KreuArt

Dua Lipa në shesh shqiptarëve: Ju dua shumë!

Foto: Fani Aliko

Nga Daljana Sejdia

Ajo është zëri më i kërkuar i momentit. Axhenda e saj shënon koncerte në gjithë Europën dhe Amerikë. Dua Lipa, këngëtarja që admirohet për interpretimin, muzikën e bukur dhe stilin e veçantë ishte në 10 Gusht në Tiranë! Por, jo vetëm kaq. Ajo ndezi sheshin “Nënë Tereza”, ku fansat shqiptarë shoqëruan pas çdo hiti këngëtaren 21-vjeçare. Dritat e telefonave, brohoritjet, ovacionet e publikut ishin një spektakël më vete, teksa Dua, e lindur në Londër në gjuhën e prindërve të saj,  shprehej: “Duhet dikush të më prekë, nuk arrij ta besoj. Po m’i bëni ëndrrat realitet!”
Mbrëmja e djeshme shenjoi padyshim një nga mbrëmjet më emocionuese e më rrënqethëse në koncerit qe u mbajt dje ne Sheshin Nënë Tereza ku performoi zëri me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.
Lajmi për ardhjen e saj ditë më parë, kishte ekzaltuar publikun shqiptar, i cili edhe pse për hir të së vërtetës nuk e ka traditë mbajtjen e koncerteve, mbrëmjen e djeshme ishte mikëpritës dhe entuziast për eventin.
Koncerti nisi në orën 20:00, ashtu siç ishte parashikuar, por Sheshi Nënë Tereza, kish filluar të mbushej më herët, për të gjithë ata që prisnin me padurim të zinin vendet më të mira, për ta parë më nga afër bukuroshen me zë mahnitës nga Kosova.
Hapjen e eventit e bëri grupi muzikor i djemve të rinj për të vazhduar më pas me grupin Janex Duo.
Pavarësisht çdo brohoritje dhe duartrokitje motivuese për performuesit e mëparshëm, të gjithë prisnin me një padurim të frikshëm ardhjen e Dua.
Ora 10:00 ishte momenti kur këngëtarja 21-vjeçare e muzikës pop, e veshur me nje fustan të tejdukshëm të zi, flokë të çrregullt dhe një fytyrë të qeshur u shfaq në skenë. Ovacione, duartrokitje dhe thirrje në emrin e saj dëgjoheshin që në momentin e ‘sound check’ për të vijuar më pas gjatë gjithë performancës së saj. Dua zgjodhi t’i drejtohet publikut në gjuhën shqipe, me një emocion të madh dhe shumë e kënaqur për mbështetjen e të gjithë njerëzve që kishin zgjedhur të ishin në shesh. Ishte një përzierje emocionesh: rrënqethëse, kënaqësie dhe patriotike, tek Dua Lipa dhe i gjithë publiku bënin shenjën e shqiponjës. Këngëtarja vendosi t’a çelte koncertin e saj me këngë të panjohura më parë për publikun, të cilat do të jenë pjesë e albumit të saj, i cili lançohet në shkurt të vitit 2017.
Edhe pse jo të dëgjuara, impakti në publik ishte i madh, të gjithë me telefona ne duar, për të shkrepur foto apo video, si dhe për të gjetur titujt e këngëve të saj. Dua, përveç disa sekondave pushim për të pirë ujë, nuk ndaloi asnjë moment së performuari. Pas çdo publikimi, apo shkarkimi këngësh nga fansat, testi më i mirë i këngëtarëve është padiskutim koncerti ‘live’. Dua Lipa arriti të performonte, kërcente çdo këngë të saj, pa asnjë sforco, vetëm me një buzëqeshje dhe emocione të mëdha, të cilat pas çdo kënge arriti t’i përcillte tek publiku. ‘Duhet dikush të më prekë, nuk arrij ta besoj. Po m’i bëni ëndrrat realitet’,- shprehej ajo në sekondat e pauzës. Koncerti i djeshëm tregoi dhe njëhere jo vetëm aftësitë vokale, të vlerësuara tashmë nga kritika muzikore, por që ishin të evidentueshme edhe nga publiku. Momenti më kulminant i mbrëmjes arriti kur i gjithë sheshi flakëronte nga dritat e telefonave në duar, këndonte bashkë me Dua, hitin e saj ‘Be the One’, si dhe bashkoheshin në sinkron për brohoritje dhe duartrokitje pafund. Qëndrimi në këmbë, në pritje të saj sigurisht që ia vlejti. Publiku shijoi një koncert të vërtetë, emocionues dhe plot pozitivitet. Me një stil të thjeshtë, e dashur me të gjithë ata që kishin ardhur për ta parë, Dua arriti të rrëmbente zemrën e publikut, i cili deri dje e njihte vetëm nëpërmjet Hiteve “Be the One”, “Hotter than Hell”, “New Love” dhe “Last Dance”. E shoqëruar nga banda e saj prej 3 djemsh, pa asnjë ‘back vocal’ ajo arriti të ekzaltonte publikun, i cili kërcente, hidhej dhe shkundej duke kënduar “Hotter than Hell”, apo çdo kënge tjetër me brohorima që kryqëzoheshin dhe krijonin vijën e tyre melodike.
Mbrëmja e djeshme na kujtoi dhe njëherë që jemi krenar që jemi shqiptar, jo vetëm se kemi talente të tilla, por zëra që nuk ngurojnë ta shprehin vetë këtë lloj ndjenje që në fund të ditës na bashkon njëzëri.
Dua, nga ky moment, ti je e preferuara jonë!

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF