KreuArt

Vendet sekrete të Enada Hoxha

Gjashtë vende, gjashtë emocione, gjashtë rrëfime të pathëna të Enada Hoxhës. Prima-balerina e Teatrit të Operës dhe Baletit vendos të rrëfejë disa nga momentet që e bëjnë të ndihet e qetë, e lumtur, por edhe krenare për karrierën dhe profesionin e saj.

Teatri i Operës dhe Baletit

Kur ishte e vogël, teksa shkonte në shkollë, sodiste nga dritarja e autobusit godinën e TOB-it. “Ëndërroja, kur do të isha dhe unë aty. Sapo hyra për herë të parë, u dashurova me aromën”. Në fund ja doli, jo vetëm të ngjitet në skenë, por të përjetojë 20 vite karrierë si Balerinë e Parë, me role dhe emocione pafund, duke luajtur kryevepra botërore krah artistëve dhe koreografëve botërore. Kremtoi 20-vjetorin me ‘Fedra’, por “La Traviatta” mbetet një nga dashuritë e saj.

‘Soure Carmelitane’

As që do ta kishte menduar se ky vend do të ndikonte aq fort në jetën dhe karrierën e saj. “Isha 17 vjeçe. Aty e kuptova që më pëlqente vetmia, por edhe rregulli dhe atmosfera që mbizotëronte në atë vend. U lidha me njerëz që nuk mendoja se mund të isha miqësuar. Mësova sesi të punoja dhe t’u shërbeja të tjerëve”. E mbi gjithçka, nga ky vend nuk mund të harrojë Nona Ferrari, gruan e parë femër e cila i ka dhënë makinës në Itali, një grua që e ka frymëzuar fort balerinën shqiptare.

Teatri i Cannes

Qyteti i rivierës franceze nuk ka sesi të mbetet jashtë listës së preferencave të Enada Hoxhës. “Një emocion i madh të isha midis yjeve të baletit dhe skenës botërore”, – rrëfen Enada, e cila do të hapte shfaqjen me koreografinë e saj në një vend që e lakmon dhe ëndërron çdo artist. Kinemaja e famshme, veranda e magjishme me pamje nga deti, mbeten të pashlyera në kujtesë, por qershia mbi tortë është çmimi ‘Etoile de Balet 2000”, vlerësimi më i lartë që jepet për balerinët në botë.

 

Familja

Nuk do ta besonit, por Enada është një natyrë që i pëlqen të qëndrojë vetëm në shtëpi, saktësisht në dhomën 300, siç e quan bashkëshorti i saj Gerd Vaso. Shpesh mbyllet aty dhe do të qëndrojë në errësirë. “Pikërisht aty fillojnë meditimet, aty nisin krijimet e mia, aty nis e bashkëbisedoj me veten për shumë gjëra. Shtëpia është një vend që nuk e ndryshoj me asgjë”. Kjo strehë e ngrohtë është familja e Enadës: djali, bashkëshorti me dhe prindërit e tij, por edhe familja e vajzërisë.

Teatri Romano Lecce

Ky është qyteti ku e ftojnë më shpesh se kudo tjetër për të debutuar, madje së fundmi krah Carla Fracci duke kërcyer në amfiteatrin antik baletin ‘Fedra’, me të cilën kremtoi 20 vite karrierë. “Është ndjesi e jashtëzakonshme kur kërcen në natyrë, je në kontakt me ajrin. Kërcen me erën teksa ndjen flladin e ngrohtë që valëvit fustanin, të kalon nëpër flokë, të jep ndjesi që i transmetoj direkt te publiku. Jam e lumtur që vizitoj një vend ku do të kthehesha çdo ditë me kënaqësi”.

 

Padre Pio

Edhe pse është rritur në një familje ateiste, ajo ka besuar. Të dielave në Itali shkonte në kisha dhe lutej sipas mënyrës së saj, derisa jeta i ndryshoi kryekëput. Mban mend kur shkoi për të kuruar gjurin në Itali, sapo doli nga narkoza para syve ju shfaq ikona e Padre Pio, që një infermiere mbante në duar. “Pas asaj dite nisa të lexoj më shumë për Padre Pio. Vizitova San Giovanni Rotondo, një qendër turistike ku ndodhet shtëpia e shenjtorit dhe ku kam lënë një foto time”.

 

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF