KreuArt

Edgar Allan Poe: “Zot, ndihmoje shpirtin tim të varfër”

Sot përkujtojmë ndarjen nga jeta të Edgar Allan Poe, shkrimtarit amerikan, kritikut dhe botuesit të famshëm, i cili u bë i njohur për tregimet dhe poezitë e mistershme, si “Korbi” dhe “Rënia e shtëpisë Ashër”. Poe është një nga shkrimtarët amerikanë që i rezistoi kohëve. Veprat e tij janë aq bindëse sot, siç ishin edhe një shekull më parë. Një mendimtar i shndritshëm dhe plot imagjinatë, Allan Poe shkroi tregime dhe poezi që ende shokojnë, duke befasuar edhe lexuesit modern. Jo vetëm krijimet e tij, por edhe në jetë, Edgar Allan Poe ishte gjithë mister. Për më tepër fundi i tij.

Me tregimet e shkurtra dhe poemat që shkroi, Edgar Allan Poe rrëmbeu imagjinatën dhe interesin e lexuesve anekënd botës. Talenti i tij krijues bëri që ai të merrte pseudonimin “Babai i tregimeve detektive” në mesin e shumë veçorive të tjera. Jeta e tij ka qenë disi misterioze. Pika ku ndahej a bashkohej fakti nga trillimi ka qenë e paqartë.

Edgar Allan Poe lindi në Boston më 19 janar 1809. Bir i dy aktorëve, Poe nuk i njohu prindërit e tij. Babai David Poe u largua nga familja herët ndërsa nëna e tij Elizabeth Arnold Hopkins Poe u nda nga jeta kur ai ishte vetëm tre vjeç. I ndarë edhe nga vëllai Ëilliam dhe motra e tij Rosalie, Poe shkoi të jetojë me John dhe Frances Allan, një tregtar duhani, në Richmond, Virginia.

Parate ishin gjithnjë një temë diskutimi mes Poe-së dhe John Allan. Kur Poe shkoi në Universitetin e Virginia-s në 1826, nuk mori mjaftueshëm para nga Allan për të mbuluar shpenzimet. Poe nisi të luante kumar dhe përfundoi në borxhe. Ai u kthye në shtëpi duke u përballur me një tjetër problem: e dashura e tij Elmira Royster tashmë ishte fejuar me dikë tjetër. Zemërthyer dhe i pashpresë, Poe u largua nga Allanet.

“Ka kaluar shumë kohë nga hera e fundit që të kam shkruar. Kur kujtoj që për 21 vite të kam thërritur “baba” e ti mua “bir”, më vjen të qaj si fëmijë që gjithçka përfundoi në këtë mënyrë. Kur kthej kokën pas, kujtoj se sa shumë ke bërë për mua, kujtoj vetëpërmbajtjen dhe bujarinë tënde, pavarësisht mosmirënjohjes nga ana ime. Jam budallai më i madh. Jam gati të mallkoj ditën kur kam lindur. Jam i vetëdijshëm që e gjithë mirënjohja erdhi shume vonë. Po të shkruaj pasi jam vetëm dhe kam menduar gjatë për kohët e vjetra. Zgjodha të të shkruaj edhe pse e di që nuk të intereson më asgjë nga unë, dhe se ndoshta këtë letër nuk do e lexosh kurrë. Perëndia të bekoftë. Edgar Allan Poe. A nuk do të më shkruash, sikur edhe një fjalë?”

Në vitin 1827, Poe botoi librin e tij të parë “Tamerlane dhe poezi të tjera”. Dy vite më vonë, pasi ju bashkua akademisë ushtarake, botoi një tjetër vëllim me poezi. Pasi largohet nga akademia, Poe i përkushtohet të shkruarit me kohë të plotë. Shkoi në Neë York, Baltimore, Philadelphia dhe Richmond në kërkim të mundësive të reja. Në vitin 1831, për katër vite qëndroi në shtëpinë e tetos Maria Clemm dhe vajzës së saj Virginia.

Kushërira e tij e re, do të bëhej frymëzim për shkrimtarin dhe shumë shpejt ai do të dashurohej me të. Çifti u martua në 1836-ën kur ajo ishte vetëm 13 vjeç. Nga gjysma e martesës së tyre 11 vjeçare, ajo u sëmur nga tuberkulozi, një sëmundje që e la invalide në moshën 20 vjeçare. Jeta e tij shtëpiake ishte burim i një gëzimi të madh pavarësisht varfërisë së tij. Sipas disa burimeve, Poe ishte një bashkëshort i dashur, një mik i përkushtuar si dhe një punonjës i zellshëm dhe i matur. Mendohet se poezia e tij e famshme “Anabel Li” është shkruar për Virginian, për dashurinë e tij.

“Isha i vogël dhe ish e vogël në vjet / Në atë vend afër në det / Po duheshim më tepër se me dashuri / Unë dhe im Anabel Li.”

Puna e tij si shkrimtar vijoi dhe në revistat e kohës Poe publikoi disa nga shkrimet e tij, përfshirë dy pjesët e romanit të tij të vetëm “Rrëfenja e Arthur Gordon Pym”.  Poe u kthye në një sensacion letrat në vitin 1845 kur publikoi poezinë “Korbi”, konsideruar si një nga krijimet më të mëdha të karrierës së Poe-së dhe të letërsisë amerikane.

Poe shkroi edhe esse për metrikën e vargut, për parimet e poezisë si dhe botimin kritik “Filozofia e kompozicionit”. Gjithashtu shkroi tregimin drithërues “Fuçia e Amontillado-s” si dhe poezite “Ulalume” dhe “Këmbanat”.

Poe, pas vdekjes së shumë të dashurës së tij Virginia në 1847-ën, u pushtua nga pikëllimi. Ndërsa vijonte të punonte, ai vuante nga një shëndet i dobët dhe nga problemet financiare.

Në vitin 1848, tre vite pasi ishin njohur kur Allan Poe gjatë një shëtitje kishte parë Sarah Helen Whitman e cila po nuhaste lulet në kopshtin pas shtëpisë së saj, dy të dashuruarit nisën një histori dashurie.

“Oh, nëse do mundja, por e di që djeg thellë në shpirt – kuptimi i vërtetë i të bashkuarit të atyre dy fjalëve të nënvizuara. Por, mjerisht! Përpjekja është e kotë dhe unë jetoj e vdes pa i dëgjuar. Dhe tani, me fjalët më të thjeshta, lërmë të pikturoj mbresat që më ka lënë prania jote. Kur hyre në dhomë me hezitim, e zbehtë, e ndrojtur… Kur sytë e tu u ndalën për një çast te të mitë, ndjeva me drithërimë, për herë të parë në jetën time, se si zemra dhe shpirti shkuan mbi arsyen. Që nga ai moment, nuk kam mundur kurrë të largoj nga zemra besimin që fati im, për mirë apo për keq, qoftë vetëm për tani apo përgjithmonë, është mpleksur me tëndin. Mi thuaj ato fjalë që tokën e kthejnë në parajsë. Të gjitha mendimet, pasionet, duken të shkrira bashkë në dëshirën për të të bërë ty të kuptosh dhe të shohësh që nuk ka asnjë zë njerëzor, asnjë fjalë që të tregojë dashurinë time për ty.”

Edgar dhe Sarah Helen ranë dakord për një martesë të menjëhershme. Allan Poe u betua që do t’i qëndronte besnik Whitman-it, por e shkeli premtimin pas disa ditëve, kur nisi një pëlqim dhe interesim për të dashurën e fëmijërisë Sarah Elmira Royster dhe për Annie Richmond. Dashuria e tyre ishte intensive por platonike. Ndaj Allan Poe vendos që të martohet me të dashurën e adoleshencës së tij Sarah Elmira Royster, një martesë që zgjati fare pak sepse disa muaj më vone, shkrimtari do të ndërronte jetë.

Më 3 tetor, Poe u gjet në Baltimore në një gjendje aspak të mirë. Ai u çua në Washington College Hospital ku vdiq më 7 tetor 1849. Vetëm shtatë njerëz shkuan në funeralin e tij. Pas vdekjes së Poe-së, vjehrra e tij zbuloi se zemra e maces së tij të dashur Catterina kishte ndalur. Në atë kohë, u tha se Poe vdiq nga një goditje në tru. Por shkaku i vërtetë i vdekjes ka qenë subjekt i spekulimeve të pafundme. Disa ekspertë besojnë se abuzimi me alkoolin çoi në fundin e tij. Tërbimi, epilepsia ose helmimi nga monoksidi i karbonit, janë disa nga teoritë që mendohet se sollën vdekjen e shkrimtarit të madh. Sipas disa burimeve, mendohet se fjalët e tij të fundit ishin këto: “Zot, ndihmoje shpirtin tim të varfër”.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF