Nobel-i për letërsinë do të jepet më 13 tetor, më vonë se zakonisht

Paneli i jurisë që jep çmimin Nobel për letërsinë bën me dije se fituesi i këtij viti do të prezantohet më 13 tetor, një javë më vonë se vitet e kaluara. Kjo datë u konfirmua nga anëtari i “Akademisë suedeze”, Per Wastberg.

Zakonisht, çmimi për letërsinë është dhënë në të njëjtën javë me çmimet e tjera Nobel, të cilat do të prezantohen javën e ardhshme. Por Wastberg thotë se këtë vit do të jetë ndryshe për shkak të programit të akademisë. Ai shtoi se: “Akademia mblidhet gjithnjë katër të enjte me radhë për të diskutuar mbi kandidatët e Nobel-it, duke nisur nga e enjtja e parafundit e shtatorit.” Kjo ditë korrespondoi me datën 22 shtator, më vonë se zakonisht, që do të thotë se mbledhja e katërt dhe e fundit do të jetë në datën 13 tetor.

Data e dhënies së çmimit të letërsisë plotëson programin e këtij viti për prezantimin e çmimeve Nobel. Gjithçka nis të hënën me çmimin Nobel për mjekësinë, ndjekur nga çmimi për fizikën të martën, për kiminë të mërkurën dhe për paqen të premten. Secili nga çmimet vlen 8 milion krona suedeze ose 930 mijë dollarë.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.