Janis Joplin: Unë jam viktimë e vetes sime

Data 4 shkurt lidhet me një ngjarje të hidhur për muzikën blues. Kjo pasi një nga përfaqësueset më të denja të saj, Janis Joplin, është ndarë nga jeta në këtë datë të vitit 1970.

Moskokëçarëse, rebele, e talentuar. E vetmuar, pa dashuri, me sjellje të çekuilibruara sidomos me familjen e saj. Vokali ngjethës e i pangatërrueshëm mbushur me emocione të rralla, i së cilës u shua dhe abdikoi nga një mbidozë heroine në 1970-ën. Kjo është Janis Joplin, këngëtarja e famshme e fundviteve ‘60, jeta e së cilës ishte mes suksesit si këngëtare dhe dështimit në dashuri dhe familje.

“Në skenë bëj dashuri me 25 mijë njerëz. Më pas, shkoj në shtëpi, vetëm…” Këto fjalë tregojnë më së miri dy anët e Janis Joplin. Në njërën anë këngëtarja, performuesja tipike e viteve ’60 me byrzylykët e saj, syzet më lente rozë, shallin puplor dhe me një zë mbinjerëzor. Nga ana tjetër ishte vajza e vetmuar, pothuajse gjithnjë e dehur, me shenja gjilpërash në krah, e vështirë për t’u përshtatur me njerëzit, e pafat në dashuri. Të gjitha këto e çuan atë te muzika blues, si mënyrë shprehjeje. Fjalët e saj rezonojnë si një femër mes botës mashkullore të rock’n’roll-it dhe se të gjitha këto kumtuan vdekjen e saj tragjike, e vetme në një dhomë hoteli, në moshën e pafat 27 vjeçare, nga një mbidozë heroine.

Janis Lyn Joplin lindi më 19 Janar 1943, në Port Arthur, Texas. U rrit në një qytet të vogël dhe për vite të tëra Janis u përpoq të arratisej për të shpëtuar nga ai komunitet i mbyllur, e më vonë luftoi për të harruar kujtimet që lidheshin me vështirësitë e atyre viteve.

Dashurinë për muzikën e zbuloi në një moshë fare të re, duke kënduar fillimisht në korin e kishës. Joplin ishte një nxënëse e mirë dhe diku nga mosha 14 vjeçare shtoi shumë në peshë, gjë që e kompleksonte mes bashkëmoshatarëve të saj. Në gjimnazin “Thomas Jefferson”, Joplin filloi të rebelohej. Duke ju shmangur modës së vajzave të viteve ‘50, ajo zgjidhte të vishte këmisha meshkujsh dhe funde të shkurtra. Dëshironte të ishte ndryshe nga të tjerët, ishte në qendër të thashethemeve të shkollës. Disa e cilësonin atë të çuditshme, e disa të tjerë një vajzë të shthurur. Në këtë kohë do të fillonin problemet e saj me alkoolin e kohë më vonë varësia ndaj drogave.

Ishte 20 vjeç kur regjistroi “What good can drinking do” në shtëpinë e një miku ndërkohë që ndiqte Universitetin e Arteve në Texas. Edhe pse konsiderohet si një nga përfaqësueset më të denja të bluesi-it, Janis gjatë karrierës së saj ka vetëm një hit. “Me and bobby Mcgee” arriti të kapë majën e klasifikimeve në vitin 1971, një vit pas vdekjes së saj.

Varësia ndaj drogës u bë më kërcënuese në vitin 1966, ndërsa miqtë e saj në San Francisco, ku ajo jetonte, e inkurajuan atë të kthehej në shtëpinë e saj në Texas për të pasur një kontroll më të mirë të jetës. Atje do të mund të hiqte dorë nga alkooli dhe droga, të futej në kolegj dhe ndonjëherë të shkonte te Austin për të performuar. Por vendosi të mos dëgjonte miqtë e saj. Në mesin e vitit 1966, Joplin i shkroi një letër prindërve të saj, në përpjekje për të shpjeguar pse nuk do të shkonte te ata.

“Mami dhe babi. Me shumë shqetësim, po ju them se ndodhem në San Francisco. Më lini t’ju shpjegohem. Kur shkova te Austin, fola me të. Ai më dha mundësinë të këndoj me një bandë këtu. Jam e sigurt se po mendoni që delli im vetëshkatërrues fitoi sërish, por unë do të përpiqem. Po planifikoj të kthehem në shkollë, vetëm nëse më rezulton që do të jetë një gjë e mirë. Më vjen tmerrësisht keq që ju zhgënjej. E kuptoj frikën tuaj e ardhjes sime këtu, por vërtet mendoj se është një mundësi e jashtëzakonshme të cilën nuk dua ta çoj dëm këtë herë. Dhe më besoni, nuk mund të doni më shumë se sa unë, që t’ja dal mbanë.”    

Janis shpesh shkruante letra, në disa raste drejtuar familjes, por më shpesh nënës së saj Dorothy me të cilën kishte një marrëdhënie më të afërt.

“E dashur familja ime. M’u desh ta kaloja ditëlindjen time të 27-të pa e ndjerë atë. Nga kjo kam mësuar diçka: sa shumë ka nevojë një njeri të jetë i dashuruar. Ambicia nuk është thjesht një kërkesë dëshpëruese për pozitë ose para. Është vetëm dashuri… të kërkosh shumë dashuri.”

Më 4 tetor 1970, menaxheri i Janis Joplin, John Cooke shkoi në hotelin “Landmark” në Los Angeles të shihte pse ajo nuk ishte dukur në Sunset Sound Studio. Ajo po regjistronte albumin e saj të fundit “Pearl” (Perla) me bandën e re “Full Tilt Boogie”. Cooke dhe producenti Paul Rothchild ishin të shqetësuar sepse Janis nuk vonohej asnjëherë në seancat e regjistrimit. Askush nuk e kishte parë apo dëgjuar prej saj në 24 orët e fundit, që kur ajo la studion dhe shkoi të pinte me djemtë e bandës. Me të hyrë në dhomë, Cooke gjeti Janis të shtrirë të pajetë në dyshemenë e dhomës së hotelit. Ai e gjeti atë të rrëzuar në hapësirën mes shtratit dhe komodinës. Ishte pjesërisht e zhveshur dhe mjetet me të cilat kishte marrë heroinë ndodheshin mbi tavolinë.

Dikur Janis do të thoshte: -“Unë jam viktimë e vetes sime…” Vullneti i saj i fundit ishte një testament prej 1500 dollarësh lënë miqve të saj për të bërë një festë të madhe. Ndryshimet e fundit në testament, Janis i bëri vetëm dy ditë para se të vdiste. Në të ishte shkruar: “Pijet i keni nga Perla!”, siç e thërrisnin miqtë e saj, prej nga mori emrin dhe albumi i fundit.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.