Very Important Perfumes

Stina e re, kërkon dhe aroma të reja. Këtu nis edhe vështirësia. Cila është aroma e duhur që bën për mua? Për këtë pyetje kanë menduar personazhet e njohur të muzikës, kinemasë dhe sportit. Mbi atë që përfaqësojnë në fushën ku janë të suksesshëm apo brendinë e karakterit, personazhet e njohur kanë krijuar parfumet nën emrin e tyre kthyer tashmë në një markë. Lexoni përshkrimin për secilin syresh dhe bëni zgjedhjen e duhur.

Michael Buble “By Invitation”

Michael Buble - "By invitation"
Michael Buble – “By invitation”

“Nuk është më sekret fakti që unë jam një romantik i pandreqshëm. Kjo vërehet në secilën notë që këndoj apo në secilën këngë që shkruaj. Ideja ishte të krijoja një “ftesë” të veçantë fansave përmes botës sime të re të parfumeve. Ftesa është për gjininë femërore që të shijojnë një aromë e cila përfaqëson shijen dhe imagjinatën time. “By Invitation” është ajo që unë e quaj “dashuri në një shishe”. Shpresoj ta shijoni po aq sa unë. Me dashuri, Michael!” – kështu e ka prezantuar këngëtari dhe aktori kanadez Michael Buble parfumin e tij të parë. Si muzika e Buble-së, “By Invitation” është njëherësh modern dhe i pakohë. Fragranca orientale me baze lulesh, ka në recetën e saj bergamot, qitro, trëndafil, jasemin, dru sandal dhe myshk.

 

Sarah Jessica Parker “Stash SJP”

Sarah Jessica Parker - “Stash SJP”
Sarah Jessica Parker – “Stash SJP”

“Unë ende e dashuroj parfumin “Lovely” dhe jam nostalgjike për të, por “Stash” është parfumi që jam duke veshur këto ditë.” – kështu do të prezantonte Sarah Jessica Parker parfumin e saj më të ri “Stash SJP”. Aktorja e quan atë parfum “të prapë” dhe seksi. Fragranca me bazë druri ka një kompozim të përshtatshëm për meshkuj dhe femra falë përzierjes së grejpfrutit, vetiverit dhe zambakut me lëkurë. Parfumi është prezantuar me hashtagun #ComeandFindit dhe është i vlefshëm në masat 30, 50 dhe 100 ml Eau de Parfum. Linja përfshin vajin e trupit dhe te flokëve.

 

Cristiano Ronaldo – “Legacy Private Edition”

Cristiano Ronaldo - "Legacy Private Edition"
Cristiano Ronaldo – “Legacy Private Edition”

Cristiano Ronaldo nuk është vetëm futbollisti i njohur dhe personazhi i faqeve të para për bëmat e jetës së tij private, por ai ka edhe markën e tij. Parfumi “Legacy” i prezantuar në vitin 2015 do të vijë në një variant të ri nën emrin “Legacy Private Edition”, më i pasur, më elegant dhe i sofistikuar. Nga aroma më bazë druri i origjinalit, parfumi i ri për meshkuj është më oriental. Me nota tradicionale mashkullore, receta e kësaj fragrance përmban borzilok, neroli, shurup panje, kedër dhe dru. Flakoni në ngjyrë bakri dhe blu do të mbajë eliksirin në masën 50 dhe 100 ml Eau de Parfum.

 

Naomi Campbell “Prêt à Porter”

Naomi Campbell - “Prêt à Porter”
Naomi Campbell – “Prêt à Porter”

Naomi Campbell prezanton parfumin e saj më të ri “Prêt à Porter”. Fragranca me bazë lulesh dhe frutash përfaqëson karakterin e super modeles, forcën dhe vetëbesimin. Nën moton “mishërim i shkëlqimit të modës”, parfumi është i egër, pompoz dhe njëherësh elegant. Për një prekje të pangatërrueshme, kjo aromë vjen si kompozim i boronicës, dardhës, trëndafilave dhe manushaqeve. Linja, përveç parfumeve 15, 30 dhe 50 ml, përmban edhe deodorant, krem për trupin dhe xhelin e dushit.

 

Ariana Grande “Sweet Like Candy”

Ariana Grande - “Sweet Like Candy”
Ariana Grande – “Sweet Like Candy”

Fragranca e tretë nga këngëtarja amerikane Ariana Grande, pas asaj debutuese “Ari” dhe asaj unisex “Frankie”, është “Sweet Like Candy”. Flakoni në ngjyrë rozë të lehtë dhe me një pompë, përmban eliksirin e ëmbël, një kompozim manaferrash me vanilje. Parfumi është i vlefshëm në masën 50 ml Eau de Parfum.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.