KreuFashion

Kujdes fëmijët nga pijet energjike!

Një kanaçe me pije energjike mund të ketë dëme shumë të mëdha tek fëmijët. Studimi tregon se më shumë se 2 mijë fëmijë nën moshën 6-vjeҫare janë diagnostikuar vitet e fundit me ritme jo normale të zemrës, ndërsa në tre vitet e fundit, mijëra fëmijë janë shtruar në spital, pasi kanë konsumuar pije energjike. Simptomat që shfaqin përfshijnë edhe probleme serioze kardiake apo probleme neurologjike.
Këto të dhëna janë publikuar nga “Daily Mail”, në një artikull të botuar së fundmi. Profesor Steven Lipshultz, pediatër i përgjithshëm në Spitalin e Fëmijëve në Miçigan (Detroit), tha se shumica e kanaçeve me pije energjike përmbajnë kafeinë të mjaftueshme për të shkaktuar një dëm sado të vogël.
“Konsumimi i pijeve energjike është një problem i vazhdueshëm shëndetësor”, ka thënë ai për “American Heart Association”: “Ju zakonisht mendoni se ka më shumë gjasa që këto pije t’i konsumojnë adoleshentët dhe të rinjtë, por realisht ne kemi gjetur raste nëpër qendrat e kontrollit që këto pije janë pirë nga fëmijët më të vegjël se 6 vjeç.
Pavarësisht paralajmërimeve të doktorëve se fëmijët nuk duhet të konsumojnë pije energjike, kjo pjesë mbetet ende problem për prindërit. Sa më shumë fëmijët konsumojnë pije energjike, aq më shumë probleme kanë me gjendjen shëndetësore. Pijet energjike, siç dihet, përmbajnë kafeinë dhe stimulues të zemrës, që jo vetëm nuk janë të nevojshme për fëmijët, por përkundrazi. Ato janë të dëmshme, mund të çrregullojnë ritmin e zemrës, si dhe të ndikojnë në shkaktimin e problemeve të tjera shëndetësore.
Po ashtu, pijet energjike përmbajnë vitamina dhe disa ekstrakte, të cilat nuk janë të nevojshme për fëmijët, pasi organizmi i tyre është duke u zhvilluar.
Mjekët pediatër paralajmërojnë se pijet energjike mund të shkaktojnë sulme në zemër, probleme në veshka dhe në dëmtimin e mëlçisë te fëmijët. Mjekët, gjithashtu këshillojnë se pija më e përshtatshme për fëmijët është uji, ndaj, edhe nëse e refuzojnë, ju duhet t’ua fusni patjetër në ҫantë. Nëse fëmijët nuk merren me aktivitete sportive dhe janë më pak aktivë, do të ishte mirë që t’u shmangen pijeve energjike sportive. Në shumicën e rasteve, është vështirë që përmes etiketës në shishe të vlerësohet sasia e kafeinës në produkt. Bëni shumë kujdes me rastet kur mbi shishe shënohet mbi 500 miligramë kafeinë, që është ekuivalente me 14 kanaçe të pijeve të gazuara.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF