Shefi paguan punëtorët që të marrin pushime

“Nëse keni një luan në kafaz që ka lindur në robëri, e më pas ju hapni kafazin, ai do të struket më shumë në kafaz. Ata nuk do të vrapojnë të lirë.” – tregon Mark Douglas, drejtori ekzekutiv i kompanisë së marketingut dhe reklamimit “SteelHouse”. “Kur u thamë njerëzve në fillim që ata kanë pushime të pakufizuara, ata as nuk ditën ta interpretonin këtë gjë.”

Kështu ndodhi në vitin 2010 kur “SteelHouse” u prezantuar për herë të parë. Nga viti 2011, Douglas gjeti një zgjidhje: Paguaji njerëzit që të marrin pushime.

Nëse punon në “SteelHouse”, kompania do t’ju paguajë 2 mijë dollarë në vit për të shkuar me pushime ku të dëshironi. Këtë shumë mund ta ndani për të bërë udhëtime të ndryshme, ose mund t’i përdorni të gjitha për një herë të vetme. Douglas këtë gjë e ka lënë në dorë të punonjësve.

“Kultura në punën tonë është e thjeshtë.” – thotë ai. “Është e bazuar te besimi dhe ambicia. Besimi është reciprok.” Të punësuarit në kompani, të cilët blejnë një biletë avioni të hënën, rimbursohen të martën. Ata mund të përdorin edhe kartën e kreditit të kompanisë për të bërë rezervimin e fluturimit. Sapo të kthehen nga udhëtimi, ata mund të paraqesin shpenzimet e tyre për t’u rimbursuar deri në 2 mijë dollarë.

Sigurisht, ka pasur raste kur punonjësit kanë thënë se nuk duan pushime dhe kanë kërkuar të përfitojnë pagesën shtesë, por Douglas është i bindur për mënyrën se si do të përdoren këto para. “Unë dua që ata të shkojnë diku e të çlodhen. Në këtë mënyrë janë edhe më produktiv në punë”

Rezultatet flasin vetë. Gjatë tre viteve të fundit, vetëm pesë njerëz nga 250 të punësuar janë larguar nga kompania, tre prej të cilëve për arsye që nuk lidhen me punën. Douglas beson se të gjitha industritë janë të afta të zbatojnë një politikë të tillë. “Disa kompani duhet të mësojnë më shumë rreth kësaj ideje, kështu që nuk do të duket kaq e tmerrshme.” – shprehet Douglas.

Douglas thotë se është frymëzuar nga përvoja e tij pozitive e mëparshme që inkurajon punonjësit të marrin pushime. “Hera e parë që u përballa me këtë kulturë pune, më ndryshoi perspektivën time për gjithë jetën.”

Mark Douglas dëshiron që anëtarët e skuadrës së tij, të cilët janë nën 30 vjeç, një ditë të mund të krijojnë kompani që të ketë të njëjtën mënyrë të menduari. “Është një gjë të thuash ‘Keni tre javë pushime’, siç bëjnë shumë kompani. Dhe është tjetër gjë të thuash ‘Ja tek i keni paratë. Nëse nuk shkoni me pushime, janë para të shkuara dëm.’”

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.