KreuBordo Men

Si të dukesh ekspert i xhinit (edhe nëse nuk je)

Vrasësi i pikëllimit, mëndafshi i bardhë, gjilpëra me kokë… Janë të pafund mënyrat se si e kanë quajtur ndër shekuj xhinin, pijen që e thërrasin edhe si “shkatërrimi i nënës” pasi në mesin e shekullit të 18-të, efekti i saj në familje dhe ekonomi ka qenë shkatërruese. Edhe nëse nuk e keni provuar këtë pije me shpirt, histori e plot hijeshi, pseudonimet të japin një ide të reputacionit të saj.

Energjia e xhinit tregon për popullaritetin e hershëm të tij – kur të dehurit ishte e vetmja mënyrë për të mbijetuar në shekullin e 17-të, mes skorbutit dhe ujërave të zeza zbrazur në rrugë. Por në ditët e sotme, xhini është më shumë se sa legjenda e dehjes. Në fakt, vitet e fundit është vënë re shfaqja e shumë prodhuesve artizanalë të kësaj pijeje, të cilët krijojnë përzierje bimore në mikro-distileri në gjithë botën. Çdo diskutim mbi trajektoren e popullaritetit dhe zhvillimit të xhinit duhet të nisë me origjinën e tij dhe me qëllimin e përdorimit, jo si një pije para vaktit por si një trajetim mjekësor për të sëmurët. Bërë nga kokrrat e dëllinjës, mendohet të ketë qenë mjekues. Jeta e xhini zyrtarisht filloi në shekullin e 17-të, kur holandezët morën recetën e distilimit të dëllinjës, përzier me verë, duke i dhënë emrin “geneva”, shkurtim i fjalës franceze “genévrier” që do të thotë dëllinjë. Kjo përzierje u përdor për të parandaluar sëmundjet dhe përfundimisht bëri rrugën e saj në të gjithë Anglinë, ku “geneva” u shkurtua në “gin”. Këtu nisi të fitojë popullaritet si një pije e zgjedhjes më shumë se sa një melhem. Më vonë do të shkonte përmes marinarëve britanikë në zonat e tropikut, ku përdorej për të hequr shijen e hidhur të kininës që pihej për të luftuar malarien, i cili tretej në ujë tonik. Kështu, lindi xhin dhe tonik.  Të njohim disa nga shijet më të famshme të xhinit:

London Dry: Delikate, e lehtë, me dëllinjë, limon, portokall, qitro dhe erëza – kryesisht koriandër.

Craft ose New Western: Stil i lirë. Kryesisht me nota të lehta dëllinje, petale trëndafili, kastravec dhe bimë të veçanta që prodhuesi i pijes zgjedh. Zakonisht me shije të fortë dhe trullosëse.

Sloe: E ëmbël, me boronicë të freskët dhe shumë frutore. Nuk mungon prekja e portokallit dhe erëzave të lehta.

Plymouth: E lehtë dhe e thatë, nota të forta dëllinje por shija e qitros e bën më të butë.

Distilled: Dëllinjë, agrume të freskëta, erëza, më së shumti kanellë. E dashur dhe tokësore.

Old Tom: E pasur, pothuajse si uiski, më përbërje dëllinje, kanelle dhe fruta.

Koktejet:

Me xhin bëhen edhe disa koktejet më të mira si për shembull “Gin Martini” (xhin dhe vermut), “Negroni” (xhin, vermut dhe Campari), “Gimlet” (xhin dhe laim) apo dhe “The Collins” (xhin,lëng limoni, sheqer dhe ujë i gazuar).

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF