Artan Shabani, një jetë plot stil! 0 148

Nga Stela Mako
Foto: Fani Aliko
E njohim si piktorin shqiptar me famë botërore për sukseset e arritjet dhe që prej dy vjetësh, në postin e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Por ajo që të kuriozon akoma më shumë për Artan Shabanin është stili i tij unik, i pangatërrueshëm në çdo gjë që bën dhe përfaqëson. Elegant, sharmant, por edhe ekstravagant, dashuron lirinë, por pa harruar kodet, jeton të tashmen dhe kujton aq bukur të kaluarën, nga një ushtrues i arteve marciale, sot më shumë një eksplorator i natyrës shqiptare “surprizë”, siç e quan ai. Artani shpalos një hartë thesaresh, me koordinatat që i di vetëm ai. Artisti, i cili përveç artit që pikturon jetën e tij, ofron një enciklopedi të vërtetë e të pasur nga përjetimet, ndjesitë dhe vëzhgimet.

Shabani, keni jetuar plot 20 vjet jashtë Shqipërisë, më shumë në Itali. Sa ka ndikuar kultura italiane në stilin tuaj të jetesës?

100%. Torino është kryeqytet i politikës italiane, i aristokracisë italiane. Është një qytet elegant; ku njerëzit nuk kërkojnë domosdoshmërisht të demonstrojnë. Karakteri piemontez është karakter i rezervuar, ka një qëndrim të ekuilibruar, nuk e vë tjetrin në vështirësi, madje ata nuk pyesin kurrë. Janë ekstremisht elegantë, miqësia prej vitesh, por sidomos dhe jeta profesionale, më kanë dhënë mundësinë të jem afër tyre dhe t’i njoh kaq mirë. Kam pasur fatin e madh të jetoj plot 12 vjet në pjesën aristokrate të qytetit, në kodrën Collina, duke qenë afër familjes së avokatit Giovanni Agnelli dhe Villa Somis, të famshme në Torino. Po ashtu, pata rastin të bashkëpunoja dhe të punoja me galeri të artit, me muzeume, me koleksionistë të rëndësishëm, duke filluar nga familja Agnelli, Gribaudo, Giraudo, Kodrino apo edhe nga Federico Cerutti, një nga koleksionistët më të mëdhenj në botë etj. Pra, kam jetuar në një qytet që në bazë ka njohjen e kulturës. Një torinez nuk e percepton dot jetën pa blerë Torino Sette-La Stampa, që njofton për jetën kulturore në qytet; mbrëmjet e filozofisë, teatrit, kinemasë, inaugurimet e ekspozitave dhe muzeumeve. Çdo torinez nuk mund ta konceptojë ditën e tij pa e pasuruar qoftë edhe me 30 minuta aktivitet kulturor. Shoqëria ndahet në rrethe kulturore dhe shoqata të ndryshme. Unë isha pjesë e disa prej tyre, si shoqata “Promovuesit e Arteve të Bukura” dhe ambienteve të tjera edhe me qendër në Torino, Gjenevë, Francë etj. Pra, shoqëria selektohet, ashtu si selektohet edhe këtu në Tiranë një grup miqsh dhe rreth që kanë atë lokalin apo restorantet e tyre. Por ajo që këtu mungon dhe nuk e gjej është se, “nuk ftohen miqtë në shtëpi, por në restorant”. Unë, kur dua ta respektoj dikë, dua t’i jap një pjesë të intimitetit, të vetes time, t’i shfaq muret e shtëpisë time, bibliotekën, pikturat, t’i tregoj koleksionin; duke i shprehur konfidencialitet dhe më shumë nga vetja. E konsideroj si një mirësi dhe shenjë miqësie.

Jeni shprehur që ngjyrat janë personale, cilat janë ato që ‘pikturojnë’ veshjen tuaj?

Ngjyrat ekzistojnë, nuk i bëjnë njerëzit. Ekzistojnë në natyrë, në skuqjet e gjetheve, zverdhjen, në lindjen e luleve, tek flutura apo në det. Gjithçka që na rrethon e prekim, është ngjyrë dhe nuk janë monokron, bardh e zi. Ekziston një pafundësi koloriti. Ngjyra krijon marrëdhënie, si germat, fjala, ushqimi, gjithçka artikulohet dhe ka limfën e vet. Si ndjehem, vishem. Veshja është pjesë e personalitetit. Është pjesë emocionale e njeriut, por pa përjashtuar kodin etik, në varësi të vendit ku punon apo kohës. Nuk mund të vishesh njësoj në mëngjes dhe në mbrëmje. Për mua ka dy lloje veshjesh; veshje inteligjente; ku njerëzit dinë të njohin cohën, përmbajtjen dhe çfarë përshtatet për lëkurën e tyre dhe stinën; si dhe veshja që zgjidhet thjesht estetikisht e bukur, të të kënaqë syrin, moderne. Pra, veshja në këndvështrimin tim është si ushqimi: duhet njohur. Një sy inteligjent duhet ta njohë.

Miq tuaj më kanë rrëfyer se jeni i apasionuar pas shamive dhe shalleve. Ndoshta duken paksa klasike, por si ka lindur kjo ‘dashuri’ tek ju? Sa shami keni në gardërobë?

Po, është e vërtetë. Në Napoli gjen rrobaqepësit më të mirë në botë që i prodhojnë, tek të cilët kam blerë pjesërisht disa prej shalleve dhe ‘poche’-ve. Së fundmi, kam gjetur disa ‘poche’ të bukura të firmës “Tino Cosmo” në Veneto dhe nga E.Marinella e Napolit, ku gjithashtu gjen ‘poche’ dhe kravata të bukura. Për mua, zgjedhja e tyre është një ndjesi. Njeriut i pëlqen një kornizë e bukur, një pikturë e bukur, i pëlqen edhe një kostum i bukur. P.sh., kostumi i fundit që kam bërë është një kostum i qepur me copën Principe di Galles, në ngjyrë gri dhe për herë të parë e vesha në ceremoninë madhështore që organizoi Princ Leka për traditën e kapeleve në shoqërinë dhe kulturën shqiptare. Kapelet janë një detaj shumë i bukur dhe që më pëlqejnë t’i shoh si tek femrat, edhe tek meshkujt.

Sa i rëndësishëm është stili për ju? Po tek një mashkull, çfarë përbën stil?

Eleganca dhe ekstravaganca janë ato që i rrinë bukur dhe përkufizojnë për mua stilin, por dhe stilin tek një mashkull. Për shembull, Lapo Elkann, nipi i G.Agnelli, është një ndër njerëzit më elegantë në botë, në mënyrë të padiskutueshme. Po ai është elegant sepse është ekstravagant, ka një ekstravagancë që i shkon, dhe kjo sepse ai mundet. Veshja e duhur ndryshon nga vendi, kultura, mosha dhe koha. Ajo që kam venë re në Shqipëri është se ka njerëz të bukur, femra të bukura, meshkuj elegantë. Personalisht, sipas opinionit tim, njeriu më elegant këtu është Edi Rama. Po nuk është elegant sepse është kryeministër, nuk duhet ngatërruar nga pozicioni politik. Nuk është elegant se u bë dje, por sepse ka një sjellje, qëndrim; ka një ekstravagancë që i shkon, i rri bukur. Ka një kapriço, sepse ai mundet ta bëjë, mund ta kombinojë dhe mbi të gjitha, nuk ka një raport inferior apo pasigurie se kush është. Kam njohur njerëz që flasin mbi 8 gjuhë të huaja, numërojnë sa e sa shkolla e diploma, miliona e miliarda në llogari, por u mungon stili, përveçse një gusto masive e demonstrimit të asaj që kanë sepse nuk kanë pasur. Pra, stili është i rëndësishëm; stili në çift, tek individi, stili në arredim. Njeriu duhet të personalizojë, të fusë në gjërat pjesë të vetes apo gjërat jashtë vetes, t’i bëjë pjesë të saj.

Stili juaj në veshje luhatet nga kostumet e rafinuara te pantallonat xhins, kombinuar me xhaketa: ku e gjeni veten më shumë?

Mendoj se me një palë pantallona xhins ti mund të jesh gjithkund, por janë disa sekrete tek një mashkull. E para është xhaketa. Xhaketa të jep prezencë, të “justifikon”. Është si një shall i bukur tek një femër apo një çantë e kuruar. Xhaketa mund të shoqërohet me xhins apo edhe me pantallona të shkurtra apo me sandale. Të lejon dhe mund ta kombinosh me çdo gjë, por gjithçka duhet të ketë një tingull, edhe sipas sezonit, sipas dritës, sipas momentit dhe okazionit.

Mua më pëlqen Loro Piana, një emër, një firmë që ka edhe një histori. Të njohësh Loro Piana, e cila është një dinasti, duhet të njohësh provincën e Biellës, Fondacionin Pistoletto, të njohësh Pistoletto duhet të njohësh Piemontin, historinë, lumin. Pra, sekreti është tek uji, tek leshi që vjen nga Peruja, apo në kohën që ti e merr. Pikërisht këtu është lehtësia, pastërtia, bukuria e një cope; ajo është vepër arti. Vepër tjetër arti është ai njeri që e merr në dorë dhe gjendja e tij për ta sjellë në formë, në model. Sepse një rrobaqepës nuk mund të qepë 2 herë në të njëjtën mënyrë apo një piktor nuk mund ta pikturojë dy herë njësoj. Por ai duhet të jetë i frymëzuar nga klienti, nga ai që do ta veshë atë copë. Kam zbuluar në Shqipëri disa rrobaqepës shumë të mirë, sepse absolutisht unë i besoj një artizani për veshjet e mia, por duke e personalizuar sipas shijeve të mia.

Si i keni raportet me blerjet: për çfarë shpenzoni më shumë, cilat janë blerjet e fundit?

Në të vërtetë nuk pasur shumë kohë të shpenzoj për ‘shoping’, por nga blerjet e fundit do të veçoja 40 vizatime dhe një pikturë në vaj, pasi pak miq e dinë, por unë jam një koleksionist arti i “tërbuar” (qesh). Ndërsa për gardërobën, blerjet e fundit kanë qenë dy palë pantallona lino tek një rrobaqepës duarartë dhe i jashtëzakonshëm këtu në Tiranë.

Duke këqyrur fotot tuaja, prej shumë vitesh mbani të njëjtin stil flokësh; kjo tregon se nuk i pëlqeni ndryshimet apo ka diçka tjetër?

Më pëlqejnë shumë flokët e mi, edhe pse dikur në Torino, rreth viteve 2004-2005 i pata stiluar shumë shkurt, e sërish i kisha balancuar me mjekrën. Por gjithnjë i kam pasur kështu. Unë nuk eksperimentoj me look-un, me portretin, sepse nuk kërkoj që të tjetërsohem. Mendoj se tjetërsimi apo tatuazhet janë diçka që tregon se ti nuk pranon personalitetin tënd dhe nuk ndihesh mirë ashtu, pra kërkon diçka ndryshe dhe do të shkëputesh nga ai që ke qenë.

Cili është aksesori pa të cilin nuk do të dilnit nga shtëpia?

Nuk do të dilja kurrë nga shtëpia veshur me mëngë të shkurtra, pasi e konsideroj vulgaritet. Kam jetuar 23 vjet në Itali dhe më është vulosur aq fort, sa nuk mund të dal me një këmishë me mëngë të shkurtra në publik. Është më e fortë se unë. Gjithashtu, nuk do të vishja asnjëherë kanotiere poshtë një këmishe të bardhë.

Ruani të njëjtën formë fizike që nga daljet e para mediatike: frekuentoni palestrën apo merreni me ndonjë sport?

E vërteta është se nuk kam kohë të bëj ‘shoping’ apo palestër. Më mungon shumë kjo pjesë. Më pëlqen të eci dhe të eksploroj. Madje, jam shumë “xheloz” për një mikun tim që së fundmi ka vizituar Malin e Çikës (qesh). Jam i bindur se po të kisha kohë më të lirë do të doja të ecja dhe të bëja aikido, arte marciale, të cilat i kam ushtruar dikur në Liguria, Sanremo.

Keni preferenca për autorët apo letërsinë: zgjidhni më shumë prozën apo poezinë?

I parapëlqej të dyja. Lexoj si prozën, edhe poezinë. Por theksoj, që kur kam kohë të lirë. Angazhimi në punë më kushtëzon shumë për hobet, sigurisht përveç koleksionit, për të cilin gjithmonë e gjej kohën. Jam me idenë se një njeri, kur do ta gjejë kohën, gjithmonë me stërmundim, ose duke sakrifikuar, mund t’i dedikohet diçkaje, por edhe kjo kërkon që të jesh gati. Unë e përjetoj me përgjegjësi punën dhe profesionin.

Çfarë muzike mbush kohën tuaj të lirë, di që ajo franceze ka një vend në zemrën tuaj?

Po, është e vërtetë. Gjithashtu, jam i dashuruar me muzikën andaluze. Flamengo është një muzikë e njohur, të karikon dhe të jep një vibrim të fortë emocional, e cila shoqërohet gjithmonë me një aperitiv ose sangria. Pra, patio, gota e sangrisë nën qiellin blu andaluz më kompleton ndjesinë se si ta perceptoj dhe ndiej muzikën, si ta “blej” gjithë këtë bukuri e të bëhem pjesë e saj. Dua të veçoj këtu një Manastir (Chiostro) në pjesën veriore të Mallorca të Spanjës, ku bëhet një festival muzike që e viziton edhe Mbretëresha e Spanjës, e pikërisht në këtë moment, i rrethuar nga të gjithë bukuritë përreth, ti mund të shijosh një flamengo andaluz. Më pëlqen shumë muzika e jugut të Italisë, muzika e thjeshtë, e bërë si vaji i ullirit dhe veçanërisht muzika portugeze me fadon e famshme.

Di që koleksiononi disa shishe vere të vjetër: cilat janë ato dhe me kë do t’i ndanit?

Po, më pëlqen të koleksionoj verën, për historinë që ka ajo tokë, për historinë që mund të ketë ajo kantinë. Kam verë kryesisht nga Braga e Portugalisë, verë italiane, franceze dhe shqiptare, sigurisht. Por është ndryshe të koleksionosh, ndryshe të konsumosh, një gjë tjetër ta shijosh. Preferoj ta ndaj me miqtë e mi. Unë kam parë të rinj në Shqipëri që u pëlqen vera, e jetojnë dhe e shijojnë në mënyrë elegante. Italia ka një histori më të vjetër, Spanja po ndryshe për nga kultura, vjetërsia e kultivimit dhe prodhimit, apo edhe në varësi të provincave. Jam verëdashës dhe jam kurioz t’i provoj të gjitha; nga rosea, të bardhat, të kuqet e forta apo të kuqet e buta. Kam pirë verë shumë të mirë edhe këtu në Tiranë. Nga përvoja ime i qëndroj idesë se edhe prodhimi i verës ka nevojë për kulturë njohjeje, pra secila tokë duhet të bëjë verën e saj me karakteristikat e veçanta dhe të dalluara të zonës. Vera duhet të jetë një ekran, nuk mund të jetë e verbër. Duhet të të japë një imazh, peizazh, të ndjesh kripërat, lagështirën, gusto të shumta të pakapshme, pra një vallëzim që vibron midis shijes e mënyrës se si ti e mban atë gotë dhe si e dëgjon atë ndërkohë që e shijon. Kuzhina që shoqëron verën, gjithashtu është e rëndësishme. Fatmirësisht këtu në Tiranë kam njohur shumë kuzhinierë të talentuar dhe restorante që fare mirë mund të konkurrojnë shijen me ato jashtë vendit, por ende nuk kam gjetur një restorant me një kuzhinë dhe menu pa gluten, një kuzhinë për celiakinë. Unë vetë preferoj një ushqim me sa më pak gluten, por di të them që gjithashtu ka shumë njerëz që për arsye shëndetësore, ju duhet të zgjedhin një dietë për gjithë jetën. Një restorant i tillë do të ishte një ide shumë e mirë.

Shumë artistë shquhen për besimet e tyre. A jeni supersticioz, mbani ndonjë objekt fatsjellës?

Po, patjetër që jam supersticioz. Unë besoj në vendosjen e gjërave, në energjinë që të përçojnë objektet. Besoj në një estetikë, një ndjesi që të jep trupi. Pra, trupi të rrëfen që një objekt të caktuar apo një vazo ta vendosësh në këtë vend dhe jo në një tjetër cep të shtëpisë ku e mbajnë të gjithë. Ti e ndjen kështu, sepse ajo atë të përcjell.

Të qenët piktor ju ka përkëdhelur edhe me mundësi të pafundme udhëtimi nëpër botë. Cilin do të veçonit si te preferuarin dhe më pikantin nga udhëtimet tuaja?

Një ndër udhëtimet më interesante ka qenë ai në Andaluzi, pjesa e Jugut të Spanjës, duke filluar me Seviljen, që është një qytet i jashtëzakonshëm dhe ka një aromë jakarande që shkrihet me blunë e qiellit andaluz, kullat dhe arkitektura seviliane, me atë okrën e fortë potente, e bardha seviliane me gjelbërimin deri në Cádiz, pjesa oqeanike e Andaluzisë. Çdo gjë më tërheq; sheshet, theksi, arkitektura me shtëpitë e bardha andaluziane, gastronomia, shija, aromat, dritat, duke shkuar deri në Granada, me pallatin Alhambra, mendoj një ndër pikat më të bukura në botë, e më pas të shohësh Sierra Nevadën etj. Pra, Andaluzia është një vend që unë e ndiej brenda trupit tim. Po aq bukur është Sicilia me teatrin grek në Taormina, teatrin grek në Sirakuza Ortigia, Catania. E më pas Valle del Barocco, Raguza, Modica, Scicli, ku në mendje kam atë vallëzimin e peshkatarëve për të rrethuar peshkun ton, tharjen e grurit apo të dëgjosh atë muzikën antike pizzicelat apo muzikën siciliane. Udhëtim i jashtëzakonshëm ka qenë udhëtimi në jug të Francës, me vendet si Camargue, Marseille, Avignon, Arles ku në çdo provincë që shkel, ti gjen art, galeri arti, muzeume, zbulon ushqimin e zonës, sapunin apo parfumin e bërë aty, artin, pëlhurat, mbulesat e tavolinës; pra mënyra sesi arredohet jeta. Udhëtim i bukur ka qenë në Normandi, Bretagne, ishujt në veri mes Anglisë dhe Francës, Borgognia (Borgonja) etj. Mbetem i dashuruar me ekstremin mesdhetar, me Spanjën, Francën dhe Italinë.

Çfarë tjetër bëni me po aq përkushtim dhe pasion sa piktura? Cilat janë hobet tuaja?

Për mua, ajo gjë që të pëlqen dhe e bën me pasion, e ke pjesë të qenies tënde, të trupit apo të jetuarit dhe këtu ndalon ta quash hobi. Ushqimi ose gatimi është një gjë që më pëlqen shumë. Madje, po të kisha kohë të lirë do të hapja një restorant, me pak tavolina, ku njerëzit të shijonin gatimin falas ose me ftesa. Më pëlqen të gatuaj, të kompozoj një pjatë apo të eksperimentoj me shijen, pasi edhe këtë e shoh si pjesë të një pikture. Më pëlqen edhe t’i vizatoj kostumet e grave, burrave për pjesën e stilit. Më pëlqen shumë urbanistika, arkitektura, mënyra sesi mund të transformohet një peizazh, çfarë mund të heq, tepricën. E kam të lindur dhe të natyrshme; tek çdo gjë që shoh, automatikisht unë heq tepricën, siç mund të jenë kabllot, fijet, tubat. Pra, për mua estetika ka vlerë, sepse peizazhi është i rëndësishëm dhe duhet mbrojtur, pasi është në fund një vepër arti.

 

 

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *