Armando Sadiku: Europiani më ndryshoi jetën 0 42

Nga Ilda Lumani
Foto: Renuar Locaj
MUA: Unisex Hair & Nail Salon
Vendndodhja: Hotel Rogner

Në kohën e teknologjisë ndodh rrallë (të paktën në median e shkruar) që të kesh intervista të drejtpërdrejta me personazhin. Intervistat ‘moderne’ me email përveç lehtësirave të sjellin mungesën e bashkëpunimit, ftohtësinë e fjalëve… Ndaj është kënaqësi, kur në kulmin e axhendës së tij, takon njeriun e vitit, Armado Sadiku. Djaloshi, që nuk kishte marrë deri më dje admirimin e vajzave, sikundër ndonjë futbollist tjetër, sot është i adhuruari prej tyre. 25-vjeçari, heroi i Kombëtares së Futbollit Shqiptar, i pari dhe i vetmi që pati fatin të shënonte në Kampionatin Europian, po jeton ditët më të bukura të jetës së tij. E takova në tapetin e kuq të TMA dhe thirrja ime teksa e pashë ishte po aq entuziaste, sikundër dhe kur shënoi atë gol historik, të 19 Qershorit në Lion të Francës. (Për mua si gazetare kjo ishte ngjarja më e rëndësishme e atij Tapeti). Intervistën e realizuam në restorantin e kompleksit Taiwan, aq i preferuar veçanërisht nga të huajt dhe shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërie. Me një pamje krejt ndryshe, jo vetëm nga fusha e blertë, por edhe kostumi serioz, me të cilin u memorizua në ekranet shqiptare në atë pritje që ju bë ekipit nga drejtuesit e vendit, Armando Sadiku më dëshmon edhe njëherë thjeshtësinë e tij.

Tejet krenar për çfarë ka arritur, por shumë modest në rrëfimin e tij, ylli i Kombëtares Shqiptare vjen në këtë intervistë ekskluzive për BORDO, së bashku me një set të nxehtë fotografik.

Armando, urime për golin historik. Në momentin që bëtë golin, e menduat që hytë në historinë e Shqipërisë?

E mendova që ishte një gol i rëndësishëm, por jo aq i rëndësishëm sa e mendoj sot.

Çfarë mendimi ju erdhi në atë moment?

Isha shumë i lumtur, shumë i emocionuar, por kishte akoma minuta lojë. Kështu që isha akoma i përqendruar dhe duhet t’i lija emociononet dhe të mendoja për lojën dhe për të shënuar prapë.

Dhe kur mbaroi ndeshja…

Po në përfundim të ndeshjes ishin momentet më të bukura dhe emocionale.

E ke riparë ndeshjen, golin?

Po… Shumë herë!

Çfarë ndjesie ishte?

Emocionohem, normalisht. Jam njëkohësisht i gëzuar dhe falenderoj Zotin që më ndihmoi në atë moment.

Pasi mbaroi ndeshja, telefonata e parë që bëtë me kë ishte?

Sapo mbaroi ndeshja, telefonata e parë ishte me menaxherin tim, i cili më përgëzoi për golin dhe po më fliste, por nuk mbaj mend asnjë gjë, sepse ishte shumë zhurmë në autobus. Ishin momente të bukura dhe pastaj telefonatat ishin të shumta.

Cila është telefonata, apo komplimenti më i bukur që ke marrë në të gjithë këtë ngjarje?

Normale, nga familja ime. Kur i kam marrë në telefon nuk arrinin dot të flisnin nga emocionet dhe nuk i mbanin lotët.

Dhe kur i takove si u ndjeve?

Ata ndiheshin shumë krenarë dhe të lumtur. Mami gjithmonë më thoshte: “Jam krenare për ty”; “Na ke bërë krenarë”. Kurse babi më thoshte: “Nuk më ka shkuar mundimi kot”.

I kishe premtuar që do të luaje për Kombëtaren. Tani ua ke shlyer atë detyrim…

Kur kam qenë i vogël u kam bërë një premtim të tillë dhe jam shumë i lumtur sot që flas, të di që e kam realizuar. Edhe në jetën time private jam djalë që i mbaj premtimet. Nuk i jap shumë, por kur e jap një premtim e mbaj, dhe sot jam shumë krenar që e kam mbajtur këtë premtim.

Në fakt ky është një premtim shumë i madh që mund të bëjë një njeri, duke qenë se nuk është diçka që kushdo mund ta bëjë realitet…?

Po,  është një premtim shumë i madh, por kur njeriu ka një objektiv, mund të arrijë çdo gjë. “Nothing is impossible!” (Asgjë nuk është e pamundur). Edhe unë kam pasur shumë besim tek vetja ime dhe sot ja kam arritur. Jam shumë i lumtur për këtë.

Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde kjo ndjeshje dhe ky Europian?

Ka ndryshuar shumë gjëra dhe i prisja, sepse kam 7 muaj që vetëm stërvitem. Mendja ime ka qenë vetëm aty dhe vetëm tek ky Europian. E dija që do të më ndryshonte karrierën ky Europian. Më kanë ndodhur shumë gjëra këto ditë dhe jam shumë i lumtur që kam ndryshuar si jetën time private dhe shpresoj ta ndryshoj edhe në të ardhmen në futboll. Për momentin nuk kam ndryshuar ekip akoma, por shpresoj në të ardhmen.

E dinit që do të shënonit?

Kisha shumë besim që do të shënoja, sepse në dy ndeshjet miqësore përpara Europianit kisha shënuar. Dhe mendoja që do të shënoja që në ndeshjen e parë. Vonoi pak goli, por ëmbëlsira për në fund.

Gjatë kohës së përgatitjes për ndjeshje kishe marrë edhe një psikolog që të ishe i përgatitur mendërisht edhe fizikisht. Ka qenë fazë shumë e rëndësishme përgatitja për ju?

Siç e thashë edhe më përpara, 7 muaj kokën edhe mendjen time e kam pasur vetëm tek futbolli, tek ekipi ku kam qenë dhe tek Kombëtarja. Objektivi im ishte të luaja sa më shumë minuta tek ekipi im dhe objektivi më i madh ishte me sytë tek Kombëtarja që kur të arrija në Europian të isha unë protagonisti, që trajneri të më shihte mua si zgjedhjen e parë. Kjo u arrit dhe objektivi u plotësua.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në revistën BORDO

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *