PARFUM nga Enada At’Nikolla!

View Gallery
5 Photos
PARFUM nga Enada At’Nikolla!

PARFUM nga Enada At’Nikolla!

PARFUM nga Enada At’Nikolla!

PARFUM nga Enada At’Nikolla!

PARFUM nga Enada At’Nikolla!

Nga Ilda Lumani/Foto: Geljant Kaleci

Botës së ngjyrave, prerjeve, gërshërëve, mëndafshit, materialeve e aksesorëve tashmë i është shtuar pigmenti i diferencës, autenticiteti i të cilit identifikon që në gjenezë Enada At’Nikollën. Qysh atëherë, kur me gërshetat në kokë, ra në sy me pjesëmarrjen e saj në “Miss Albania” dhe u memorizua nga të gjithë si vajza çapkëne me sytë e gjallë dhe natyrshmërinë e lindur. Imazhi i saj u vulos teksa në të parin klip shqiptar, “Makina e Memories”, Ardit Gjebrea do ta zgjidhte Enadën ndër figurat qendrore të tij. Më tej historia dihet…
Enada At’Nikolla fare e re, kur shoqet e saj ende sfilonin, krijoi emrin e saj si stiliste. Guximi, kreativiteti, origjinaliteti ishin shenja dalluese të artistes që sot numëron sfilata pa fund, evente, shfaqje, spektakle, tre kalendarë, realizim klipesh, veshje të panumërta, përballje të suksesshme ndërkombëtare (në vitin 2008 realizon “Fashion Party”, që u shfaq në ‘Fashion’ TV e në vitin 2009 çeli Javën e Modës në Dubrovnik), ndërsa ka gëzuar, emocionuar, mrekulluar këdo që nën krijimet  e saj, është bërë të ndihet më i lumturi në botë!

Sot, kësaj bote krijuese i është shtuar parfumi “Enada At’Nikolla Prive”. I pari personalitet shqiptar që ka një fragrancë me emrin e vet. “Ideja për të pasur një parfum timin nuk më lindi në çast. Gjithmonë e kisha pasur dëshirë dhe e kisha menduar që do ta bëja një ditë. Por, ndonjëherë rastësitë, njohjet e duhura në një moment edhe të pamenduar, bëjnë që të konkretizohet diçka që e ke menduar edhe më herët”, – tregon Enada At’Nikolla në rrëfimin e parë për parfumin që mban emrin e saj. Enada ia besoi këtë parfum Massimo Giammaria, “Hundë” e regjistruar ndërkombëtarisht. Nuk ishte rastësi bashkëpunimi me Giammaria, pasi ai është krijuesi i parfumeve të mjaft personaliteteve dhe markave prestigjioze në botë, mes tyre edhe i ‘MaxMara’. Rastësisht Enada u takua me Massimon, në një darkë miqsh dhjetorin e shkuar. Biseda e këndshme vijoi në një intervistë të rrallë. “Në takimin me Massimon elaboruam shumë ide, por mund t’ju rrëfej se ishte shumë interesant momenti që ai më intervistoi… Kaluam kohë duke folur, ai më pyeste për çdo gjë… erdhi në atelie, ndoqi ditën time, më pyeste për gjërat që pëlqej, për aromat, për çdo detaj të jetës sime, që nga ushqimit deri tek parfumet….Një intervistë krejt ndryshe. Ai mblodhi informacione të cilat as unë vetë nuk ja kisha pyetur ndonjëherë vetes”.

Nga ky moment do të kalonte kohë, diskutime, vëzhgime, studime, deri sa të arrihej tek aroma e duhur. “Ka qenë një proces i gjatë kohe njohja e karakterit, e natyrës sime, e deri tek realizimi i këtij produkti që më përfaqëson mua sot. Mund t’ju tregoj diçka interesante, të cilën ma shpjegoi Massimo gjatë kësaj rruge të bukur! Përse unë nuk kisha një aromë timen të preferuar?! Pavarësisht emrave të mirë të parfumeve që kam përdorur në gjithë këto vite, unë nuk kam rënë asnjëherë në dashuri me ndonjë parfum. Kjo ka qenë edhe një nga dilemat e mia për sa i përket krijimit të parfumit tim, madje edhe në takimin që pata me Massimon ja thashë këtë gjë, pasi e kam shumë të vështirë të zgjedh një parfum timin, që më pëlqen dhe përgjigjen e gjeta tek Massimo. Ai më tregoi se përse unë nuk mund ta kisha një parfum të preferuar. “Nga natyra se si je bërë, si je ndërtuar, fakti që je krijuese e kësaj përmase nuk mund të kesh një parfum që do të të kishte pëlqyer, pasi ndryshe do të binte ndesh me atë që ti je”, kujton Enada rreth atyre momenteve të para tek ngjizej një ide, që sot është materializuar në ‘Enada At’Nikolla Prive’.

Aroma ‘At’Nikolla’

Por si është në fakt, parfumi ‘Enada At’Nikolla Prive’? Çfarë të veçante ka? A është një parfum luksi? Edhe vetë Massimos për këtë përgjigje iu desh shumë kohë. “’Enada At’Nikolla Prive’ është një koleksion ekskluziv. Një parfum që nuk është për çdo njeri, është një linjë luksi, që do të vijojë të vijë edhe në forma të tjera”, – na tregon ai, teksa vijon punën për të tjera fragranca. Për vetë Enadën situata ishte e tillë, që kërkesa rritej nga dita në ditë. “Që në fillim zgjodhëm parfumet dhe aromat që na shkonin. Më tej, si gjithmonë mua më ndodh që të përfundoj tek gjëja më e mirë që ekziston edhe në këtë fushë, dhe që është parfumi që kemi në dorë sot”, – thotë Enada, teksa Massimo na fut në botën e aromave që do të përkëdhelin trupin femëror me ‘At’Nikolla Prive’. “’Parfumi At’Nikolla Prive’ është një buqetë lulesh orienti; hapet me zambakë uji, aromë pemësh halore që përkëdhelin frutat e kuq, lulet gojë ujku, me një bazë kanelle e lajthie. Janë plot 40 ingredientë në përmbajtje të parfumit”.

Më tej Enada shton: “Është një parfum që rri në nuancat dhe tonet e mia, i cili në të ardhmen do të shtohet dhe nuk do të jetë e vetmja aromë. Do të vijë edhe në aroma të tjera, për arsyen e thjeshtë se siç shkojnë veshjet e kombinuara sipas karaktereve të klientëve të ndryshëm që janë pjesë e ateliesë, edhe aromat do të jenë të ndryshme, por sigurisht në përshtatje me atë që unë kam, me hijen time. Parfumi që kam sot është ndër të preferuarit e mi dhe do të jetë parfumi që unë do të zgjedh të mbaj për vete, sepse jo vetëm flet me notat e mia, por edhe është ai që është krijuar i pari.

Për momentin parfumi është një ndër produktet e zgjedhura të ateliesë, vjen në një formë relativisht artizanale, por edhe profesionale  dhe fillimisht do të qëndrojë në atelie për një rreth shumë të ngushtë njerëzish, sepse në të tillë sasi është prodhuar për këtë fazë”, – tregon Enada, teksa Massimo gjithë entuziazëm shton se, deri më tani ka prodhuar shtatë aroma të reja që do t’i shtohen kësaj linje!





No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.