KreuStil Jetese

10 këshilla për t’u mbrojtur nga i nxehti dhe vapa

 

1. Evitoni daljet në orët e nxehta (nga ora 11:00 – 17:00): Nëse punoni apo duhet të dilni patjetër në diell, përdorni kapele ngjurë të çelët, syze dielli dhe kremra me faktorë mbrojtës. Kremrat përdorini rreth 15-20 minuta para ekspozimit, duke u ri-lyer çdo 2 orë.

2. Përdorni gjithnjë veshje të lehta pambuku dhe të gjëra, që të lejoni thithjen e djersës dhe “frymëmarrjen” e lëkurës.

3. Mbani sa më të freskët temperaturën e trupit: duke freskuar sa më shpesh fytyrën dhe krahët, apo duke bërë dushe me ujë të vakët, sapo të mundeni. Në pamundësi, mbani mbi kokë një peshqir të lagur, sidomos në orët më të nxehta.

4. Mbani freskët ambjentin ku jetoni apo punoni. Mbani mbyllur dritaret në orët e nxehta dhe mbulojini ato me perde ose grila. Hapini dritaret vetëm gjatë orëve të freskëta (nga mbrëmja deri në mëngjes). Freskoni herë pas here me ujë dyshemenë, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje. Kujdes me përdorimin e kondicionerëve, mos i gradoni më pak se 25-27 gradë. Kujdes kur ndryshoni temperaturën e ambjentit, mbuloni shpatullat dhe qafën kur hyni në një ambjent më të ftohtë.

5. Ushqehuni shëndetshëm dhe pini sa më shumë ujë dhe lëngje. Hani rregullisht dhe me orar, përdorni kryesisht ushqime të lehta, të freskëta, jo shumë të përpunuara dhe me pak yndyrna, si sallatrat, perimet dhe frutat (sa më të larmishme në lloje dhe ngjyra), por edhe kos, pulë, peshk, etj. Pakësoni sasinë e kripës dhe ëmbëlsirave; Evitoni pijet alkoolike dhe të skuqurat. Pini të paktën 2 litra ujë në ditë, por disa persona mund të kenë nevojë të pinë edhe më shumë, edhe kur nuk kanë etje, sidomos të moshuarit dhe në disa situata shëndetësore të caktuara. Mos përdorni pije shumë të ftohta dhe të gazuara. Mos konsumoni ushqime që janë gatuar prej më shumë se 2 orësh dhe lihen në temperatura ambjenti dhe të pa mbrojtura, si ushqimet që tregëtohen nga shitësit ambulantë në plazhe, fast-foode, akulloret ambulante etj.

6. Pakësoni sforcimet fizike dhe sportet në orët e nxehta.

7. Nëse udhëtoni me makinë: fillimisht hapni dyert dhe dritaret dhe prisni që të freskohet për disa minuta para se të hipni. Gjatë udhëtimit mbani hapur dritaret ose përdorni klimatizatorin. Kujdes i veçantë duhet për foshnjat e vogla dhe të moshuarit, mos i lini t’ju presin apo të flenë gjumë në makinë dhe nën diell.

8. Mbikqyrni dhe kujdesuni për personat më në risk, si foshnjat 0-6 muajsh, të moshuarit, të vetmuarit, etj. duke mos i ekspozuar në diell në orët e nxehta dhe duke i ndihmuar me kujdesin e përditshëm.

9. Nëse vuani nga një sëmundje kronike, këshillohuni me mjekun për çdo problem, sado e vogël qoftë, për të përshtatur terapinë apo ndjekjen (kontrollet e nivelit të glicemisë tek diabetikët), pasi disa sëmundje ndikohen nga i nxehti, si hipertensioni, etj. Mos e ndryshoni vetë terapinë! Mos harroni se disa medikamente nuk duhet të rrinë nën rrezet e diellit dhe në të nxehtë, ndaj lexoni etiketën ose këshillohuni me mjekun.

10. Nëse pushoni në zonat malore mos harroni se rrezatimi diellor është shumë intensiv edhe në male, ndaj duhet të përdorni njësoj masa mbrojtëse ndaj diellit si ato që përdorni në plazh. Kujdes edhe nga insektet dhe gjarpërinjtë si dhe merrni gjithnjë me vete medikamente sipas këshillës së mjekut.

 

 

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF