Vila Fernando, nën mbretërinë e tingujve 0 160

Nuk është hera e parë që vizitoj hotel boutique Vila Fernando. Ndaj dëshira për tu kthyer sërish, i ngjan një ftese për të qenë pjesë e një koncerti simfonik. Në hyrje më pret Teuta dhe bashkëshorti Ferdinanti që po shijojnë kafen e parë të ditës së bashku. Na ftojmë të hyjmë brenda përmes një korridori ngjyrë mjalti, i cili të çon në holl. Në kah shfaqet plot hir një mozaik muralesh ku spikat portreti i Teutës, mbretëreshës shqiptare, e djathtas anija Liburnia lundron ende krenare.

Holli ka një stil tipik vienez, i dekoruar me detaje të cilat të kthejnë pas në kohën e viteve 1800, që nga karriget, rifiniturat e mureve plot dekoracione dhe piktura, e përmbi tavan një mozaik romak të rrëmben shikimin. Një llampadar klasik i dekoruar me elementë tunxhi, bronzi, qelqi dhe porcelani përhap një dritë të butë ngado. Teuta dhe Ferdinanti nuk e fshehin krenarinë për këtë kryevepër që kanë realizuar. Teuta Doçi Ilia, shpjegon se vila u shndërrua në hotel boutique para dy vjetësh. Vetëm lyerja u bë për gjashtë muaj. Çdo detaj u realizua hap pas hapi, në mënyrë që të arredohej si ishte menduar nga fillimi. Ferdinanti, i impresionuar dhe frymëzuar nga udhëtimet e tij, arriti të ngjizë këtë kryevepër të arkitekturës dhe interiorit kryeqytetas.

E sikur të ishim jo në një hotel, por në një koncert, ftesa e parë na vjen nga dhoma Mozart. E kuqja shpërthyese dhe grija tipike e kompozitorit vjen në këtë dhomë matrimoniale duke reflektuar natyrën e vërtetë të tij. “Secila nga 5 dhomat është ndryshe dhe ka një emër kompozitori. Vendosëm në fillim emrin, pastaj e arreduam duke i qëndruar besnikë natyrës së kompozitorit”-tregon Teuta proçesin e arredimit.

Ngjitemi lart. Para shfaqet Pranvera pasi ke hapur dhomën Vivaldi. Katër stinët e tij janë bërë njësh në çdo kënd. Rreth një shtrati rrumbullak një gjelbërim dehës të çon në lëndinat e sapoçelura, ndërsa flladi të përkëdhel përmes tingujve që dëgjohen në sfond.

Më tutje, një dhomë ndryshe, e një emër tjetër kompozitori. Nuk ka si të ndodhë ndryshe: dhoma Çajkovski bart të njëjtën frymë dhe elementet që e kanë frymëzuar muzikën e kompozitorit rus. Shtrati perandorak ngjason me një skenë të vogël, ku i dehur nga ambjenti të duket sikur do të shpërthejnë tingujt nga çasti në çast.

Një kat më sipër, nuk mund të rrish pa ndalur para pikturave të vogla prej rëre ku shfaqen gjurmë të kulturës e traditës shqiptare përmes veshjeve tipike suljote apo ato të malësisë.

Sapo çel dhomën Shtraus të duket vetja si në një nga ato sallat luksoze vieneze ku damat ëndërrojnë duke u rrotulluar me fustanet e jetës mondane. Ngjyra e arit dhe kafes arabike të miklojnë me një stil aristokratik e të ftojnë të akomodohesh pa u menduar dy herë.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja është Bethoven. Elementet e dekorit që lidhen me këtë artist janë të prekshme ngado: Spikat portokallia që të kujton simfoninë e 9-të.

U largova me dëshirën për tu kthyer sërish në një prej dhomave ku ndihesh si në një perandori tingujsh e ngjyrash, pa harruar komoditetin Hotel Boutique Vila Fernando…!

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *