Big Basta flet për mrekullinë Lian dhe rrugën drejt tregut botëror

Nga Sidorela Lepri
Pas një pauze në muzikë, Gerald Xhari, i njohur me emrin e artit Big Basta ka vendosur të rikthehet fuqishëm, kësaj here duke i kaluar kufijtë kombëtarë.
Së fundmi, ai ka nënshkruar një kontratë me studion muzikore 360 M Records me bazë në New York.
Në një intervistë për BORDO.al, artisti ka rrëfyer më shumë detaje për albumin e tretë, angazhimet e tjera dhe si edhe ka zbuluar emrin e djalit të tij, që shumë shpejt do t’i bëjë prindër për herë të parë Geraldin dhe këngëtaren Vesa Luma.
Së fundmi, keni nënshkruar kontratë me 360 M Records, e cila është një studio e madhe muzikore në New York. Si erdhi ky bashkëpunim mes jush?
360M Records është një label me bazë në Neë York, i cili përpos produksioneve muzikore ofron dhe distribucionin në të gjitha platformat online, si edhe ne mbi 20 mijë stacione radiofonike në të gjithë botën, të këngëve që këngëtarët e nënshkruar publikojnë.
Ishte një lidhje e krijuar nga Bojken Lako, të cilin e falenderoj shumë që mendoj të shfrytëzonte njohjen e tij për të bashkëpunuar me mua, sepse zakonisht siç rëndom ndodh, është e pamundur të shohësh artistë shqiptarë të ndihmojnë apo suportojnë kolegët e tyre pa baza interesi.
360 M Records ju ka përzgjedhur për albumin tuaj të fundit. Kur do të jetë gati albumi dhe mund të na tregoni më shumë detaje rreth tij?
Në periudhën që nisën bisedimet, unë sapo kisha nisur punën për të sjellë në jetë albumin tim të tretë “E treta, e vërteta” dhe marreveshja ishte mjaft e mirë, duke i dhënë mundësinë këtij albumi të dalë në treg në të gjithë botën.
Sigurisht, kam preferuar të publikoj vetëm projekte të reja. Doja të rikthehesha vetëm me produksione më të kohës dhe me imazh më të kompletuar. Është një album që do i tejkalojë parashikimet dhe pritshmëritë e publikut, sepse nuk ka lidhje me punimet e mia të vjetra. Vi më i fortë, më cilësor dhe më i përgjegjshëm.
Po përsa i përket këngës së parë që do të publikohet?
Kënga e parë që publikohet nga ky album titullohet “M’vini onash” , një këngë me një titull agresiv dhe me dialekt tiranas, por që në thelb tregoj atë që në të vërtetë jam, kapaciteti im i vërtetë si edhe për të hedhur poshtë çdo aludim të gabuar që dikush mund të ketë në lidhje me mua si rapper.
Pas një pauze në muzikë, ky është një rikthim i bujshëm. Por çfarë do të thotë për ju të qenurit pjesë e një kompanie të madhe muzikore?
Pauza që pata ishte një pauzë deri diku e shtyrë nga ana ime, nga situatat që kam kaluar. Nga bashkëpunimi me njerëz dashakeqë, të cilët bënë çfarë të ishte e mundur për të bllokuar çdo material timin nëpër portalet muzikore. Pauza që erdhi nga bllokimi im nga kompanitë fantazma që pretendojnë se kanë në dorë fatin e çdo artisti shqiptar dhe i gënjen me një postim në Youtube dhe me blerjen e miliona klikimeve. Ishte një pauzë që më duhej për kthjellim, si edhe për të pasuruar më tepër tekstet dhe produksionet e mia. Gjithmonë mendoja që të gjeja një zgjidhje për t’u rikthyer bujshëm, prandaj rastisi mrekullisht hapja e radios së parë hip-hop në Shqipëri, MCN Radio, në të cilën jam drejtor artistik dhe 360M Records ishte ajo që duhej për komletimin tim artistik. Të jesh pjesë e një kompanie të tillë muzikore do të thotë të përmbushet dëshira dhe ëndrra që kam pasur gjithmone, bile ajo çka gjithmonë kam përmendur nëpër këngët e mia dhe intervistat e mëparshme.
Përveçse muzikës, angazhimet e tjera momentalisht?
Jam drejtori artistik i radios MCN 103.1FM, radios së parë e cila transmeton 24/7 muzikë të kultures hip-hop ose muzike black. Gjithashtu jam bashkëkrijuesi i “Albanian Hip Hop Association” në të cilën po afrojmë sa më shumë talente apo të rinj që e duan këtë kulturë, për të kultivuar një mentalitet më të pastër dhe më pozitiv, si edhe për t’i orientuar të rinjtë drejt artit dhe jo drejt rrugës.
Të ndalemi pak te jeta personale. Së shpejti do të bëheni baba. Si po shkon shtatzënia e Vesës?
Është mrekullia më e madhe, ajo që po ndodh për mua. Po pres të vijë në jetë krijimi im dhe i Veses, fruti i dashurisë dhe i energjisë sonë. Duke qenë se jam shumë supersticioz jam dhe pak i rezervuar në të shprehur. Vesa është në gjendje perfekte dhe uroj që të jetë e tillë deri në fund.
Keni menduar për emrin e djalit?
Emrin e djalit nuk do ta thoja po të mos e kishin zbuluar, dhe madje zbuluar gabim. Djali do të  quhet Lian dhe jo Liam, sikurse shumë media e kanë publikuar.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *