Pikturat e vjedhura të Van Gogh-ut gjenden në Itali nga policia anti-mafia

Dy piktura të piktorit Vincent van Gogh janë gjetur në Itali, 14 vjet pasi janë vjedhur. Policia në Napoli tha se veprat me një vlerë të madhe, janë zbuluar gjatë një operacioni që synonte të kapte një grup kriminal me bazë në këtë qytet. Pikturat janë vjedhur nga muzeu “Van Gogh” në Amsterdam në vitin 2002 dhe nuk janë të dëmtuara.

Hajdutët kanë përdorur shkallë për të arritur në çatinë e muzeut dhe kanë hyrë brenda nga dritarja. Hajduti holandez i veprave të artit, Octave Durham me pseudonimin “Majmuni” dhe bashkëpunëtori i tij janë burgosur në vitin 2004 për krimin e kryer por pikturat ende nuk ishin gjetur.

Dy pikturat i takojnë viteve 1800. Ato u gjetën gjatë një investigimi nga një skuadër e specializuar. Nuk është ende e qartë se kur këto vepra do të kthehen në Holandë.

Vincent van Gogh lindi më 30 mars 1853, në Groot-Zundert, Holandë. Babai i tij Theodorus ishte pastor ndërsa nëna e tij Anna Cornelia Carbentus ishte një artiste modeste, që e dashuronte natyrën dhe bojërat me të cilat punonte, ja jepte të birit. Në moshën 15 vjeçare, ndërsa familja e tij ishte në gjendje të mjerueshme ekonomike, u detyrua të lërë shkollën dhe të punonte. Vincent-i fliste shumë mirë frengjisht, gjermanisht, anglisht.

Ndikimi i tij në artin e shekullit të 20-të është gjerësisht i kuptueshëm, dhe historia e tij tragjike universalisht e njohur. Vincent Van Gogh, u bë si asnjë artist tjetër: “i preferuari i të gjithëve”. Van Gogh-u, më shumë se sa impresionist, është parë si artisti që shpërtheu dyert e studios, çrrënjosi të pikturuarin e vjetëruar akademik, për ta lënë atë në dritën e përvojës reale. Syri i guximshëm në kombinimin e ngjyrave, pak të çuditshme për bashkëkohësit e tij, ishin një shprehje e realitetit, më shumë se sa realiteti vetë.

Jeta mes ngjyrash të pikturave të tij dhe mes problemeve të shëndetit mendor, shënon një çast që ka lënë gjurmë. Van Gogh, kur ishte tepër i rënduar psikologjikisht, shkon në një bordello të zonës dhe paguan një prostitutë me emrin Rachel. Me gjakun që rridhte në dorë, ai i jep asaj pjesën e butë të veshit të majtë që kishte prerë, duke i thënë: -“Dua ta ruash këtë gjë që po të jap. Dua ta ruash me shumë kujdes.”

Më 29 korrik 1890, Vincent van Gogh vdiq në krahët e të vëllait të tij, Theo. Ai ishte 37 vjeç.

Sot, Vincent van Gogh konsiderohet si piktori më i madh holandez, pas Rembrandtit. Ai realizoi më shumë se 2100 piktura, 860 në vaj dhe më shumë se 1300 me bojra uji. Pa lënë pas vizatimet dhe skicat. Disa prej punëve të tij, renditen mes më të kushtueshmet në botë: “Irises” për shembull është shitur në një rekord prej 53.9 milion dollarësh dhe “Portreti i Dr. Gachet” u shit për 82.5 milion dollarë.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.