KreuFashion

Përmeti përtej imagjinatës…

Nga Olsi Kolami
Foto: Roland Tasho

Përmes gjithnajës se klorofiltë dallon sythet vjollcë të bajames dhe vishnjën e qershive. Gurë të murrmë si pleq të kërrusur mijëravjeçarë ngrihen rrëzë gurgullimës së përroit gjarpëronjës që zbret teposhtë me vrik, ndërsa përmbi, shtëpi qindravjeçare ‘lëngojnë’ mungesën e përkujdesjes. Nuk kanë shkëlqimin e dikurshëm, e gjithsesi nuk e fshehin se janë po aq krenarë sa asokohe, kur gëlonin nga dasmat dhe mezi merrnin frymë nga dasmorët, përkëdheleshin nga hapat e të vegjëlve mbi dyshemetë e drunjtë, nuset këmbëshpejta e llërëpërveshura, kur ndiheshin krenare nga gjëmimi i valles e këngëve me klarinetë në odën e burrave.

Në mes të fshatit dallon kambanaren e kishës, fshehur pas qiparisave që tentojnë të puthin qiellin. Janë ende aty, sikur duan të sfidojnë çdo besim, e për më tepër, arkitektura unike është një model që nuk duhet humbur nga cilido udhëtar që kalon pari ose jo, mes rrugëve ende të pashkelura nga makinat, ku mungon asfalti modern dhe guriçkat e vogla i ndien të rrëshqasin nën shuallin e këpucës.

Përmetarët e mbetur, ata besnikët e përbetuar, të fundit “të padorëzuar” para tundimit të dritave të metropolit, respektojnë ritualet e kamotshme: burrat pjekin rakinë me zë të Përmetit, ndërsa gratë po boshatisin qypat e glikosë që ëmbëlson të vegjël e të rritur të cilët bujtin në fshat. Malësia e butë e Përmetit është ende pranverë e freskët edhe pse jemi në qershor, sepse aty fryn Veriu në Verë, siç thotë Naimi. Në këtë rrugëtim të sugjeruar nga fotografi Roland Tasho, jo vetëm përmes fokusit të aparatit fotografik, BORDO zbulon se ky vend, që në memorien poetike të Naim Frashërit vjen përmes bregoreve bukuroshe, ngjan i paprekur nga motet, njësoj si asokohe, pak para se rilindësi të ikte nga Frashëri drejt Janinës, e më pas drejt Stambollit ku dha frymën e fundit. Ai nuk u kthye më në Frashër, por kujtimet e vegjëlisë ishin aq tronditëse për memorien e një fëmije, sa përveçse i takonte përnatë në ëndrra, vende e vasha, barinj e zakone, i gdhendi freskët në poemën “Bagëti e Bujqësi”.

“Përmeti është një nga dashuritë e mia. U ktheva sërish në Përmet pas një ftese që m’u bë nga Bashkia e qytetit dhe CESV. Kishin nisur një projekt për kthimin e disa shtëpive në banesa pritëse për turistët. Kisha qenë edhe më parë aty, ndaj mezi prita të thithja sërish oksigjen e atyre vendeve që më frymëzojnë sa herë vendos të shkoj sërish”, – rrëfen Roland Tasho. Përjetimet e tij për vendet e panjohura janë të ‘gdhendura’ në celuloid, ndaj fotografi nuk mund të mos kthehej sërish për të parë sesi strehët e banorëve të zonës që e kishin pritur, ishin transformuar në shtëpi pritjeje për dhjetëra njerëz, të cilëve fill pas kthimit në Tiranë u kishte rrëfyer për bukuritë e Përmetit dhe mundësitë e një fundjave të paharruar që mund të kalonin mes mikpritjes, bukurisë dhe gatimeve vendase.

Projekti, një financim i CESV, ka si qëllim ringritjen dhe formatimin e shtëpive të banorëve në bujtina të vogla, si një mundësi për të kaluar qoftë një natë në Malësinë e Përmetit.

“Fshatrat e Përmetit janë të habitshme. Më ka ngelur në mendjen Ogduna. Për të hyrë aty, të duket vetja sikur je kthyer pas në kohë, njëlloj si para 1 mijë vjetësh. Rruga është e tillë, që duhet të kalosh një masiv shkëmbor si portë hyrëse në fshat. E pasi ke hyrë aty, çdo gjë ngjan si një muze. Shtëpitë ngrihen mbi shkëmb, e teposhtë një përrua. Kishat tipike me oborr dhe 365 qiparisa që simbolizojnë çdo ditë të vitit. Aty takon njerëz të mrekullueshëm”.

Nuk e fsheh keqardhjen teksa kujton disa shtëpi të kthyera në grumbull gurësh që lëngojnë nga pesha e kohës, por qëndrojnë ende krenare mbërthyer mbi shkëmb, sikur duan të rrëfejnë ende ndonjë histori të pathënë për ata pak vizitorë që kuriozohen për historinë dhe bukuritë e fshatrave të Përmetit.

Arkitektura e banesave të fshatit është hijerëndë; çati të përhirta pllakash të kafshuara nga motet, kryesisht me 2 kate e mbi: gjysmëkat i parë dhe i nëndheshëm ku mbaheshin zahiretë e dimrit, e pas shkallares vertikale, hyn drejt në odën e miqve, aty ku dikur pritej miku me dollinë e parë dhe mishin e pjekur mbi hell e prush Frashëri. Nuk ka dyshim që një grusht shtëpish të mbetura reflektojnë qartazi se kanë pasur histori e pronarë fisnikët e vendit. Bejlerët namuzqarë shijonin mëngjeseve mbi parvazin e ballkonit kafen turke të ardhur enkas nga Stambolli, ndërsa pa zënë ende zhegu, të ndjekur nga shegertët  përcëlluar nga dielli dhe zagarët e gjahut, kalëronin  serbes-serbes me llullën në buzë, duke çarë përmes të mbjellave, ku hyzmeqarët, përmes dylbive varur në qafë, ngjanin si koloni të vogla milingonash. “Shtëpitë e mëdha janë ato të parisë së fshatit. Edhe pse të lëna pas dore, aty ndihet arkitektura e fisme, që nga punimet e gurit, e deri tek dyert dhe dhomat e mëdha të pritjes së miqve ku spikatin punimet e drurit”. Në këtë udhëtim të Tashos, ai nuk harron të ndjekë vëmendshëm nikoqiret vendase që vrapojnë të përgatisin ushqimet tipike për miqtë e ardhur nga qyteti, ndërsa burrat të ofrojnë me krenari gotën e vogël të rakisë, që tregon sa e vyer është kjo pije; ajo, siç thonë ‘vendëthit e bekuar’, është për të respektuar mikun.

Disa prej shtëpive në fshatrat Bual, Leuzë, Ogdunë dhe Gostivisht, kanë marrë formën e tyre të dikurshme, që nga arkitektura e jashtme, e deri tek arredimi me qilima dhe druri i gdhendur me dorë, sëndukët mbuluar me ornamente të leshta shumëngjyrëshe apo oxhaku në krye të odës, edhe pse tek-tuk mungon minderi rrafsh me dyshemenë. Banorët janë përpjekur të ruajnë disa detaje të së shkuarës, por nuk harrojnë se turistët zevzekë të qytetit duan komoditetin, ndaj nuk kanë kursyer arredimin modern. Është thuajse e habitshme kur sheh sesi vendosja e këtyre banesave është thuajse identike: pozicionohet mbi shkëmbinj, ndërsa poshtë, përroi rrjedh me zhurmë. Në shtëpitë pritëse mund të kalosh ditë të freskëta verore, ushqim bio dhe një mikpritje tipike përmetare. Makina për t’u ngjitur nëpër fshatrat, distanca e të cilave është pak kilometra nga qyteti, duhet të jetë doemos e lartë. Çmimet e bujtinave janë joshëse, ushqimet sado të rënda qofshin, si gjalpi dhe djathi i freskët, ‘shkrihen’ nga uji në bucela, mbushur në krua. “Te portretet e ndien mirësinë e njerëzve. Ata e bëjnë Përmetin. I japin me mikpritjen e tyre një tjetër pamje, një tjetër frymë gjithë krahinës. Tek ata buron çdo ditë shpresa. Edhe pse shtëpitë pritëse tani sapo kanë nisur të vizitohen, ata janë të kënaqur që interesi për të shkuar në zonat e tyre është zgjuar”, – rrëfen Roland Tasho. Ndoshta shpresa është i vetmi ‘ushqim’ që mban gjallë përmetarët e mbetur mes malesh, aty ku kanë hedhur ‘farën’ të parët e tyre. Ogdunas a frashërllinj, e dinë se brenda pak vitesh aty do të ketë njerëz që do t’u ngjiten malit për të prekur atë zonë thuajse të paprekur nga ‘rrëmuja dhe rrëmeti’ i qytetit, t’u merren mendtë duke parë lisat e gjatë, apo të magjepsen nga lumenjtë e kulluar që duket sikur kanë ngecur veç në faqe të zverdhura librash. Edhe pse janë të bindur se madhështia dhe shkëlqimi i dikurshëm nuk do të kalojë më në ato anë, përmetarët nuk e fshehin se ruajnë ende vlera që askush nuk i zotëron, ndaj kanë vendosur t’i trashëgojnë dhe t’ua tregojnë vizitorëve.

Aty, zhurma e motorit të makinës është e rrallë. Mund të dëgjosh ndonjë gjel apo piskamën e gjinkallave, gurgullimën e ujëvarave të vogla mes kanioneve që prishin qetësinë, vendi që ndoshta deri tani ka zgjuar më shumë se çdo gjë tjetër kërshërinë e turistëve të ardhur prej së largu. Drekën mund ta shijosh në një livadh me gjelbërim marramendës, ku glikoja e ëmbël dhe mishi i pjekur të fton të ulesh vendçe, siç ja thonë në këto anë, me një peizazh thuajse ekzotik. Në një bregore të pyllit të Hotovës ndal frymë para pishave gjatoshe, dhe hijeve të bajameve barinjtë çlodhen duke dredhur cigaren me duart e rreshkura, ndërsa të vegjlit kacavirren mbi kumbulla teksa shtrembërojnë turiçkat e njoma nga thartësira e të pabërës. Në Bënjë, banjat me zë për ujërat termale të ftojnë për një pllaquritje të shëndetshme në mes të një SPA-je krejt natyrale.

Por, nuk është vetëm ky Përmeti, ka edhe shumë për të zbuluar nëse vendosni të ngjiteni në një malësi të butë kodrinore, ku asgjë nuk mund t’ju dhurojë një eksperiencë vërtetë unike. Sepse përveç mikpritjes gjenetike, fshatrat dhe ‘vendëthit’ e krahinës së Përmetit, kanë shumë, shumë për të rrëfyer brenda një muzeu natyror dhe historik, i cili ka mbetur i paprekur nga kohërat dhe që të fton të eksplorosh lindjen e diellit të qeshur dhe natën që ngjan si tjetër natë…!

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF