KreuArt

Artur Gorishti përmes ngjyrave

Jemi mësuar ta shohim të flasë përmes aktrimit dhe letërsisë, por tani aktori Artur Gorishti zgjedh të komunikojë përmes ngjyrave. Galeria Kombëtare e Arteve çeli ekspozitën vetjake të artistit, i njohur përgjithësisht si aktor, por që deri tani nuk kishte guxuar t’i flasë publikut përmes pikturës.

Ekspozita e cila u hap në Natën e Bardhë, kuruar nga Ylli Drishti prezanton rreth 70 vepra të përzgjedhura nga 900 punime të artistit në një periudhë 25 vjeçare. Pikturat e grafikat, janë peizazhe, portrete, brendi, kompozime e miks media.

Krijimet e Gorishtit, janë brendia individuale e tij, e cila shpaloset si fletë libri, si një fjali, apo fjalë e shkruar nga një dorë që vërshon krejtësisht e lirë. Duket sikur pa qënë e planifikuar, shqetësimet, humbjet, “errësira” që ka përjetuar artisti, janë përkthyer në këto punë ku ndihet e vërteta, drita dhe optimizmi. “Ajo që e bën konkrete veprën time, nuk është të menduarit se jam artist, por të qënit i përulur përpara fjalës së madhe ART, i përulur me dyshime dhe i brishtë si fëmija”, thotë Gorishti.

Tensioni i brendëshëm që shoqëron atë, enigma, mosdeklarimi i tij si artist, e karakterizojnë Gorishtin edhe në aktrim edhe në regji. Pas çeljes së ekspozitës në orën 18.00, në GKA u projektua filmi i realizuar nga Artur Gorishti “Breath”, i cili u vlerësua si filmi më i mirë debutes me metrazh të shkurtër në edicionin e 13-të të TIFF, e që do të konkurojë në disa festivale të rëndësishëm në Europë.

Artur Gorishti lindi në vitin 1962 në Tiranë. Në vitin 1982 u diplomua për topografi, por një vit më vonë nisi studimet për aktrim në Ish- Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Po në vitin 1983 nisi edhe kariera e tij artistike si aktor, ndërsa sot numëron rreth 40 role. Pasioni për fotografinë nis në fillim të viteve 2000, duke e bërë Gorishtin protagonist në disa konkurse dhe ekspozita fotografike.

Prej vitit 2005 jeton në Montreal, Kanada ku ka aktruar në disa prodhime kinematografike dhe televizive. Në vitin 2013 botoi librin me tregime “Dyert”, të cilat ka nisur t’i realizojë në pelikul si skenarist dhe regjisor.

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF