KreuArt

Amfiteatri i Durrësit, pret muzat e artit

Starton sot në Amfiteatrin e Durrësit festivali “Verë në Epidamn-Festivali i Muzave të artit”, i cili do të vazhdojë deri në datën 20 gusht. Ky festival do të mbledhë artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj, duke sjellë në skenën e amfiteatrit një larmishmëri veprash në gjini të ndryshme. Premiera, shfaqje teatrore, filma të ndryshëm, modë dhe muzikë do të krijojnë në amfiteatrin e Durrësit atmosferën e munguar në këtë sezon. “Ky event përmbledh shumë gjini të artit si filmi, teatri, fotografia, vallëzimi, baleti dhe moda, të gjitha do të prezantohen në 9 netë për muzat e artit, ndaj e quajtëm Festivali i Muzave të Artit”, ka treguar drejtoresha artistike e festivalit, Driada Dervishi.
Ky festival, do të mbledhë artistë të njohur shqiptare brenda dhe jashtë vendit, duke premtuar të përcjellë në skenën e amfiteatrit një larmi veprash në gjini të ndryshme. Ai është një festival, që bën bashkë premiera dhe shfaqje teatrore, filma të ndryshëm, muzikë dhe modë.
Komedia serioze “Doktor Shuster” vjen nga trupa e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës dhe me regji të Qëndrim Rijanit, e cila edhe do të çelë natën e parë të festivalit. Në datën 7 gusht do të ngjitet në skenën e amfiteatrit “MozArt Coctail”, një mbrëmje muzikore me kompozimet më të njohura të Volfgang Amadeus Mozart, event i cili vjen në vitin e 260-të të lindjes së tij. Kjo shfaqje do të shoqërohet me kostume të dizenjuara nga stilistja e njohur, Enada At’Nikolla, të cilat do të jenë edhe kostumet e artistëve.
Ideja e kësaj mbrëmjeje muzikore është konceptuar nga regjisorja Driada Dervishi, ku do të këndojnë sopranot Arlinda Morava dhe Sindi Mamaqi, shoqëruar në flaut nga Daorsa Dervishi, në violinçel Blerina Durmishaj, në piano nga Klejda Tare dhe Neti Xhakosi, me pjesëmarrjen e aktorëve Aishe Stari, Adelina Muça, Alesia Xhemalaj, Aurora Qazimi, Arjola Basho, ndërsa koreografia është realizuar nga Elton Cefaj, me balerinë Akreoma Saliu dhe përzgjedhje muzikore e ide nga Metila Dervishi.
Ndërkohë aktivitetet artistike të përcaktuara në kalendarin e këtij eventi do të vazhdojnë në 11 gusht me vënien në skenë të komedisë “Një jetë me ty”, me autorë dhe regjisorë Erion Kame.
Në datat 12, 13 dhe 14 gusht do të vendoset në skenë komedia e Plautit “Binjakët”, që vjen si premierë e teatrit të qytetit të Durrësit, “Aleksandër Moisiu” me regji të Driada Dervishit.
Në 16 gusht do të vijë cikli “Muzat e Epidamnit”, i realizuar nga regjisorja Adelina Muça.
Brenda natyrës së këtij festivali, pritet të shfaqet në galerinë e amfiteatrit, filmi “Epidamn”, disa filma të shkurtër dhe dy dokumentarët “Buka” me skenar e regji të Blerta Kelmendit, “Ana” me skenar dhe regji të Arjola Daja, “Mëngë këmishe”, me skenar e regji të Suela Bakos, “Humanisti i heshtur”, shfaqet premierë me skenar e regji të Merita Çoçolit, “Dinastia Tedeschini”, me skenar të Rovena Rrozhani, Vali Qyrfyci dhe regji të Anila Varfit.
Më 20 gusht, ditën e fundit të eventit, në hyrjen e Amfiteatrit për të sensibilizuar, por dhe për të parë punë unike në fotografi, të përfshira në publikime ndërkombëtare, – do të hapet ekspozita fotografike e artistes Soela Zani, në bashkëpunim me “Down Syndrome Albania”, në titullin “Edhe unë jam një vepër arti”.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF