KreuArt

Gia Carangi: “Modelingu, është një ‘koncert’ i shkurtër”

Një kult është ngritur në kujtim të vdekjes së supermodeles Gia Carangi, veçanërisht pas filmit për jetën e saj me titullin “Gia” me Angelina Jolie në rolin kryesor. Filmi eksploron shumë aspekte të personalitetit të saj të trazuar duke përfshirë përdorimin e drogave, marrëdhënien me të dashurën e saj, biseksualitetin dhe vdekjen nga SIDA. Problemet e saj nisën nga përdorimi i drogave që sollën te supermodelja ankth, nervozizëm, depresion, tension dhe në fund, virusin HIV që më pas do t’i shkaktonte vdekjen. Shumë njerëz kanë spekuluar rreth faktit që Gia ishte bipolare. Kjo mund të jetë një diagnozë e fortë post-mortem e natyrës së saj problematike me sjellje të çuditshme dhe depresive.

Kush është Gia, vajza që u quajt si “supermodelja e parë në botë” dhe “vajza më e bukur e kopertinave” e fundviteve ’70 e fillimviteve ’80? Jeta e Gia-s na tregon që bota e modelingut nuk është bota e famës, fatit, aty ku dielli shkëlqen gjithnjë dhe festat nuk kanë të ndalur, ku ëndrrat bëhen realitet dhe çdokush është i bukur.

Gia Marie Carangi lindi më 29 janar 1960 në Philadelphia. Ishte fëmija e tretë e Joseph Carangi, pronar i një restoranti dhe e Kathleen Carangi, shtëpiake. Kishte dy vëllezër më të mëdhenj. Babai i saj ishte italian ndërsa e ëma irlandeze. Joseph dhe Kathleen kishin një martesë të dhunshme, sa bëri që Kathleen të braktiste familjen kur Gia ishte vetëm 11 vjeç.

Në moshën 17 vjeçare, Gia ishte një nxënëse mesatare në shkollë, një vajzë e gjatë dhe shumë e bukur, e cila punonte në restorantin e vogël të të atit në Philadelphia, Hoagie City, duke bërë më të mirën që të mos humbte për asnjë arsye koncertin e David Bowie-t. Ishte vitit 1978. Më pas do të ishte një fotograf i zonës i cili do t’i kërkonte Gia-s të pozonte spontanisht në një pistë kërcimi dhe fotografitë u panë nga Elgort. Bukuria e saj melankolike, një brune italiane, ishte në kontrast me modelet tipike bionde me sy të kaltër. Brenda një viti, ajo u kthye në femrën më joshëse të New York-ut.

Nuk ishte vetëm bukuria e saj. Ajo ishte e egër. Pozoi nudo. Vishej me veshje mashkullore. Nuk bënte makijazh. Kishte një qëndrim moskokëçarës dhe nuk kishte informacion për industrinë e modës. Largohej nga sesioni i fotografive nëse nuk ishte në humor të mirë. Kur merrte heroinë ajo shkëlqente nëpër sesione fotografish. Stilistët dhe fotografët as nuk donin t’ja dinin, mjaft që puna e tyre të dilte mirë. Në më të shumtën e rasteve kur shkonte për xhirime ose për të realizuar fotografi ajo mbante gjithnjë në një çantë të vogël kokainë dhe heroinë. Çfarë e ndryshoi Gia-n ishte se nga puna 10 mijë dollarëshe në ditë duke pozuar për marka të famshme, përfundoi duke realizuar foto nëpër galeritë e pjesës lindore të New York-ut. Ajo ishte një diva që mund edhe të anulonte për dy javë punët vetëm se nuk pëlqente mënyrën se si ja kishin prerë flokët.

Në moshën pesëvjeçare, ajo është abuzuar seksualisht nga një burrë. Ndodhi vetëm një herë por Gia ka qenë gjithnjë e traumatizuar nga ky incident. Më pas nëna e saj do të braktiste shtëpinë, bashkëshortin dhe fëmijët për dikë tjetër. Edhe pse, kohë më vonë, nëna e saj do të rikthehej, Gia nuk mund të harronte faktin që nëna e saj e braktisi për vite me radhë.

Deri në fund të vitit 1984, Gia kishte hyrë në një botë të rrezikshme. Pas presionit nga familja e saj, hyri në një program rehabilitimi duke mbetur pa asnjë kacidhe në xhep. Pasi la trajtimin gjashtë muaj më vonë, iu rikthye heroinës, me doza edhe më të mëdha. Një vit më pas përfundoi në spital. Ajo kishte qenë duke fjetur jashtë në shi. Shenjat në trup tregonin që ajo ishte rrahur. Por në fakt ajo ishte përdhunuar. Në spital, mjekët panë se ajo kishte simptomat e një pneumonie, por analizat e gjakut treguan se ajo kishte (ARC) komplesin e lidhur me SIDA-n, shenjë paralajmëruese e SIDA-s.

Egërsia e saj në publik vinte si pasojë e një jete private vetmitare. Pavarësisht famës, në më të shumtën Gia ishte vetëm. Kishte disa shokë të profesionit, pjesa më e madhe grimierë. Por aktiviteti i ngjeshur nuk krijonte hapësirë për aktivitete të tjera. Në fund të ditës me shumë angazhime, ajo kthehej në apartamentin e saj thuajse bosh në New York.

Më 18 nëntor 1986, në orën 10 të mëngjesit, Gia Carangi humbi betejën me SIDA-n. Ishte vetëm 26 vjeç. Askush nga bota e modës nuk shkoi në funeralin e saj. Kjo për shkak se lajmi për humbjen e saj nuk u përhap gjerësisht.

“Unë mendoj se Perëndia ka një plan për mua.” Kështu qe shprehur Gia Carangi me pompozitetin e pavetëdijshëm që kanë njerëzit e famshëm. Dhe në fakt ndodhi që supermodelja do të ishte e para femër e famshme që do të diagnostikohej dhe do të vdiste nga SIDA. Një herë ajo pat thënë: – “Modelingu, është një koncert i shkurtër.”

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF