Dritëro Agolli në klasë të shtatë, vargje për Enverin dhe Stalinin. Ja poezia

Është çelur sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Ekspozita Agolliane”, një retrospektivë e shkrimeve të Dritëro Agollit(13 tetor 1931). I quajtur ndryshe edhe si “autori i popullit”, Agolli shënon plot 65 vjet krijimtari. Zanafillat e tij të hershme poetike përkojnë me vitin 1948, dhe më pas ai do të thellohej në zhanre e gjini të ndryshme.  Prej fillimeve të tij, ditën e sotme, me rastin e 85 –vjetorit të shkrimtarit u ekspozua një nga poezitë e tij të para. Agolli ka qenë në klasë të shtatë dhe poezia është botuar në revistën “Letrari i ri”.

Në këtë poezi nuk mund të mos ndihet fryma komuniste që injektohej qysh në vegjëli, duke i shtyrë fëmijët t’i adhuronin udhëheqësit komunistë e t’u këndonin atyre lavde. Kështu edhe në këtë poezi të një prej shkrimtarëve tanë më të dashur, nuk mund të mos bjerë në sy se si një i ri në adoleshencën e hershme thur vargje të tilla si: “Enver-Stalin po bucet/ Prej Tirane gjer në det”.  Edhe Agolli si shumë të rinj të tjerë duket se e ka pasur të pamundur t’i shpetojë kurthit të kohës, që i hidhte kthetrat në brendësi të intelektit të paraardhësve tanë pa kurrfarë dallimi.

Letrari i ri

15 shtator 1948

 

Prej Tirane gjer në det

 

Prej Tirane gjer në det.

Mina, kazma po bucet.

Shket vagoni plot me dhe

Se ndërtohet jetë e re.

Jetë e re e lumturisë

Me aksionin e rinisë.

Dhe të rinjtë me sytë si zjarr

Q’u shkëlqejnë porsi ar

Po sulmojnë me furi

Me guxim e trimëri

Me guxim për jetë të re

Shkrepin zjarr, porsi rrufe.

Enver-Stalin po bucet,

Prej Tirane gjer në det,

Edhe kazma ngulet thellë,

Tym i bardhë mbulon qiell

Tym i bardhë del atje

Se ndërrohet jetë e re

Det i bukur valëzon

Jetën e re po shikon

E përkulet nga gëzimi

Sepse zdritet nga agimi,

Nga agimi i Partisë

Dhe nga ylli i lirisë

Venë valët radhë-radhë,

Duan të thonë “Punë e mbarë”

Punë të mbarë moj rini

Që nuk trembesh kurrë ti,

Kurrë, kurrë nga armiku

Se ke gjoksin prej çelniku

Edhe kozma po vazhdon,

Ulet, ngrihet e gjëmon, ulet, ngrihet nga Rinia,

Të ndërtohet Shqipëria

Gjersa trenat në Shqipëri

Të kalojnë me krenari.

O mizor armik m’at anë

Që ke zemrën katran

Hidhi sytë o jetë e re

Si gjëmon sot në Shqipëri

Enver-Stalin e Parti

 

Dritëro Agolli

(Nxënës i shkollës shtatëvjeçare Bilisht)

 

Shënim…

Të inkurajohet edhe të ndihmohet zhvillimi i literaturës sonë, i thesarit, i fizkulturës, folklorit, zhvillimi i këtyre të bëhet në baza të drejta, të jetë i lidhur ngushtë me përpjekjet e aspiratat, perspektivën e ndritur të rrugës ku po ecën populli ynë… (Enver)

 

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.