KreuArt

Angjelin Preljocaj vjen për ‘Dasmën’ në Tiranë

Balerini dhe koreografi i njohur shqiptar me famë botërore, rikthehet sërish në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me pjesën “Dasma”. Ky është bashkëpunimi i radhës i balerinit, pas shfaqjeve “Royaume Uni” dhe “La Stravaganza” në maj vitit 2014. Kjo e fundit do të çelë programin që do t’i paraprijë shfaqjen e “Dasmës” më 7, 8 dhe 9 nëntor.
Baleti ‘Dasma’ u frymëzua nga ajo ç’ka artisti ka parë në dasmat që organizoheshin në familjen e tij, e sidomos në Mal të Zi. Kjo është një vepër tërësisht shqiptare, pasi siç edhe pohon koreografi, ai është thellësisht i lidhur me vendin e origjinës, ndaj çdo pjesë e tij e vënë në skenë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo reflekton brendinë dhe origjinën e artistit. Angjelin Preljocaj cilësohet si një ndër koreografët më të rëndësishëm në Francë. Ai ju bashkua Baletit të Operës Kombëtare të Paris në vitet ‘90 dhe udhëheq kompaninë e tij që prej 1985-s. Koreografia e tij përshkruhet si interpretim i baletit klasik dhe modern.
Edhe pse lindur në Francë, Angjelini nuk harron kurrë të thotë se është shqiptar. Ai ka dhënë shfaqje në skenat më në zë të Moskës, Milanos, Parisit, Berlinit, Nju-Jorkut etj., duke marrë duartrokitje me vepra si “Borëbardha”, “Dasma”, “Akrobati”, “Katër stinët” apo “Pranvera”.
Preljocaj lindi në Paris nga prindër shqiptarë në vitin 1957. Para se t’i futej kërcimit bashkëkohor në shkollën “Karin Waehner”, filloi të studiojë balet klasik. Në 1980-n shkoi të studiojë në Nju-Jork me Zena Romet dhe Mers Kaningham, ndërsa një ndër mësueset e tij ishte koreografja amerikane Viola Farber. U bashkua me Dominik Bague para se të themelonte kompaninë e tij “Ballet Prejlocaj” në dhjetor 1984. Koreografia e tij e parë për pjesën “Tregu i zi” (“Marche Noir”) fitoi çmimin e Ministrisë së Kulturës në Francë. Më pas punoi për “Lotët e Bardhë”. Në vitin 1989, kompania e tij shndërrohet në Qendër Koreografike Kombëtare. Është nderuar me shumë çmime, përfshirë Çmimin e Madh Kombëtar të Dancit nga Ministria franceze e Kulturës në vitin 1992, “Benois de la danse” për “Le Parc” në 1995-n, çmimin “Bessie Award” për “Annonciation” dy vjet më pas, “Les Victoires de la musique” për “Romeo dhe Zhuljeta” po në 1997-n, apo “Globi i Kristaltë” për “Borëbardhën” në vitin 2009. Për veprat e tij, i është akorduar titulli Kalorës, ndërsa në 1998-ën është ndeuar me titullin Kalorës i Legjionit të Nderit

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF