Julka për pjesëmarrjen në Maratonën e Tiranës: “Familja ime, krenare për mua.”

E diela e ka shndërruar Tiranën në një arenë vrapuesish. Duke synuar traditën, në kryeqytet u zhvillua “Maratona e Tiranës 2016” organizuar nga Bashkia e Tiranës. Të ndarë sipas distancave, maratona ka pasur për protagonistë rreth 1200 vrapues. Maratona nisi rreth orës 09:00 nga Muzeu Historik Kombëtar dhe vijoi përgjatë disa prej rrugëve kryesore të Tiranës. Pjesë e kësaj maratone ishte vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, intelektualë dhe personazhe të njohur të ekranit.

Një prej artisteve që mbështeti këtë maratonë dhe u bë pjesë e saj, ishte këngëtarja dhe zëri i pangatërruar i emisioneve në Radio NRG, Julka Gramo. Për BORDO, Julka ndan emocionet dhe ndjesitë që lidhen pas kësaj pjesëmarrjeje që nuk ka kaluar pa lënë gjurmë te artistja dhe njerëzit e saj të afërt.

Julka
Julka

Julka, si u bëtë pjesë e maratonës?

Një ftesë për t’a promovuar si aktivitet më njohu me faktin se në Tiranë do të realizohej një maratonë. Më erdhi shumë mirë ndaj nuk ngurova aspak në promovimin e aktivitetit. Sigurisht që nuk e kisha imagjinuar vërtet që do të merrja pjesë e do të vrapoja. Që në postimin e parë rreth aktivitetit pati një feedback shumë të madh mes miqve e të njohurve që më telefononin e shkruanin duke më pyetur rreth maratonës. Kështu mësova çdo detaj. Deri në momentin e fundit sinqerisht nuk e kisha menduar që do të vrapoja/ecja për aq gjatë. Mendja ime deri në ditën e maratonës punonte vetëm në analizimin e rrugës dhe mundësisë për t’u shkëputur (qesh). Por ndodhi çudia. Ishte mamaja ime që gjatë gjithë kohës më jepte zemër, madje edhe para se të nisesha më bëri shtatë telefonata e mesazhe frymëzuese e motivuese. Më tha se isha e vetmja nga familja që kisha ndërmarrë një iniciativë të tillë dhe se ishin krenarë për mua.

Në një postim në Instagram, ju kemi parë të shoqëruar edhe nga kolege.

Bashkë me dy shoqet fantastike Mira Kazhani dhe Albana Osmani që më shoqëruan në këtë aventurë, unë arrita të superoja veten time. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që mund të vrapoja e ecja aq shumë sepse kisha një periudhë të gjatë jo aktive fizike. Ishin gocat që vrapuan me mua dhe madje në ca momente dhe u turpëruan sepse nuk po vraponin ngaqë unë nuk mundesha (qesh). Por ata nuk më braktisën në asnjë moment.

Julka Gramo, Mira Kazhani dhe Albana Osmani
Julka Gramo, Mira Kazhani dhe Albana Osmani

Cilat janë ndjesitë që lidhen pas kësaj aventure?

Ishte kaq bukur të shihje të gjithë ata njerëz që vraponin në të njëjtin drejtim për të njëjtin qëllim. Kishte ca pamje fantastike shumëngjyrëshe të vrapuesve që ishin derdhur në rrugë. Sigurisht që ndjesi fantastike ishte edhe mbërritja në finish. Të them të drejtën, në kthim më tepër kam ecur se vrapuar, por çuditërisht ndihesha e mbushur. E mbushur që kisha kaluar limitet, e lumtur që çdo gjë doli jashtë parashikimeve e mendimeve të mia, për mirë.

Julka
Julka

Si u prit kjo nga njerëzit tuaj të afërt?

Kuptohet që ndjesia mori përmasa akoma më të mëdha kur shihja se sa krenar ndiheshin për mua njerëzit e mi të dashur e jo vetëm. Lumturia arriti kulmin kur dërgoja sot në mëngjes tim bir në shkollë, dhe me krenari më thoshte se me padurim priste që t’u tregonte shokëve se mami i tij kish marrë pjesë në “Maratonën e Tiranës”.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.