KreuFashion

Në kuzhinën e panjohur të Thethit

Nga Ilda Lumani

Përgjithësisht nuk jam natyrë që preferoj të lexoj për vendet në të cilat shkoj për t’i vizituar. Dua të krijoj përshtypjet e mia (kjo më ndodh dhe me njerëzit). Për Thethin do të ishte e pafalshme të mos dija gjë. Sigurisht,  kjo ka ndodhur kohë pas kohe përmes reportazheve të ndryshëm që kam parë në ekran e lexuar në gazeta, por më shumë hulumtuar në këndvështrimin gazetaresk, sesa mirëfilli për të njohur krahinën. Disa foto të ujëvarës së magjishme, të familjarëve të mi në Theth, ma bënin mjaft joshëse, por gjithsesi si jugore, tërheqjen e kam pasur përherë nga bregu. Ndaj edhe vizita ime e parë në Theth, kaq e vonuar (konkluzioni pas vizitës ky), ndodhi pikërisht këtë gusht, kur vendosëm të hiqnim dorë nga rutina joshës e përvitshme drejt detit të Jugut për të ikur në mal.

Destinacioni Theth

Udhëtimi drejt Thethit ishte krejt normal, po aq sa edhe një zbulesë e vërtetë. Ngjitja drejt malit për mua ishte një ekzaltim i vërtetë. Ndërsa rruga, edhe pse jo fort e mirë për në Theth  (rreth 15 km rrugë e pashtruar), ishte frymëzuese, çlodhëse, freskuese, gjelbëroshe, dehëse… Si një fëmijë i lumtur zbrita disa herë nga makina për të mbledhur luleshtrydhet e vockla mbuluar me vesën e mëngjesit nën hijen e pemëve të ndryshme, teksa kohë pas kohe livadhe të gjelbra dehnin sytë e mi.

Ajo që më bëri përshtypje, ndërsa nisën të shfaqeshin çatitë e para, ishin shtëpitë e gurta. Të gjitha të reja. Të gjitha të ndërtuara më së miri, me çatitë e gjata dhe të pjerrëta (tipike për vendet me dëborë), më dukej sikur ishte një vend i krijuar së fundmi. Me etje doja të thithja gjithçka të atij peizazhi të mrekullueshëm, të magjishëm, ftues, kaq i afërt dhe njëherësh i largët me përditshmërinë e zhurmshme. Sakaq kisha gjetur pauzën e duhur për verën. Nuk kisha as më të voglin dyshim se ky ishte destinacioni i duhur i gushtit zhuritës.

Mbërritja në ‘Guest House Villa Gjeçaj’

Kishim rezervuar në ‘Guest House Villa Gjeçaj’, ku sapo u shfaqëm në oborrin e shtëpisë, pas mirëseardhjes që na uroi Leza, vajza e zonjë Lules – e njohur tashmë mediatikisht – e cila na ofroi për të shuar etjen lëng luleshtrydheje, nga ato të bahçes, sigurisht. Ishte vetëm fillim i degustimit të lëngjeve dhe ushqimeve organike të përgatitura me aq përkushtim e dashuri, të ndeshura kaq rrallë në vendin tonë.

Në fakt, në këtë ditar timin ajo që doja të cekja më tepër është pikërisht kulinaria. pikë kaq e rëndësishme e turizmit. Natyrisht, pa i hequr asnjë presje bukurive të këtij vendi, çka jemi përpjekur ta fokusojmë në këto foto origjinale. Por më lejoni të ndalem pak më gjatë tek ushqimi, pasi nëse do të shkoni, jam e bindur që do të përjetoni të njëjtën eksperiencë.

Vakte organike, ushqim shtëpie

Shumicën e herëve preferuam verandën për të ngrënë. Mëngjesi ishte i padiskutueshëm aty, në fakt. Ajri i pastër, freskia, rrezet e diellit që binin aq bukur në atë oaz të rrethuar veç me male, të bënin ta shijoje çdo gjë që të ofrohej. Aq më tepër kur Zonja Lule çdo gjë e përgatiste të freskët dhe në çast; buka, fokaçet, kulaçi apo petullat e pjekura në furrë mbërrinin në tavolinë me avullin dhe aromën e mrekullueshme të gatimit. Më tej qumështi, gjalpi, djathi, reçeli, mjalti, çaji i malit e çdo gjë që vinte në tavolinë ishte prodhim i shtëpisë. Buzëqeshja, fjalët e dashura dhe përkushtimi me të cilin organizohej ky rit, të ftonte ta shijoje edhe më tepër tavolinën.

Në të vërtet, të tria vaktet ofronin pjata të shijshme dhe të bollshme, që nisnin nga supa, sallata, tavat me perime dhe mish, ushqimet karakteristike të zonës, buka që vinte në disa versione dhe ëmbëlsirat e bëra në çast. “Nuk mungojnë ushqimet tona të traditës: fli, maza, byrekët, djathë, salcë kosi, mishi i freskët nga bagëtitë që rritim vetë , ose i marrim në fshat nga të tjerë blegtorë. Sipas stinëve, bëjmë lëngjet e freskëta me çdo pemë dhe frut, si lëng luleshtrydhe, thane, kumbulle, molle, manaferre. Me to bëjmë gjithashtu dhe reçel”, – më tregon zonja Lule, në atë pak kohë pushim që unë ja rrëmbej mes vakteve dhe punëve të saj të përditshme. Në fakt, gjatë gjithë ditëve që qëndruam në bujtinën e saj, zonjën Lule e pashë të ulej vetëm kur hante ushqim. Gjithë kohës ishte në punë, në kuzhinë, duke realizuar pjatat e njëpasnjëshme. Kuzhina ishte e gjitha e saj. Dhe ajo ja dilte në mënyrë të mrekullueshme. Gjithë kërshëri e pyeta nëse ja kishte trashëguar njeriu këtë pasuri të madhe. “Askujt deri më tash, – më thotë me keqardhje. – Nusja ka ardhur këtë verë, dhe në fakt asaj i takon ta trashëgojë, por vajza ka ndenjur më shumë me mua”.

Zonja Lule më tregon se ka gati 20 vjet që Thethi është bërë një destinacion i preferuar i të huajve. Familja e saj ka plot 10 vjet që bujt miq. Janë në sinkron të plotë me teknologjinë e kohës. Vetë Zonja Lule thotë se janë pjesë e faqes së internetit të fshatit Theth, e gjithashtu kanë edhe faqen e tyre personale. Përgjithësisht mysafirët rezervojnë aty dhe janë të huaj. Këtë gjë e verifikova vetë, ku të vetmit shqiptarë përgjatë atyre ditëve në ‘Villa Gjeçaj’ ishim vetëm ne. Turistë të ndryshëm, familjarë, individualë apo grup vinin e iknin, udhëtonin gjatë gjithë ditës dhe pasditja i mblidhte në bujtinë. Ndryshe nga jeta në qytet, dielli aty dukej sikur dilte më herët. Kishte një ftesë që të bënte të arratiseshe nga krevati.  Një dëshirë të madhe për t’u ulur tek veranda dhe ta shijoje, ta përpije këtë ndjesi, këtë panoramë me gjithçka që ofronte.

Në agim, pasi hanin mëngjesin, zonja Lule u jepte ushqimin e drekës me vete, perimet e serës së saj, fare ngjitur me lëndinën me lule. Të gjitha çfarë haje i shihje me sy të lirë – përtej perimeve qëndronin kafshët, e më tutje kosheret e bletëve.

Më shijonte pafund ajo lloj qetësie (përveç faktit që temperaturat 7-8 gradë më pak se në Tiranë, e bënin klimën të më dukej pranverë), dhe fakti që mendimet e vetme aty i përkisnin gatimit, ushqimit dhe natyrës. Nuk ndodh kurrë të mendoj aq gjatë për to në përditshmërinë time (Besoj edhe në tuajën!).  Por, nuk isha vetëm unë që shprehesha në këtë mënyrë. Vëzhgoja vjedhurazi mysafirët e huaj, teksa falënderonin për mikpritjen, për ushqimin e mrekullueshëm, çmimet modeste dhe i linin me zemër diçka më tepër sesa pagesa zonjës Lule kur iknin prej shtëpisë. “Të huajt e pëlqejnë shumë ushqimin, në fakt. Përveç gatimeve që ju përmenda, në darkë bëj gjithmonë supë, pasi kthehen nga rruga dhe kanë nevojë për një supë. Por kur ua nxjerr shqiptarëve, e shohin pak me përbuzje, do hamë supë këtu thonë, sikur nuk hamë dhe në shtëpi… Pavarësisht se kur vijojnë ushqimet e tjera nuk ndajnë këtë mendim…”, – tregon zonja Lule, e vlerësuar edhe me çmime të ndryshme për mikpritjen e saj. “Titujt janë vlera më e mirë, kur një gjë që bën nuk shkon kot”.

Zonja Lule jeton gjatë gjithë vitit në Theth, edhe pse fëmijët e saj punojnë e jetojnë në Tiranë. Gjatë dimrit, jeta aty është jo pak e vështirë. Dëbora mbulon gjithë fshatin dhe zonjës Lule dhe bashkëshortit të saj i duhet të kujdesen për kafshët e shtëpisë. Pranvera, përveç jetës, ju sjell vizitorët e parë në shtëpi, ndërsa muajt korrik-gusht e shtator arrijnë pikun e turistëve. Në këtë periudhë ajo nuk është e vetme. Përveç mysafirëve të largët, ‘Villa Gjeçaj’ gjallon edhe prej gjakut dhe pasardhësve të familjes Gjeçaj, që kalojnë gjithë stinën e verës pranë gjyshes, duke jetuar, por edhe duke e ndihmuar atë në këtë biznes familjar, i cili padyshim që ka nisur vërtet mirë.

Madje, mendoj se kjo shtëpi e mbipopulluar me të huaj, nga gjithë bota: Australia, Amerika, Anglia, Gjermania, Çekia, Polonia do të jetojë shumë gjatë. Edhe pas nesh. “Me ndihmë të Zotit kjo shtëpi do të jetojë”, – thotë edhe zonja Lule.

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF