Monika Lubonja, një rol aspak prej kukulle

Duket e lehtë teksa mendon se Teatri i Kukullave është një institucion të vegjlish, por kur takon drejtoren Monika Lubonja, e kupton se ‘rolet’ aty brenda nuk janë aspak prej kukulle. Prej më shumë se dy vjetësh ajo drejton një institucion i cili ka kryefjalë fëmijët, por pozicioni e do të sillet me drejtësi dhe rreptësi me të rriturit dhe çiltërsi me të vegjlit. Monika Lubonja rrëfen çfarë ka ndryshuar në Teatrin e Kukullave, por edhe jetën e saj, raportet me artin dhe artistët, duke mos harruar teatrin, me të cilin siç shprehet, është ‘martuar deri në vdekje”…

Monika, si ndiheni pas dy vitesh drejtore e Teatrit të Kukullave? I keni arritur pritshmëritë tuaja?

Janë bërë gati 2 vjet që drejtoj këtë institucion, dhe ndihem e kënaqur për arritjet dhe ndryshimet e bëra. Më vjen keq që në 2013 Teatrin e Kukullave e gjeta me një premierë në javë. Gati-gati e pafalshme për titullarët e asaj kohe. I gjeta me shfaqje të vjetruara, që nuk i thoshin asgjë spektatorit të vogël, me mbi 10 vjet në skenë.Gjëja e parë që mendova ishte ngritja e një repertori të ri. Në 2014 u realizuan 4 premiera dhe nata Gala, ku për herë të parë u kthyen në teatër fëmijët dhe të rriturit. Shfaqja u dha gjatë fundvitit për fëmijët me sëmundje të rënda. Është një nga punët më të bukura që bëhet për fëmijët. Kjo është një nga pikat që kam dëshirë të zhvilloj më shumë.

Në 2015 u vendosën 7 premiera, me shfaqje cilësore dhe ide të reja. Kërkova që gjatë 2015-s dhe 2016-s elementi kukull të jetë kryefjala e shfaqjeve dhe teknikave të reja që sollëm, e do sjellim në vazhdimësi.

Erdhën dy regjisorë të huaj me eksperiencë në fushën e teatrit të kukullave, Vladimir Berkun nga Rusia dhe Davor Drajegovic nga Mali i zi. Ndërkaq, Qendra Kombëtare për Fëmijë solli disa aktivitete, si Festivali i Folkut. Një aktivitet i rëndësishëm është Festivali i Kërcimit për Fëmijë që bëhet midis shkollave të Tiranës. Sigurisht, në 2016 mendoj të hedh ide të reja për fëmijët e Qendrës, dhe në teatër të sjell regjisorë të huaj për pjesë të reja.

Keni festuar 65-vjetorin e themelimit të Teatrit të Kukullave. Çfarë ndjesie për ju t’ju takonte ky jubile?

Që kur erdha si drejtore, më thanë që shumë shpejt festojmë 65-vjetorin e Teatrit të Kukullave.E kam thënë e do ta them pafund, teatri është pasioni dhe dashuria ime më e madhe. Si të them ndryshe, jam martuar me të deri në vdekje…! Sigurisht, ishte ankth ngatërruar pak me frikë, se nuk e njihja aq mirë këtë teatër të vogël, po që nga vlerat që ka pasur ndër vite ishte shumë i madh.

Puna e parë që u bë ishte mbledhja e fotove të vjetra nga shfaqet e para deri në ditët e sotme. Të vjen keq që shumë foto kukullash në vite ishin zhdukur. Tek shikoja ato pak foto që kishim nëpër duar thosha: Pse, pse? Sa keq! Kurrë nuk e mora një përgjigje.

Mendova të sillja një muze të vogël me ato foto që ishin nga shfaqje ndër vite. Sollëm me foto ata që ngritën teatrin, nga regjisorët, aktorët, skenografët, skulptorët e kukullave e muzikantët. U vlerësuan me Kupën e Kacamistrit veteranët dhe aktorët më të vjetër. Ishte një nga emocionet më të bukura që kam marrë në këtë teatër.

Viti 2015 ishte një nga më të bukurit. Kanë qenë emocione të bukura, ka pasur lot gëzimi siç ishte renditja e Shqipërisë në vendin e pestë në Eurovizion.

Dhjetorin e 2015-s e mbyllët me një event për fëmijët që u shfaq në skenën e Teatrit Kombëtar. Dalja nga Teatri i Kukullave është edhe një nevojë për ju për të realizuar sipërmarrje edhe më të mëdha se ato që ju takojnë vogëlushëve?

Një nga shfaqjet që pati sukses dhe ku ishin mbi 70 fëmijë në skenën e Teatrit Kombëtar ishte ‘Qyteti i Fëmijëve’, me regji të Driada Dervishit. Kjo është kthyer në një traditë për çdo fundvit. Një super punë, ku fëmijët punojnë dy muaj e gjysmë derisa dalin në premierë. Emocionohem kur ata më pyesim; Drejtoresha si dolëm? Aleksandri, më i vogli i grupit më pyet: Monika ne dolëm mirë…?! Një botë me buzëqeshje, me ngjyra karakteresh. Një botë e pafajshme dhe e bukur që ta japin vetëm fëmijët.Ti harron për pak kohë që je në botën e tyre të ëndrrave, sa larg duket realiteti kur duhet të kthehem…!

Keni në plan të organizoni edhe një festival për fëmijët nga mosha 5-9 vjeç. Ku do të ndryshojë nga Festivali i Fëmijëve? Çfarë mendoni se do të sillni të re?

Ndryshimi në këtë festival është mosha 5 deri 9 vjeç. Ky festival do jetë mbarëkombëtar dhe autorët do të sjellin krijime të reja për këtë grupmoshë. Kjo do bëhet që dhe fëmijët e vegjël të kenë këngët e tyre. Festivali i 52 përcakton një grup fëmijësh nga 10-14 vjeç për të shkuar në Eurovizionin për fëmijë. Argëtimi dhe pjesëmarrja e tyre në evente të ndryshme është ushqimi më produktiv që marrin fëmijët për të ardhmen e tyre.

Jeni një drejtore e rreptë apo e butë?

Drejtore e rreptë? Si të them, unë jam artiste, drejtore jam përkohësisht. Nga natyra jam shumë tolerante dhe e sinqertë me punonjësit e mi. Mendoj që arti i zbut edhe njerëzit më problematikë. Kjo vlen për ata që e shohin teatrin apo artin në tërësi si ushqim shpirtëror. Dhe, këtu për fat të keq ka pak.

Sa i përket drejtimit të institucionit, gjatë kësaj periudhe keni bërë më shumë miq apo armiq?

Unë jam njeri që nuk pyes shumë ç’thonë të tjerët. Për disa njerëz më vjen keq që kanë vegjetuar, dhe për disa mjeranë që nga xhelozia shpifin dhe nuk lënë gazetar për të shkruar artikuj dhe nuk kanë guximin as të shkruajnë emrin. Apo disa të fortë që nuk lënë telefon pa bërë vetëm e vetëm të ulin gjithë këtë punë që është bërë në këto dy vite. Me vjen keq të them që atë institucion aq të bukur e gjeta me një administratë të paaftë, ku asnjë dosje nuk gjendej ose e shumta dosja kishte vetëm diplomat dhe asnjë të dhënë të gjithë atyre viteve se ç’kishin bërë. Jam krenare që po vijnë shfaqje cilësore, janë ofruar aktorë të rinj, të talentuar, të dalë nga audicionet dhe të pranuar në bazë të kritereve që kemi nxjerrë në faqen tonë zyrtare. Dhe mbi të gjitha, shfaqet janë shtuar  deri në 7 premiera. Do të vazhdoj të bëj më të mundurën që di të bëj për këtë teatër dhe fëmijët.

Çfarë keni mësuar më shumë gjatë kësaj kohe?

Të gjithë aktorët që kanë mbaruar Akademinë e Arteve janë të degës Dramë dhe nuk ka pasur një profil për elementin kukull. Ky teatër është ngritur dhe mbajtur gjallë falë pasionit të disa regjisorëve, që në kushte të vështira arritën ta bënin Teatrin e Kukullave e ta mbanin gjallë deri në ditët tona. Ideja ime është të nis një nismë me regjisorë të huaj, ku ata t’ju mësojnë teknikën e kukullës aktorëve të rinj. Teatri i Kukullave të kthehet në një Akademi të mirëfilltë për aktorët tanë. Iniciativat dhe idetë e mia janë të guximshme se duan përkrahje. Ndryshe nuk ecët përpara.

Ju mungon aktrimi, skena e teatrit?

Teatri me mungon shumë dhe e dua pafund. Por shumë shpejt do të jem në një produksion shumë të mirë. Deri atëherë, pak sekret për detajet. Teatrin e dua dhe jam e lumtur.



No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.