Këngëtares shqiptare i vjedhin makinën, pasi ia morën për ta parkuar 0 81

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit burg një 19-vjeçar, të akuzuar për “mashtrimin” e këngëtares shqiptare nga Shkupi, Adelina Tahiri. I riu Aleks Manaj ka shpërdoruar besimin e këngëtares, së cilës i ka ofruar ndihmë për t’i parkuar automjetin e saj “Volkswagen Passat”. Ai e kishte ndihmuar për këtë veprim edhe herë të tjera, por këtë radhë, pasi ka hipur në makinë, Manaj është larguar me shpejtësi. Ai u ndalua nga policia pa mundur të largohet nga kryeqyteti. Pas ndalimit rezultoi se Manaj nuk kishte patentë për drejtim mjeti. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ishBllokut në Tiranë në mars të këtij viti, kohë kur këngëtarja ishte e angazhuar në një spektakël televiziv në Shqipëri. Gjykimi i 19-vjeçarit përfundoi në një seancë të vetme të zhvilluar në muajin korrik. Ai u shpall i fajshëm për dy vepra penale, atë të “mashtrimit” dhe “drejtimit të mjetit në gjendje të parregullt”. Në fazën e konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria kërkoi një dënim me 2 vjet burg për të pandehurin Manaj, ndërsa i pandehuri kërkoi dënim të butë dhe pezullim të dënimit me burg. Referuar vendimit të zbardhur të gjykatës, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, ngjarja nga e cila u dëmtua këngëtarja Tahiri është shënuar më 16 mars 2016. Në orën 20:30 të kësaj date, shërbimet e policisë të Komisariatit të Policisë nr.6 Tiranë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Aleks Manaj. Prangosja e tij është bërë për faktin se në të njëjtën ditë ai kishte mashtruar këngëtaren Adelina Tahiri se do t’i parkonte makinën e saj, me targa KS 9512AJ, tip “Volkswagen” në afërsi të “V…”, tek ish-Blloku, por ia ka marrë asaj këtë mjet dhe është larguar. Sipas vendimit, ndalimi i tij është bërë nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore, në afërsi të pallatit me shigjeta. Në momentin ndalimit, ai po drejtonte mjetin e marrë përmes mashtrimit dhe pa pasur leje për drejtim automjeti. “Shtetasja Adelina Tahiri kishte ardhur me këtë mjet nga Shkupi ku ajo banon, pasi kishte një projekt pune me televizionin ‘Klan’. Pasi kishte shkuar tek ‘V…’, shtetasi Aleks Manaj i ishte afruar, duke i thënë t’i jepte çelësat se do ta parkonte ai makinën. Këtë veprim Manaj e kishte kryer dhe herë të tjera, por më pas ia kishte vjedhur dhe ishte larguar”, rrëfehej ngjarja në vendimin e Gjykatës. Në kuadër të hetimit të çështjes është kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, nëse i pandehuri është i pajisur me leje drejtimi për mjete. Disa ditë më vonë, DPSHTRR ka përcjellë një përgjigje negative, sipas së cilës Aleks Manaj nuk kishte leje drejtimi automjeti apo motomjeti.Në vendimin përfundimtar, Gjykata arsyetonte se nga gjykimi kishte rezultuar e provuar se i pandehuri Aleks Manaj ka mashtruar këngëtaren Tahiri, duke i ofruar ndihmë për parkimin e më pas është larguar bashkë me të, si dhe fakti se ai nuk zotëronte patentë. Në caktimin e masës së dënimit, Gjykata mbajti parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës dhe të të pandehurit, faktin që i pandehuri ishte i dënuar me parë, gjendjen e tij familjare, si dhe pendimin e tij të thellë për veprën e kryer./Panorama.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *