KreuArt

Maria Callas: “Në opera, kam luajtur heroina që kanë vdekur për dashurinë. Jeta ime është një opera.”

Shumë fakte rreth jetës së Maria Callas janë të njohura por mbeten ende të fshehta dhe pa përgjigje disa aspekte që lidhen me vdekjen e këngëtares legjendare që në fund të jetës ishte thjesht një hije e shkëlqimit të dikurshëm.

Maria Callas lindi më 2 dhjetor 1923. Është sopranoja greko-amerikane më me influencë e shekullit të 20-të. Sipas certifikatës së lindjes, emri i saj është Sophia Kalos, e lindur në Manhattan nga dy prindër grekë dhe e pagëzuar më pas me emrin Anna Maria Sofia Kalogeropoulou. Callas mori edukimin muzikor në Athinë. Më pas u regjistrua në Konservatorin e Athinës, por pa sukses. Në audicione, me zërin ende të pastërvitur dështon duke mos arritur të lërë përshtypje të mirë te drejtori i konservatorit i cili refuzon ta regjistrojë. Pas kësaj merr mësime private këndimi dhe kështu nis rruga e gjatë drejt këndimit lirik.

Në kohën e Callas-it, bashkëkohësit dëshironin zëra perfekt. Shumë soprano ishin të përqëndruar te bukuria e zërit më shumë se sa te interpretimi. Por Maria solli ndryshimin, diçka të pazakontë. Ajo nuk interesohej aq shumë për bukurinë vokale se sa për interpretimin dramatik. Megjithatë edhe zëri i saj ishte i mahnitshëm. “Zëri i saj ishte si një thikë. E aftë për të prerë gjithçka përpara saj,” kujton dirigjenti italian Riccardo Muti.

Emri i Maria Callas lidhet jo vetëm me zërin e bukur dhe fuqinë e interpretimit por edhe për dashurinë e madhe dhe të pafat me Aristotle Onassis. Historia e jetës së Callas-it nga fillimet modeste e deri te zonja e parë e botës operistike, përtej shkëlqimit të një ylli të papërsëritshëm, na shfaqet si një tragjedi. Për më tepër fundi i saj. Shumë hamendësi janë ngritur për shkakun e vdekjes: ataku kardiak (që njihet edhe si version zyrtar) apo mungesa e dashurisë që e vdiq atë pak nga pak, çdo ditë. Sipas një versioni, Callas u vetëvra duke marrë një mbidozë hapesh gjumi sepse nuk mund të pranonte që Aristotle Onassis e kishte refuzuar.

Pak kohë më parë, një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Bolonjës prezantuan rezultatet e shqyrtimit të tyre për shkaqet e vdekjes së Callas-it. Sipas profesorëve Franco Fussi dhe Nico Paolillo, sopranoja e famshme vuante nga një sëmundje e rrallë që prek muskujt dhe indet. Për të trajtuar simptomat, për vite me radhë ka marrë medikamente që mund të kenë shkaktuar arrest kardiak, që njihet zyrtarisht si shkaku kryesor i vdekjes.

Një tjetër version është ai i regjisorit Franco Zeffirelli që prezantoi në vitin 2004. Ai beson se një nga miqtë e Maria Callas-it në vitet e fundit të jetës, e ka helmuar atë. Sipas autorit të “Callas forever”, një film që përshkruan fundin e jetës së saj, Callas ka qenë nën kontrollin e një gruaje me emrin Vasso Devetzi.

Sipas Zeffirelli-t, ajo i kish dhënë Callas-it hape për gjumin dhe amfetamina. Këtu lindin shumë pyetje dhe dyshime. Përse Devetzi e dogji trupin e Maria-s menjëherë pas shërbimit funeral? Maria e urrente idenë e të djegurit. Mos ndoshta Devetzi dëshironte të fshihte gjurmët e saj?

Duket sikur e vërteta nuk do të zbulohet kurrë. Vasso Devetzi u nda nga jeta në vitin 1987. Megjithatë, besohet se ajo përveç pasurisë së trashëguar ka marrë edhe 1 milion paund nga shitja e disa bizhuterive të Maria Callas-it. Sipas biografisë së saj, Vasso Devetzi ishte një pianiste e talentuar dhe e famshme. Ajo u takua me Maria Callas-in kur ishte në kulmin e karrierës së saj ndërkohë që karriera e Marias ishte në rënie.

Gjithçka në jetën e Callas-it ndryshoi kur u shfaq Aristotle Onassis. Maria dashurohet me të. E lindur relativisht e varfër dhe nën ndikimin e mamasë së saj mospërfillëse, u detyrua të shkonte edhe me ushtarët italianë dhe gjermanë për ushqime dhe para. E vuajtur dhe me shumë pasiguri, duket sikur gjeti paqe në krahët e Onassis. Kur ishte në mes të tridhjetave – Onassis pothuajse 60 vjeç – ajo doli nga vështirësitë duke hyre në një botë plot shkëlqim. Onassis i fiksuar pas pushtetit dhe atyre që e kishin atë, besonte se talenti i saj ishte dhuratë nga Zoti dhe se pasioni i saj do ta frymëzonte atë. Ne fakt më shumë se sa frymëzim, ishte shfrytëzim.

“Ka diçka greke te Jackie,” – tha një ditë Aristotle Onassis teksa shihte në ekran Jackie Kennedy në Shtëpinë e Bardhë nga apartamenti i Maria-s, në Paris. Në atë kohë, Maria nuk i kuptonte ato fjalë. Nuk e dinte që ajo grua që kish takuar vetëm një herë, do të ndikonte në palumturinë e saj. Aristotle Onassis besonte se duke u martuar me Jackie Kennedy-n ai do të prekte Amerikën. Në fund, ai nuk mori asgjë. Në vend të kësaj, ai theu zemrën e gruas që donte, Maria Callas-it, duke e poshtëruar atë publikisht, përpara se të kthehej sërish duke u lutur që ajo ta pranonte.

Një feminist i pandreqshëm, që nga mosha 13 vjeçare, Onassis mësoi rëndësinë e marrëdhënieve strategjike. Ai tërhiqte jo vetëm për kënaqësi por për përfitime. Gruaja e tij, ishte e bija e Stavros Livanos, rivalit të tij në flotën detare, një trashëgimtare e pasurisë së të atit.

Maria kuptoi rrezikun që përbënte Onassis për martesën dhe jetën e saj dhe nisi t’i shmangej. Edhe pse martesa prej kohësh nuk shkonte mirë dhe se bashkëshorti Battista Meneghini, gjithashtu menaxheri i saj, i kishte vjedhur paratë, sërish ajo nuk kishte dëshirë për skandale ose të flitej për divorc.

Rënia e saj në karrierë ishte drastike ndaj e hodhi veten në krahët e Onassis, si zonja e tij, me pasion e zemër, duke lejuar të bjerë thellë në dashuri me të, me besimin se edhe ai e donta po aq. Maria u transformua. Onassis filloi të zhdukej për javë të tëra ndërsa Maria kuptonte se marrëdhënia e tyre po mbaronte dhe se nuk do të mund ta shihte sërish. Pikërisht mes këtyre mendimeve, ai bëhej i gjallë duke i dërguar lule dhe ajo linte gjithçka për t’u kthyer pranë tij. Onassis bëhej kritik ndaj saj, duke e detyruar Marian të ndryshonte stil, të hiqte syzet dhe të priste flokët e saj të gjatë e te dendur. Madje e detyroi të largohej nga muzika.

Ndërsa Maria e justifikonte Aristotle-in që nuk e linte të këndonte si diçka të kuptueshme të një njeriu që të do, ai ndërkohe vazhdonte të dëfrehej me gra të tjera, njëra prej të cilave ishte Lee Radziwill, motra e vogël e Jackie-t. Por kjo lidhje nuk do të kishte jetëgjatësi pasi Jackie ngeli vejushë dhe Onassis do të kthehej sërish tek ajo për t’u martuar tashmë. Kur ai e pranoi këtë lidhje i pat thënë Marias: “Nuk është dashuri. Unë të dua ty, por kam nevojë për Jackie-n.”

Maria, ndërkohë, e kaloi këtë situatë në qetësi dhe me dinjitet. Edhe pse zemërthyer dhe e poshtëruar, ajo qëndroi larg medias, mbyllur në apartamentin e saj me grila të ulura duke zgjedhur të mos fliste me askënd.

Në nëntor 1974, kur Maria po këndonte në Japoni, merr një telefonatë nga Parisi dhe menjëherë mendja i shkon te Onassis. Ai ishte në spital në Paris dhe pritej nga çasti në çast të mbaronte. Jackie, pavarësisht procedurave për divorc që kishin nisur, ajo qëndroi krah tij duke urdhëruar stafin e spitalit të mos lejonte Marian të hynte brenda. Kur ai ndërroi jetë pas 6 ditësh, në moshen 70 vjeçare, vetëm vajza e tij ishte afër. Për dy vjet Maria mbajti zi dhe e vuajti aq shumë humbjen e tij, sa vdekja e saj në moshën 53 vjeçare, u quajt më shumë vdekje nga një zemër e thyer se sa nga ataku kardiak.

Në pranverën e vitit 1977, Maria i kërkoi Vasso-s të shkruante që gjithçka i mbetej shërbyeses dhe mikut të saj tenor Ferruccio Tagliavini, por kurrë nuk e firmosi atë.

Me t’u kthyer në Paris, në shtëpinë luksoze e të qetë në Georges Mandel, Maria sapo mbylli derën hyri brenda një dëshpërimi mbytës. Në sytë e saj kishte një shikim të largët, sikur të mos kishte një njeri pas tyre. Por një pjesë e saj vazhdonte me rutinën e vjetër: shikonte televizor, lexonte “Nicholas and Alexandra” të Robert Massie-t dhe praktikonte “Requiem”-in e Verdit, me Vasso-n.

Maria e dikurshme kish vdekur shumë herë përpara se të shuhej e tëra më 16 shtator 1977. Atë ditë ajo u zgjua vonë dhe kërkoi mëngjesin në shtrat. Bëri disa hapa përtueshëm për në tualet. Më pas u mbështet në shtrat dhe bëri të pinte një kafe të fortë. Nuk ndihej mire… Bruna, shërbyesja e saj telefonoi doktorin e Marias por ai kishte dalë. Telefonoi në spital por linja ishte e zënë. Më pas telefonoi doktorin e Ferruccio-s. Maria vdiq përpara se ai të mbërrinte.

“Si Radames te “Aida” që thotë se ‘Jeta është e urryeshme për mua. Burimi i çdo kënaqësie tani është shterur, çdo shpresë është shuar. Dua vetëm të vdes!’, edhe për mua nuk ka shpresë. Nuk dua të jetoj më. Në opera, kam luajtur shumë heorina që kanë vdekur për dashurinë, një gjë të cilën e kuptoj fare mirë. Jeta ime është një opera.”

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF