KreuArt

Pengu i Ilir Kernit

Nga Anila Dedaj
Foto: Fani Aliko

Ai është padyshim një nga artistët më të suksesshëm shqiptarë, i cili me pasion ka bërë jetën e skenës, që është nga më të gjatat në botë. Rreth 25 vjet karrierë jashtë vendit, dhe çmime pafund që konfirmojnë talentin e tij. I gjithë ky rrugëtim artistik ka qenë një sfidë e vërtetë, pasi i është dashur të ballafaqohet me një botë, që në Shqipëri ishte e panjohur. Por, Ilir Kerni, i ka kaluar pritshmëritë, duke u bërë kështu frymëzim për shumë balerinë me ëndrra dhe talent, por edhe të tjerë të rinj. Me shumë punë dhe këmbëngulje ai arrin një status dhe famë që shumëkush do ta lakmonte, duke eksportuar në njëfarë mënyre edhe emrin e Shqipërisë në skenën e artit botëror. Të tjerë në vendin e tij do të shijonin suksesin e korrur jashtë vendit, mirëpo një artist i madh është me të vërtetë i tillë kur ka një botë shpirtërore të gjerë. Ai vendos të kthehet në Shqipëri, i pamjaftuar për kontributin në distancë, që mund të japë për vendin e tij, e veçanërisht për teatrin. “U ktheva se më dhembte ky teatër, më ka dhembur gjithmonë degradimi i tij”, shprehet ai, gjatë një interviste, për revistën “Bordo”. Në një kohë që një pjesë artistësh rriteshin jashtë gjithnjë e më shumë, e ndërsa teatri shkonte gjithnjë edhe më poshtë, Kerni ndjeu nevojën që të marrte një iniciativë, duke bërë të pamundurën që ky fenomen të ndalojë. Një sfidë  kjo e marrë, po aq sa edhe misionare, për të cilën ai do të gjejë një mbështetje të fortë te bashkëudhëtarja e jetës së tij, Dori, me të cilën ngaherë kanë ndarë çdo gjë bashkë. Balerini, baletmaestri, pedagogu Ilir Kerni, artisti që rendit disa tituj, si “Artist i merituar”, Urdhëri “Naim Frashëri”, “Oskar Ormosh” dy herë, “Çmimin më të lartë në Kroaci”etj., pranon kështu detyrën e drejtorit të TKOB-së, prej të cilës ai sigurisht që nuk ka se ç’të marrë. Mirëpo, siç thotë dhe vetë ai, nëse je njeri që kërkon të japësh dashuri kjo zgjidh shumë probleme. Kjo është natyra e tij në përgjithësi dhe filozofia e tij për të zhvilluar këtë teatër: të japë duke harruar se çka qenë dhe duke u përqendruar në rigjenerimin e forcave artistike! Edhe pse jeta në Zagreb i mungon, nuk heq dorë nga ëndrra e tij, për një teatër të denjë. Përpiqet dita-ditës, që të gjithë artistët t’i bëjë të ndihen energjia e këtij teatri, duke dhënë edhe vetë energji përkrah tyre, dhe për më tepër, duke mos u ndjerë drejtori i askujt. Pasi dëshira e tij është: Të jetë frymëzuesi për njerëzit që duan ta bëjnë teatrin!

Zoti Kerni, takimi juaj i parë me baletin ka ndodhur në moshën 9-vjeçare, atëherë, fill pas kapërcimit të një prove, jeta juaj mori tjetër rrjedhë. Por, para këtij momenti, si i kujtoni lojërat e fëmijërisë?

Si të gjithë fëmijët e Tiranës në atë kohë, unë kam qenë një fëmijë tepër i zakonshëm. Jam një nga pesë fëmijët e prindërve të mi. E kam bërë shkollën te “Sabaudin Gabrani” te “21 Dhjetori”, në atë periudhë kam luajtur futboll dhe kam bërë prapësira pamasë. Në futboll kam qenë i talentuar, derisa ndodhi kthesa e madhe e jetës sime. Më kujtohet kur kanë ardhur pedagogët në shkollë, ata që shpërndaheshin në Tiranë për të gjetur talente. Kujtoj se unë nuk kisha asnjë njohuri mbi kërcimin, kur kam shkuar në Teatrin e Operës, ku merrnin pjesë në audicione mbi 150 fëmijë tiranas, nga ku më përzgjodhën për në Shkollë të Baletit. Kjo ka qenë një nga gjërat më të mira të asaj epoke, sepse zgjidheshin vërtet të talentuarit. Nuk kishte fenomene si këto që kanë ndodhur gjatë 25 viteve në tranzicion.

Gjatë Shkollës së Baletit, cili është profesori që ju ka qëndruar pranë?

Profesor Miltiadh Papa. Ai ka qenë një nga artistët më të shquar në atë kohë, sepse kishte mbaruar studimet në Moskë dhe shkolla që ka bërë ka qenë tepër solide.

Në këtë periudhë keni pasur një moment “kyç” në jetën tuaj?               

Pedagogu im më ka dashur shumë. E them këtë, sepse ka dashur që të më siguronte një perspektivë të drejtë. Pas katër vjetësh balet unë isha më shtatshkurtri, isha rreth 12 cm më i vogël se të tjerët. Ndërkohë që, ai më mori dhe më tha:“Nëse nuk zgjatesh, nuk ja vlen që të vazhdosh”. Ndërkohë që kishte komunikuar edhe me babanë tim, duke i thënë:“Edhe pse e dua dhe është tepër i talentuar, fiziku i tij nuk është për balet”. Në atë kohë mendoj se kam kaluar mërzitjen më të madhe të jetës sime. Kur kam shkuar në shtëpi i thashë babait që unë nuk shkoj më në shkollë. Babai këmbënguli që unë të vazhdoja. “Ti je akoma i ri dhe do të rritesh”, më tha. Për çudi në një vit kam hedhur shtat dhe jam zgjatur më shumë sesa shokët e mi. Është edhe për të qeshur, sepse në momentin që unë hodha shtat vazhdova që të mos jem stabil në lëvizje, sepse rritja ishte tepër e shpejtë. Edhe Miltiadhi për vete ishte shtatshkurtër, më tha: “Unë të kam thënë që të zgjatesh, por jo kaq shumë!”. Ligamentetu zgjatën shumë dhe nuk ishin në raport të drejtë me muskujt, që nuk ishin të forcuar sa duhet. Kjo periudhë zgjati dy vjet, deri sa u stabilizova. Ky është një fenomen që ndodh rallë. Më pas mbarova Shkollën e Baletit dhe i përkas një brezi të talentuar.

Po periudhën si pedagog, si e kujtoni?

Ka pasur disa gjëra në atë kohë që ja vlen të përmenden, sepse është menduar për forcën artistike dhe vazhdimësinë. Kam qenë shumë i ri, rreth 22 vjeç, kur më kërkuan si ndihmës asistent për dy vjet dhe më pas më dhanë edhe një klasë. Unë kam pasur prej tetë vjetësh një klasë baleti me djem, si Kledi Kadiun apo Astrit Zejnatin, që sot kanë bërë karrierë në balet. Këtë gjë po mundohem që ta transmetoj edhe këtu, sa të mundem. Tashmë kemi dy baletmaestra, Alisa Gjonin dhe Rovena Shqevin, kështu që të paktën këtë gjë po e bëj, ka qenë më parë, por ndodh dhe në botë; sepse duhet të mendosh për rigjenerim të forcave artistike, por dhe të pedagogjisë. Për këtë jam shumë i kënaqur, sepse teatri stimulon jo vetëm interpretët, por edhe krijuesit.

24 vjet jashtë vendit, Zagreb, çmime pa fund, por çfarë të ka mbetur prej kësaj eksperience?

Më mbetet ajo që, unë u ballafaqova me një botë që ne nuk e kishim fare. Ka qenë një torturë e madhe!

Torturë?!

Psikike. Unë isha një emër këtu, me skenën isha i njohur, por shkova atje dhe isha thjesht Ilir Kerni. Megjithatë kjo është një kalitje, që i duhet çdokujt për të parë veten krejtësisht në zero dhe pse ke ke bërë një karrierë diku. Natyrisht që, me shumë vullnet dhe pasion, me shumë ulje dhe ngritje shpirtërisht, ja dola. Ja dola, sepse arti i baletit atje nuk ishte vetëm ai klasik, por edhe ai kontemporan. Kësaj gjëje duhet që t’i dedikohesha plotësisht, por ja dola, si në repertorin klasik dhe atë kontemporan. Edhe tani e kuptoj se, artisti është më i plotësuar me të dyja.

Përse u thatë jo, 25 vjetëve jashtë vendit? Ka një motiv kthimi juaj?

Është ekzaktësisht kështu. Motivi që u ktheva? Vërtet është një detyrë që nuk ka shumë lidhje me atë që unë kam bërë gjatë gjithë jetës, por nuk duhet harruar se unë e njoh fare mirë se si funksionon teatri, sepse kam 40 vjet. Vitet e fundit në Zagreb, gati në 20 vjet, janë të së njëjtës formë. Funksionimin e teatrit e njoh fare mirë, tre sektorë janë këtu, tre sektorë janë atje. I vetmi ndryshim është që kushtet atje janë jashtëzakonisht shumë të mira dhe stafi është rreth 560 veta, në të gjithë teatrin. Por është e njëjta strukturë që kam bërë edhe unë këtu, qoftë me ndryshimin e organigramës, ku kam vendosur drejtoritë; të ansamblit, operës, produksionit. Edhe pse kam qenë artist i skenës dhe baletmaestër i trupës nacionale prej 74 vetash, mënyrën e menaxhimit e njoh shumë mirë. Për mua nuk është se po shkoja drejt një të panjohure, sepse këtë teatër e njoh shumë mirë.

Nuk po shkonit drejt së panjohurës, por çdo gjë duhet ta nisnit nga zeroja, që nga riorganizimi i anës administrative…

Kjo po, sepse po të them se më dhembte ky teatër, më ka dhembur gjithmonë degradimi i tij, nuk gaboj po ta them. Është një paradoks i madh, kur mendon se ky teatër është bërë 60 vjet më parë, me njerëz që janë shkolluar jashtë dhe janë kthyer për të ndërtuar teatrin nga hiçi, nga asgjëja. Por, pas një eksperience të madhe, pas një kalimi brezash të jashtëzakonshëm vjen koha e degradimit, që është periudha e tranzicionit. Kjo ështëe palejueshme, sepse duke parë këtë periudhë tranzicioni, mund të shikoje dy fenomene të çuditshme; një teatër që degradon dhe një pjesë artistësh që lulëzojnë jashtë. Teatri shkonte gjithnjë dhe më poshtë, edhe këta rriteshin gjithmonë edhe më shumë. Kaluan 22-23 vjet, prandaj duhej marrë kjo nismë. Erdhi momenti i dëshirës për ta stopuar këtë fenomen, për mendimin tim.

Çfarë ju mungon nga Zagrebi?

Gjithçka. Atje kthehem herë pas here.

Si baletmaestër apo balerin a ka ndonjë rol që keni dëshirë ta vini në skenë?

Nuk bëj pjesë te këta artistë. Unë jam pak atipik. Unë me shumë pasion, këmbëngulje dhe dashuri kam bërë jetën e skenës, që është nga më të gjatat e artistëve tanë, por edhe në botë. Me aq pasion, dashuri kam punuar edhe si baletmaestër, por duke harruar komplet se çfarë kam bërë, edhe me aq pasion dhe dashuri po bëj këtë punë, duke harruar se çfarë kam qenë, totalisht. Jam natyrë e tillë! Kur thashë se jam atipik, nënkuptoj atë se çfarë është artisti. Artisti është një qenie ekzistenciale, egocentrike. Ky egocentrizëm të ndihmon që të ecësh përpara, sepse është ambicia, egoja, por nga ana tjetër nëse nuk ka balancë nis edhe bëhet problem për artistin. Ka artistë që s’dinë të përfundojnë karrierën e tyre me logjikë, s’dinë të menaxhojnë veten. Në këtë kuptim unë kam pasur fat që jam kjo natyrë, por kam përshtypjen që, nëse je njeri që kërkon të japësh dashuri, kjo zgjidh shumë probleme, sepse në përgjithësi artisti egocentrik kërkon që të marrë dashuri. Këtë natyrë e kam shfaqur edhe këtu. Filozofikisht unë nuk mendoj se teatri duhet të përfaqësohet nga drejtori, intendenti dhe pastaj të tjerët. Jo! Janë të gjithë artistët pikat e forta të teatrit, ka në administratë njerëz që punojnë pa fund, por s’duken. Jam munduar që të jap dashuri. Përse erdhën të gjithë artistët nga ishin?! Sepse e ndiejnë këtë lloj dashurie, jo egocentrizmi. A keni parë që këtë ta shfrytëzoj vetëm për vete? Jo! Ju shihni vetëm teatër. Kjo nuk bëhet instiktivisht, por është filozofia ime. Është totalisht sikurse them. Më duhet që të gjithë të ndihen energjia e këtij teatri, unë vetëm të jap energji nga poshtë. Për çfarë kisha nevojë unë? Për status, famë?! Për asnjërën nga këto, se unë të gjitha i kisha. Madje, nuk jam ulur asnjëherë ne karrigen e drejtorit.

Pse?

Nuk më pëlqen, sepse nuk ndihem drejtor i njerëzve. Unë kam dëshirë që të jem frymëzuesi për njerëzit që duan ta bëjnë teatrin.

A ka një emër të madh që nuk e keni sjellë ende nëTKOB?

Ka shumë, por nga emrat e mëdhenj Saimiri ishte i fundit.

Mendoni se keni arritur që këtë frymë ta shpërndanit dhe tek ata me të cilët punoni përditë?

Patjetër, jam munduar shumë që ta duam njëri-tjetrin, por duke dashur vetëm teatrin. Unë jam dakord që si artist të fitojë, vlerësohet dhe evidentohet më i miri, sepse e dua teatrin, nuk mund ta mbaj peng për egocentrizmin tim. Duke qenë se, të gjithë duhet të punojmë për teatrin, atëherë duhet që t’i japim tjetrit atë që meriton.

Gjatë këtij udhëtimi mbështetjen më të madhe e keni pasur nga bashkëshortja juaj, Dori…                                  

Absolutisht po. Dori qëkur kemi qenë të rinj është pranë meje, nuk ka gjë që të mos jetë ndarë me të, apo të mos ketë qenë e pranishme. Shiko, unë kam një bashkëudhëtare që ndoshta s’e meritoj, por që kam pasur fat.

Duket sikur ndiheni në faj, mendoni se më tepër keni marrë prej saj?

Po, po padiskutim. Deri në sekondën e fundit, jam në borxh, në faj, sepse edhe kthimi im është jo për dëshirën e saj, por sepse duhet të ishte pranë meje. Patjetër që e kemi diskutuar këtë, edhe kemi rënë dakord, por, ajo erdhi si pasojë e imja.

Somario

“Dori qëkur kemi qenë të rinj është pranë meje, nuk ka gjë që të mos jetë ndarë me të, apo të mos ketë qenë e pranishme. Unë kam një bashkëudhëtare që ndoshta s’e meritoj, por që kam pasur fat”

“Nuk jam ulur asnjëherë ne karrigen e drejtorit. Nuk më pëlqen, sepse nuk ndihem drejtor i njerëzve. Unë kam dëshirë që të jem frymëzuesi për njerëzit që duan ta bëjnë teatrin”

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF