KreuStil Jetese

Minifundi, veshja e ndaluar

Shumë pak njerëz kanë lënë gjurmë në historinë e modës si Mary Quant me minifundin: një kryevepër e krijimit të modës, që edhe pas 50 vjetësh mbetet një revolucion i padiskutueshëm

Ishin vitet ’60, më të paharruarat e shekullit të shkuar. Të rinj rebelë ‘u zgjuan’ për të parë ndryshe historinë, kulturën dhe zakonet që kishin mësuar nga prindërit. Ishin vitet kur njeriu i parë zbriti në Hënë, momenti kur lëvizjet feministe kishin kulmin, “The Beatles” tronditën botën me muzikën e tyre, ku minifundi u bë padyshim ikona e stilit. Minifundi sugjeroi një tjetër stil jetesë që nxirrte në pah lirinë. Gratë tanimë mund të ngrinin zërin për feminilitetin, të shprehnin dëshirën sesi donin të visheshin dhe silleshin. Në Londër, në një dyqani të vogël në rrugën ‘Carnaby’ do të ‘lindte’ minifundi. Mary Quant, një grua rebele, arriti të interpretonte ëndrrat e ndaluara të grave, në një veshje të cilën e quajti ‘minifund’, një veshje që edhe pas 50 vjetësh, nuk është zbehur aspak.

Frances RaffertyMini-sport

Diku nga fundi i shekullit të 19-të, teksa kishin nisur të ndiheshin lëvizjet e para feministe, femrat hodhën tutje copat e rënda të kafenjta, duke zbuluar se pas çdo centimetri që veshja e tyre shkurtohej, seksualiteti bëhej më i dukshëm, veshjet pak nga pak arritën tek fundi tradicional, që nuk ishte as më pak, as më shumë veçse një mënyrë për të treguar forcën karshi burrave. Fustani i shkurtër, në fillim të 1900-ës, ishte ‘mollë e ndaluar’ për gratë, por një privilegj për kërcimtaret. Një foto e vitit 1945 e aktores amerikane Frances Rafferty, e tregon të veshur me një mini-fustan në kopertinën e ‘Yank’. Minifundi nuk do ta kishte të lehtë të hynte në ‘skenë’, teksa pantallonat e sapozëvendësuara nga fustanet e rënda të ‘Belle Epoque’, ishin përqafuar si një tendencë masive kudo në botë, ndërsa fundet nën gju të Coco Chanel, po i jepnin frymë stilit dhe modës.

Minifundi u shfaq për herë të parë në vitet 1920, në Lojërat Olimpike: tenistja Suzanne Leglend, veshi një minifund deri tek gjuri të stiluar nga Jean Patou, ndërsa disa vjet më pas, gjatë Lojërave Olimpike Dimërore, patinatorja norvegjeze Sonja Henie u shfaq e veshur me mini-pantallona të shkurtra. Veshjet mini i ishin dedikuar sportisteve. Në vitet ‘40-‘50, aktoret Marilyn Monroe dhe Ava Gardner u fotografuan me fundet ‘Tutut’, të njohura në botën e kërcimit. Por revolucioni i vërtetë ndodhi pikërisht në Londër, në vitin 1962…!

Stilistja Mary Quant theu tabutë, duke i ofruar femrës një veshje në vetëm pak centimetra. Brenda pak javësh, minifundi i dizenjuar nga Mary Quant pati aq shumë sukses, sa çdo vajzë kishte një syresh. Fillimisht femrat angleze, franceze, amerikane dhe italiane, e më pas në çdo kënd të botës, stilin unik të minifundit do ta shijonte çdo vajzë. Stilistja hapi butikun e saj në rrugën ‘Carnaby’, në Londër, një vend ku njerëzit takoheshin, bisedonin lirisht dhe dëgjonin muzikë. Aty “u ngjiz” krijimi i saj. Vetë stilistja rebele ishte zanafilla e një revolucioni: ndryshe nga gratë e tjera flokëgjata, ajo preu flokët sipas modelit Bob apo kasketë, një formë gjeometrike e cila u ndoq nga ithtarët e tjerë. Por ky ishte vetëm fillimi. Vajza të reja të cilat kërkonin minifunde filluan të trokisnin në derën e butikut të Mary Quant. “Krijoja çdo ditë minifunde me ngjyra apo kuadrate. Vajzat kërkonin çdo ditë e më shumë ta shkurtonin minifundin, nga tjetri që kishin blerë veç pak ditë më parë”, – kujton stilistja Mary Quant. Minifundi u bë pjesë e kulturës rinore. Ishte pjesë e fillimeve të lëvizjes për çlirim seksual, që pasoi me shpikjen e pilulës kundër shtatzënisë. Ishte një moment kur gratë, për herë të parë në histori, vendosnin për stilin e tyre. “Gjatë një leksioni baleti, po dëgjoja një muzikë që vinte nga dera ngjitur. U ngrita mbi dritare dhe pashë një kërcimtare e cila po kërcente tap (lloj kërcimi). Ishte veshur me një fustan me pala, i shkurtër rreth 25 centimetra, çorape të bardha me vija të kaltra dhe sandale. Ajo më fali vizionin që dëshiroja për të krijuar më pas minifundin”, – kujton Mary Quant. E në fakt, ky kujtim që kishte ngelur në memorien e saj kur ishte 15 vjeçe, do ta frymëzonte stilisten angleze për të krijuar një veshje të papërsëritshme. Madje, Mary nuk e pati aspak të vështirë për të gjetur emrin: vendosi ta quajë minifund, sipas emrit të makinës së saj, ‘Mini Cooper’, automobili i famshëm britanik. Figura e vajzës me minifund, çorape të gjata dhe triko të gjerë, zhvendosi vëmendjen nga kolegjet tradicionale femërore, në rrugët e Londrës, Milanos, Parisit dhe më pas New York-ut.

Revista ‘Vogue’ përqafoi tendencën e re, duke vendosur aktoren Twiggy në kopertinë, ndërsa Jackie Kennedy guxoi më shumë sesa duhet: për martesën e dytë me Aristotel Onasis zgjodhi një fustan super të shkurtër të bardhë. Stilisti i parë që përfshiu në pasarela dhe koleksionin e tij minifundin në vitin 1965 ishte Pierre Cardin. Një vit më pas, e gjithë Amerika u përfshi nga ‘ethet’ e minifundit: në serialin ‘Star Trek’, regjisori Gene Roddenberry veshi me minifund ekuipazhin e tij të astronauteve. Prej asokohe deri në vitet ’80, minifundi ka pësuar ndryshime të pafundme, nga modelet super të shkurtra, deri tek minifundet në formë kambane apo kovë, duke mos munguar në asnjë sfilatë mode apo në gardërobën e çdo femre.

Minifundi me pala skocez

Coco kundër

Ky stil nuk mund të përqafohej lehtësisht nga shoqëria, madje edhe nga vetë familjet e vajzave të reja. Shumica e tyre ishin rritur duke ndjekur si model stilin e nënave të tyre. Ndaj, kjo veshje pak centimetërshe, ishte një ‘mollë’ e ngecur ne fyt që nuk mund të kapërdihej lehtë. Pamja e vajzave elegante me këmbë kilometrike nuk mund të kalonte pa u vënë re. Minifundi u etiketua si erotik, reflektonte stil rebel dhe flirtues. Minifundi bëri që sytë kritikë të ‘sulmonin’ këmbët e nxjerra në pah për faj të veshjes ‘heretike’. Kjo veshja, e cila nxjerr në pah feminilitetin e gruas, u kritikua edhe nga stilistët. Coco Chanel e quajti “të papranueshme, një veshje vulgare”, deklaratë të cilën Karl Lagerfeld e ka konsideruar si gabimin më të madh të stilistes në karrierën e saj. Përpos fanatikëve, prodhimi i minifundit në Angli u etiketua si evazion fiskal. Sistemi tatimor asokohe taksonte veshjet e të rriturve në kategorinë e veshjeve me gjatësi mbi 61 centimetra, ndërsa minifundi ishte 51 centimetra, duke u komentuar si mundësi për t’u përjashtuar nga taksat. Por, faktori tronditës i minifundit nuk i takon së shkuarës; edhe sot në shumë vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikë ndalohet veshja që mban firmën e Quant. Vajzat me minifund arrestohen nga policia ose gjobiten. Pas 50 vitesh, misioni i minifundit vazhdon për të sjellë çlirimin e gruas…!

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF