KreuStil Jetese

Kristi Pinderi: Rreziku nuk vjen nga LGBT-ja, nuk jemi ne që kërkojmë seks në këmbim të punës

Anila Dedaj

Orientimi seksual, ka qenë jo pak herë objekt debatesh në vendin tonë, i diskutuar shpesh edhe nga figura publike me nota kritike, sikur të ishte një çështje zgjedhjeje. Do të ishte një marrëzi në fakt të mendoje se në një shoqëri si kjo e jona, ku paragjykimi dhe diskriminimi mundin lehtaz dëshirën për të kuptuar tjetrin, dikush të zgjidhte të ishte gay.

Në një kohë që bota po përpiqet të shmangë veçimet e grupeve shoqërore të caktuara, që nuk dëmtojnë shoqërinë edhe institucionet fetare, duke rrezikuar kritika të fanatikëve të besimit ka bërë hapa përpara. Ka bërë bujë në media një nga deklaratat e fundit të Papa Françeskos në lidhje me këtë çështje. “Njerëzit, duhet të pranohen dhe kuptohen ashtu siç i ka bërë Jezu Krishti. Nëse një njeri që ka këtë gjendje do të shkonte te Jezu Krishti, ai me siguri nuk do t’i thoshte: Largohu sepse je homoseksual”.

Debati më i fundit në lidhje me këtë temë që ka kaluar madje edhe në fyerje personale, ka qenë ai mes deputetes së PD-së Mesila Doda dhe gazetarit Kristi Pinderi, (Drejtor Ekzekutiv i ProLGBT-së), i cili në një intervistë për “Bordo” ka dhënë përgjigje akuzave të deputetes, por edhe ka folur rreth diversitetit seksual…

Kristi, gjatë periudhës së fundit ke pasur debate të ashpra me deputeten e PD-së, Mesila Dodën. Por, çfarë mund të na thuash kur nëse diskriminimi vjen në formë të hapur nga njerëz publikë, apo përfaqësues shteti, si ndikon kjo te pala tjetër, te personaliteti i tij?

Përfytyro: ti jeton në frikë për atë që je e ndonëse nuk i bën dëm askujt, dëgjon në televizor që deputetë të ndryshëm të thonë që nuk je normal apo më keq akoma, që po shkatërron familjen shqiptare! Duhet të jesh idiot të besosh se, fjala vjen, një i ri në Kurbin apo në Has, a në Sarandë, a Peqin, në Shkodër a në Vlorë e kudo, po shkatërroka familjen shqiptare pse befas bie në dashuri me një të ri tjetër me të cilin do të kalojë jetën! Duhet të jesh idiot të besosh që dashuria e këtij të riu qënkërka arsyeja pse 1 në 5 çifte në Tiranë përfundojnë të divorcuar pa kaluar 5 vjet nga martesa! Dhe akoma më e tmerrshme ta mendosh: mos vallë janë LGBT ata që vrasin gratë? Apo që ngacmojnë sekretaret? Apo që kërkojnë seks në këmbim të punës? Apo që për pak u heqin mbërtheckat vajzave të reja?

Nëse e ndien, a mund të na tregosh se sa arriti nëna jote e ndjerë të të kuptonte. Dhe çfarë mendon se do t’u thoshte ajo nënave që kanë zbuluar se fëmija i tyre është homoseksual?

Edhe kjo është personale dhe unë s’do doja të abuzoja. Ime më më mësoi me veprat e saj se dashuria e një nëne për djalin është dashuri pa kushte!

Kohët e fundit ke qenë pjesë e një debati virtual, ku edhe je akuzuar se ke përfituar fonde të majme nga BE, për një diskrimini,  që sipas deputetes Doda nuk e ke pasur kurrë. Por cila është e vërteta sipas teje? A ka pasur vërtetë persona të komunitetit LGBT që janë përzënë nga ‘streha’ e hapur në ndihmë të këtij komuniteti?

Organizata që unë drejtoj që nga muaji mars 2012 nuk ka përfituar deri më sot asnjë fond apo mbështetje financiare nga BE. Edhe kur Bashkimi Europian ka pasur thirrje të hapur për të aplikuar për projekt-ide në fushën e të drejtave të njeriut ne kemi vendosur të mos aplikojmë, pasi kemi dashur që më parë të fuqizojmë kapacitetet tona menaxhuese dhe organizative. Buxheti ynë vjetor (për të cilin paguajmë çdo muaj taksa dhe dorëzojmë pranë tatimeve bilancin vjetor) është diçka më shumë se rroga vjetore dhe dietat e një deputeti. Me këtë buxhet ne paguajmë rrogat e 5 vetëve, qiranë e zyrës, taksat dhe sigurimet, kostot e aktiviteteve tona etj. Në lidhje me strehën LGBT, duhet të keni parasysh që është i vetmi shërbim për personat që përzihen nga shtëpia vetëm pse janë L ose G ose B ose T. Ajo strehë i strehon këta persona, nuk i përze!

 Si aktivist i LGBT-së mendon se po ndjek rrugën e duhur për të ndryshuar diçka në mentalitetin e kësaj shoqërie kundrejt diskriminimt të diversitetit seksual?

Me siguri është dhe çështje kulturore dhe e lidhur edhe me historinë e shoqërisë sonë kjo rezistenca e shumicës për të kuptuar, e më pas edhe për të pranuar një pakicë të caktuar. Çështje e kulturës sepse të folurit hapur mbi një çështje që gjithmonë ka qënë mes nesh, por e fshehur, nënkupton një ndryshim thelbësor të mënyrës si ne i kemi konceptuar rolet gjinore dhe si e kemi ngritur çdo pritshmëri mbi këto baza të ngurtësuara gjinore. Për njëmijë e një arsye edhe struktura patriarkale e familjeve tona ka qënë e tillë që pavarësisht se në çfarë sistemi kemi jetuar (përfshi atë feudal), e ka patur të mirëpërcaktuar çfarë pritej nga një burrë e çfarë pritej nga një grua!

Ka dhe dimensionin e vet historik: mos harrojmë që prej të paktën 1600 vjet ky territor ku ne jetojmë u bë pjesë e indoktrinimit fetar, në fillim u pushtuam nga dogmat e krishtera (që për mendimin tim personal e kanë persekutuar çdo formë të të qënit ndryshe, që nga kohërat e djegjes së atyre që mendonin se bota ishte e rrumbullakët) e pastaj edhe nga islami. Kishat e para në Shqipëri, ato që quhen paleokristiane datojnë që në shekujt e IV e të V. Ne mund të themi sot që jetojmë në një vend me tolerancë fetare por smund të themi që kemi qenë jashtë ndikimit të të paktën tre prej feve më të mëdha të njerëzimit: krishtërimit, islamit por vende vende edhe judaizmit përmes banorëve hebrenj që kanë ndërtuar, për shembull, një ndër sinagogat më të hershme e të mëdha në Ballkan, siç është ajo e zbuluar në qendër të Sarandës.

 

 

 

 

 

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF