KreuBordo Men

Ayrton Senna: “Vetëm sepse besoj në Perëndi, nuk do të thotë që jam i pavdekshëm.”

“Isha në pikën e nisjes. Duhej edhe një sekond e gjysmë… Më pas edhe një sekond dhe unë do të nisesha. Papritur, unë isha dy sekonda më shpejt se të tjerët. Po e ngisja makinën me instinkt. Isha në një tjetër dimension. Përtej të kuptuarit të ndërgjegjshëm. Në disa momente kur jam duke ngarë makinën, shkëputem nga çdo gjë tjetër.” Kështu e përshkruan ndjesinë, emocionin, magjinë, adrenalinën… gjithçka që Ayrton Senna, piloti brazilian i automobilave, përjetonte në një garë të zakonshme, që nga nisja e deri në finishin që shpesh shoqërohej me vlerësime dhe çmime. Senna ishte një nga pilotët më dominues dhe më të suksesshëm të “Formula Një”, një ikonë e automobilizmit ndërkombëtar.

Ayrton Senna da Silva, lindi më 21 mars 1960 dhe u nda nga jeta më 1 maj 1994 në Bolonja, Itali, si pasojë e një aksidenti të ndodhur në Imola gjatë Grand Prix të San Marinos. Senna ishte një idhull për Brazilin dhe për mbarë botën, ishte piloti i cili fitoi tre kampionate botërore në vitet 1988, 1990, 1991.

Ayrton Senna ishte fëmija i dytë i Milton da Silva dhe Neide Senna da Silva. Kishte një motër më të madhe, Viviane dhe një vëlla më të vogël Leonardon. Ndoqi kolegjin Rio Branco dhe në 1977-ën u diplomua për fizikë ndërsa në shkollë shkëlqente edhe në matematikë, kimi dhe anglisht. Më vonë specializohet për administrim biznesi. Në moshën 13 vjeçare nisi të garojë në pistën e Interlago-s duke u përballur me rivalë që ishin në një moshë më të madhe se të tijën. Ai kryesoi shumë gara deri sa u tërhoq pas një konflikti me një nga rivalët. Puna e tij u bë më intensive, dhe në kampionatin e Amerikës së Jugut, në vitin 1977, u shpall kampion. Ai kontestoi “Kampionatin Botëror në Karting” në vitet 1978-1982 pasi u shpall nënkampion në 1979-ën dhe 1980-ën. Kështu do të niste karriera e Ayrton Senna-s, piloti i cili njohu vetëm trofe dhe suksese duke u kthyer në një legjendë. Një karrierë e nisur vrullshëm por që do të ndalte në fillim majin e vitit 1994.

Gara e fundit e Senna-s ishte “San Marino Grand Prix” që u mbajt në autodromin “Enzo dhe Dino Ferrari”, në Imola, Itali mes të enjtes së 28 prillit dhe të dielës së 1 majit 1994. Me të mbërritur, Ayrton Senna do të akomodohej në hotel “Castello” në Emilia-Romagna. Dhoma ku ai qëndroi mbante numrin 200, një dhomë e cila vijon të ketë të njëjtin dekor që prej 1994-ës: një pasqyrë gjysmë pikë-loti, një radio e vjetër dhe në mure disa piktura të një stili kinez. Pronarja e hotelit, Luisa Tosoni e ruan këtë dhomë të pandryshuar sepse në të është strehuar kujtimi i Ayrton Senna-s. “Sa herë hyj në këtë dhomë më përshkojnë shumë ndjesi. Kjo nuk është një dhomë si gjithë të tjerat, është më e veçantë.” – tregon Luisa. “Këtu ka qëndruar një njeri që na ka dhënë shumë. Ai na ka mësuar shumë me thjeshtësinë sepse kur ishte këtu në hotel ishte mjaft i thjeshtë, i ëmbël, i ndjeshëm. Sa herë që vinte, interesohej nëse kishim gjetur biletë për të shkuar në autodrom. Ai ishte një kampion në pistë, por para së gjithash, për mua, ai ishte një kampion në jetë.”

Të premten, Senna arriti poleposition-in e 65-të dhe të fundit. Ishte i mërzitur nga ngjarjet që po ndodhnin atë fundjavë. Senna ishte ankuar për performancën e makinës pas rregullimeve të fundit nga inxhinerët. Nga ana tjetër Rubens Barrichello u përfshi në një aksident dhe u tërhoq nga gara pas thyerjes së krahut. Gjatë të shtunës, piloti austriak Roland Ratzenberger ishte viktimë e një aksidenti vdekjeprurës pas humbjes së krahut të makinës Simtek-Ford në një kthesë. Senna vizitoi menjëherë vendin e aksidentit dhe qendrën mjekësore. Aty u takua me shefin e mjekëve të “Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit”, Sid Watkins i cili i sugjeron Senna-s së përlotur: – “Unë them që të tërhiqesh nga gara. Pse jo, të shkosh për peshkim siç bëjmë shpesh të dy. Nëse më dëgjon mua, është më mirë kështu.” Ayrton Senna ishte i vendosur. Ai nuk mund të kthehej pas.

Senna e kaloi mëngjesin e fundit në atë të diel maji, duke folur me ish shokun e skuadrës dhe rivalin Alain Prost dhe temë ishte përmirësimi i sigurisë në “Formula Një” dhe dëshira e madhe për të garuar.

Në xhiron e shtatë, makina e Senna-n del nga pista me një shpejtësi 307 km/h dhe përplaset me një mur betoni me shpejtësi 233 km/h. Flamuri i kuq u shfaq si pasojë e aksidentit. Brenda dy minutave nga përplasja, Senna u nxorr nga makina nga profesor Watkins dhe ekipi i tij mjekësor. Si fillim u trajtua nga mjekët në anë të makinës. Senna kishte rrahje të dobta zemre dhe po humbte shumë gjak. Menjëherë u transportua në spitalin “Maggiore” të Bolonjës nën mbikqyrjen e doktor Gordinit. Në orën 18:40 minuta, kreu i departamentit të emergjencës, doktor Fiandri njoftoi se Senna kish ndërruar jetë por ora zyrtare e vdekjes sipas ligjit italian ishte 14:17 minuta, kur u përplas  dhe truri i tij pushoi së punuari.

Kur Senna vdiq, qeveria shpalli zi kombëtare për tre ditë dhe rreth 3 milion njerëz u rreshtuan në rrugët e Sao Paulo-s për të shoqëruar arkmortin e kthyer nga Italia, nga aeroporti në qytet. Të gjithë ishin të përlotur dhe të trishtuar nga humbja e idhullit të tyre.

Atë ditë ishin të pranishëm dashamirës dhe kolegë. Ndërkohë presidenti i atëhershëm i “Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit”, Max Mosley, shkoi në funeralin e Ratzenberger-it me justifikimin që e pa të arsyeshme ta bënte këtë sepse të gjithë shkuan te funerali i Senna-s. Nga ana tjetër familja kish kërkuar që bosi i “Formula Një”, Bernie Ecclestone, të mos ishte prezent, pasi ishin të mërzitur që ai nuk e ndaloi garën pas përplasjes së Senna-s.

Siç u zbulua më vonë, një flamur i Austrisë u gjet i palosur brenda në makinën e Senna-s. Mendohet se ai do ta ngrinte atë në fund të garës në nder të pilotit Ratzenberger të ndarë nga jeta një ditë më parë.

Senna ishte një katolik i devotshëm. Një herë, ai qe shprehur: – “Vetëm sepse besoj në Perëndi, nuk do të thotë që jam i pavdekshëm.” Senna lexonte Biblën sidomos në fluturimet e gjata nga Sao Paulo në Evropë. Sipas motrës së tij, ai kishte kërkuar forcë nga Bibla në mëngjesin e vdekjes së tij, duke lexuar disa rreshta. “U duk sikur kërkoi dhuratën më të madhe, që në fakt ishte vetë Perëndia”, – tregon motra e tij Viviane. Dhe kështu ndodhi. Siç shkruhet dhe në epitafin e varrit të tij: “Nada pode me separar do amor de Deus” – Asgjë nuk mund të më ndajë nga dashuria e Perëndisë.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF