KreuArt

Risitë e Festivalit të 55-të të Këngës në RTSH

Është zhvilluar pasditen e së hënës konferenca për shtyp që prezantoi risitë e edicionit të 55-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Drejtori i festivalit njëherësh drejtori i njësisë së programeve në RTSH, Rezart Aga, prezantoi një pjesë të stafit. Ndryshe nga vitet e tjera, edicioni i sivjetëm do të ketë pesë producentë muzikorë të cilët do të jenë në rolin e udhëheqësit artistik. Ata janë kompozitorët Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Florent Boshnjaku, Bojken Lako dhe Gent Rushi. Të pestë producentët do të bëjnë përzgjedhjen e këngëve, afati i fundit i pranimit të të cilave është data 24 tetor.

Për tre net me radhë në festival do të këndohen 24 këngë dhe vetëm 14 prej tyre do të kalojnë në finale. Pas natës së parë dhe të dytë, tre juri do të kenë mundësinë e zgjedhjes së këngëve për në finale. “Do të jetë një juri profesionistësh, e cila do të zgjedhë tetë këngë që do t’i çojë në finale. Juria e publikut do të zgjedhë tre këngë dhe juria e gazetarëve tre të tjera.” – sqaron Rezart Aga. Ndërsa në finale vlerësimi do të bëhet përmes jurisë profesionale dhe atij të publikut në raportin 60 me 40 përqind.

Prej 13 vitesh Shqipëria prezantohet nga kënga fituese në Festivalin Europian. Mësohet se përveç çmimit të parë, grupit që do të shkojë në Eurovision, do t’i bashkëngjiten edhe autorët dhe këngëtarët e çmimit të dytë dhe të tretë. “Kjo është një mundësi shumë e mirë për të parë evente të tilla nga afër.” – tregon Aga.

Duke qenë se këtë vit festohet jubileu i 55-të i Festivalit të Këngës, përveç garës do të ketë edhe elemente të nostalgjisë. “Festivali do të përfshijë një koncept tjetër edhe si memorie për 55 vite kontribut të këtij festivali në muzikën shqiptare.” – shprehet drejtori i festivalit.

Ndërkohë për skenografinë dhe regjinë e festivalit është hapur një konkurs për të zgjedhur më pas mes alternativave më të mira.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF