KreuArt

Fëmija i vogël i “Nevermind” të Nirvana-ve, tani 25 vjeç

Spencer Elden ishte vetëm disa muajsh kur prindërit e tij morën një telefonatë nga fotografi Kirk Weddle, i cili pyeti nëse mund të ishte fëmija i tyre i porsalindur pjesë e një sesioni fotografish për një grup muzikor të quajtur Nirvana. Fillimisht, Weddle u përpoq të fotografonte fëmijë të vegjël në kursin e notit, por asnjë nga ato imazhe nuk i përshtateshin asaj që Geffen Records po kërkonte. Ndaj ata u detyruan të zgjidhnin një nga pozat që Weddle i kish bërë Elden-it. Më vonë, shtuan një kartmonedhë dollari kapur në një fill grepi, në mënyrë që të dukej sikur fëmija po notonte drejt saj. Prindërit e Elden-it u paguan 200 dollarë ndërsa sesioni i fotografisë zgjati rreth 15 sekonda.

“Fotografia kishte një koncept të mrekullueshëm, një fëmijë brenda në ujë, në pamundësi për të marrë frymë, që shkon drejt parasë lidhur në grep,” shpjegon fotografi Weddle. “Pasi ‘Nevermind’ u bë hit, ata erdhën tek unë për të fotografuar grupin nën ujë.”

Pas suksesit befasues, kopertina e albumit është një nga më të njohurat e të gjitha kohërave, përkrah “Dark Side of the Moon” të Pink Floyd dhe “Abbey Road” të Beatles-ave.

“Teksa kthej kokën pas, më duket krejt budallallëk të jap intervista sepse unë nuk kam fare të bëj me këtë gjë, ashtu sikurse kam të bëj në të njëjtën kohë,” thotë Elden tani që është 25 vjeç. “Është një ndjenjë e çuditshme të jesh pjesë e një momenti të rëndësishëm të dikujt.”

Sot, Elden jeton në Los Angeles me të ëmën dhe është i fokusuar në të bërit art dhe në kultivimin e domateve. Elden është ende duke u përpjekur të kuptojē se si ndihet në lidhje me këtë histori të ndodhur 25 vite më parë. “Çdokush i përfshirë në këtë album ka para me thasë,” thotë Elden. “Ndërsa unë jetoj në shtëpinë e mamasë sime dhe ngas një Honda Civic.”

Elden, i cili ka vizatuar në kraharor titullin e albumit ‘Nevermind”, kurrë nuk ka mundur të takojë dy anëtarët e grupit Nirvana që janë në jetë, Dave Grohl dhe Krist Novoselic. “Jam disi i mërzitur për këtë gjë,” thotë ai. “Jam përpjekur t’i takoj këta njerëz. Por kurrë nuk takova askënd. Nuk kam marrë asnjë telefonatë apo e-mail.”

I irrituar për faktin se nuk ka marrë asnjë lloj kompensimi për imazhin e përdorur, Elden së fundi ka kërkuar ta ndjekë në rrugë ligjore këtë çeshtje, po pa sukses. “Është e pamundur të mos mërzitesh kur dëgjon për sa shumë para bëhet fjalë.” Albumi “Nevermind” është shitur në më shumë se 30 milion kopje në të gjithë botën.

Elden është paksa i hidhur në qëndrimin e tij në rolin që ka luajtur në këtë album. “Nirvana-t janë të paparë. Është e çuditshme të jem pjesë e suksesit të tyre. Ndjej se jam bërë i famshëm për asgjë.”

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF