me gjak para se të nisnin gjahun, priftërinjtë zbukuronin veten për të nderuar zotat dhe besimet e tyre. Kjo bojatisje e pashkak nuk ishte as më shumë, as më pak, veçse një përkujdesje për veten para një shëmbëlltyre të përsosur e cila kërkonte vëmendje. Por, kur buzëkuqi u shfaq si objekt tërësisht femëror, kjo e bëri atë akoma më të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy sekseve.

Origjina e të kuqes ‘u vidhej’ frutave, aq sa në Lindjen e Mesme kultivoheshin bimë enkas për buzëkuq, ndërsa gratë e Mesopotamisë bluanin gurët e çmuar për të nxjerrë ngjyrën e dëshiruar. Në Egjiptin e Lashtë, familja mbretërore dhe klerikët zbuluan formën më të përsosur të buzëkuqit tek një insekti i cili ‘fshihte” të kuqen aq të dëshiruar për buzët e Kleopatrës.

Buzëkuqi në formën më prehistorike arriti deri në Europën mesjetare, kur edhe u ndalua nga kisha, pasi cilësohej “mishërim i djallit”. E në fakt, asokohe buzëkuqi ishte pjesë e aksesorëve të kozmetikës së aktorëve dhe prostitutave. Në shekullin e 16, Mbretëresha Elizabeta I e riktheu sërish këtë aksesor, ndoshta për të thyer zbehtësinë e fytyrave të asaj kohe të mbytura nga pudra, duke u dhënë ngjyrë përmes të kuqes. Ky aksesor kaq i dashur ju mohua shumë femrave në vitin 1700, kur Parlamenti britanik miratoi një ligj i cili theksonte se, “çdo burrë ka të drejtë të anulojë martesën nëse një grua vendos buzëkuq para dasmës”.

GuerlaineVetëm në 1915, Maurice Levy shpiku i pari tubin cilindrik të buzëkuqit. Fill pas kësaj, kompani si: ‘Guerlain’, ‘Elizabeth Arden’, ‘Helena Rubenstein’ dhe ‘Max Factor’ krijuan buzëkuqet e parë. Fillimshekullin e 20-të, ngjyra tentoi drejt të kuqes së errët, derisa në 1930 Elizabeth Arden propozoi ngjyra të ndryshme buzëkuqesh. Baza e buzëkuqit cilindrik ishte dylli, vaji, zbutës dhe pigment. Ato përgatiteshin fillimisht me tru lope, dhjami i të cilit ishte i lirë, përmbante vitaminë E ose aloe vera, që shërben si shkëlqyes. Me kalimin e kohës gama ka shkuar nga kombinimi i bimëve dhe produkteve shtazore, tek mineralet dhe produktet kozmetike. Por, siç ka evoluar moda, edhe trendi i makijazhit evoluoi, saqë buzëkuqi nisi të prodhohej në ngjyra të tjera, por edhe me përbërës të tjerë. Shumica prej tyre përmbajnë dyllë, vaj, yndyrë, zbutës e pigment.

Në vitet 1950 Marilyn Monroe dhe Elizabeth Taylor mitizuan buzëkuqin, ndërsa 10 vjet më pas lëvizja ‘Punk’ tentoi drejt buzëkuqit vjollcë, derisa në 1980 Madonna u shfaq me ‘të kuqen ruse’ gjatë turneut botëror “Like a Virgin”. Sot, në shekullin e 21 nuk ka dyshim se është aksesori që nuk mungon në çdo çantë gruaje, duke u reklamuar nga Lady Gaga, Taylor Swift, Rihanna, Beyonce, sepse siç thuhet sot, pa buzëkuq një grua nuk mund të duket seksi.

 

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF