KreuArt

Dy dashuritë e mëdha të poetes Sylvia Plath: të shkruarit dhe Ted-i

9 korrik 1962. Sylvia Plath nxitoi të kapte telefonin përpara se Ted Hughes do ta ndërpriste. Ajo njohu gruan që pyeste për të, edhe pse Assia Wevill e uli zërin duke pretenduar, siç mendoi Sylvia, sikur të ishte një burrë. Ajo ka qenë në ankth që kur Assia dhe bashkëshorti i saj May kishin shkuar në shtëpinë e tyre. Për Sylvia-n, tërheqja mes Ted-it dhe Assia-s kish qenë e dukshme. Sylvia kapi telefonin, u zverdh në fytyre, dhe u kthye nga Ted… Ishte ky moment i jetës së saj kur poezia shpërtheu si një domosdoshmëri dhe u bë akoma më shumë autobiografike. Në poezitë e saj, ajo përshkruan se si fjalët e pista dolën nga goja e saj kur iu përgjigj asaj telefonate. Çfarë Sylvia nënkuptoi në ditën e telefonatës ishte që ajo nuk ka qenë kurrë e lumtur me bashkëshortin, fëmijët, shtëpinë dhe me të shkruarin. Nuk ishte as dinakëri, as mendim i dëshiruar. Fjalët ishin ngushëllim për të. Vetëm përmes fjalëve që shkruante mund të ishte bashkë dhe e lumtur me Ted-in. Poezia ishte një qartësi e momentit përkundrejt konfuzionit që po e shkatërronte. Ajo dëshironte më shumë se sa ç’mund t’i jepnin fjalët.

Poetja amerikane Sylvia Plath lindi më 27 tetor 1932 në Boston. U martua në vitin 1956 me kolegun e saj Ted Hughes. Dy ishin dashuritë e saj më të mëdha, të shkruarit dhe Ted-i. Pasuria e Sylvia-s qëndron te fjala dhe përmes saj, Ted-i në novelën e dytë të Plath-it shfaqet si hero edhe pse ai ishte shkaktari i dhimbjeve të saj dhe fundit tragjik. Edhe pse e dashuronte, ajo kërkonte që Ted-i të largohej. Ai shkon në Londër, duke u kthyer rrallë për të parë fëmijët. Çifti vijoi të përmbushte angazhimin profesional në Londër apo kudo gjetkë, duke e mbajtur të fshehtë ndarjen, e duke u sjellë si partnerë miqsorë kur shfaqeshin në publik.

Më 24 shtator, Sylvia i shkroi nënës së saj kur kuptoi që Ted-i nuk do të kishte kthim pas. “Jeta ime, gjithçka e imja, u shemb.” – do të shkruante mes të tjerave poetja. Ajo nuk i kish treguar nënës së saj për lotët e derdhura dhe për humbjen në peshë. Kish nisur të tymoste. Në tetor, në muajin kur beri 30 vjeç, Sylvia përjetoi një hov frymëzimi duke shkruar dy nga poemat e saj më të fuqishme. Shkroi një letër për t’i kërkuar falje nënës së saj. “Grise letrën time të fundit. Është shkruar kur isha aq keq sa më s’bëhet, dhe kam pasur një ndryshim shpirtëror rrënjësor. Jam më e gëzuar dhe më e lumtur sa nuk kam qenë ndonjëherë.”

Më 3 shkurt, Sylvia telefonoi Ted-in dhe e ftoi atë për drekë. Në shënimet e ditarit të tij, një javë pas vdekjes së Sylvia-s, shkruhej se ai kish qëndruar me të deri në orën 2 të mëngjesit. Nuk kishin kaluar aq bukur që nga korriku, kujton ai, ndërsa ai dëgjonte atë të lexonte poemat e saj të reja.

Ditën tjetër, sipas ditarit të Ted-it, Sylvia e telefonoi nga një kabinë publike dhe e pyeti nëse ishte e vërtet që ai do të largohej nga Anglia pas dy javësh. Ajo iu lut që ai të mos largohej. Ishte vërtet e mërzitur, por jo aq sa në ditët e para. Vazhdimisht e pyeste, nëse ai kishte besim tek ajo.

Ted-i kishte marrë një letër lamtumire dashurie prej saj. Në dy fjali, ajo i tregoi se do largohej nga qyteti dhe se nuk do e takonte më kurrë. Kur i kërkoi shpjegim për këtë, ajo me ftohtësi e dogji letrën në një tavëll duhani dhe e urdhëroi atë të largohet. Po atë ditë, Sylvia shkroi letrën e fundit nënës së saj: “Nuk i kam shkruar askujt sepse kam qenë pak e zymtë. Turbullirat morën fund, po shoh fundin e gjithçkaje. Më duhet të luftoj e vetme këtu ku jam.”

Dy poemat e fundit të Sylvias përfunduan më 2 shkurt: “Balona” dhe “Pragu” në të cilën shkruhej vargu i hidhur megjithatë i qetë: “Shkuam shumë larg. Mori fund.”

Më pas ajo kish telefonuar miken e saj, shkrimtaren Jillian Becker. Sylvia mbërriti në shtëpinë e saj rreth orës 2 të drekës duke thënë se ndihej e shkatërruar. Ndërsa fëmijët e saj Frieda dhe Nicholas po luanin me vajzën e vogël të Jillian-ës, Sylvia iu drejtuar mikes duke i thënë: “nuk dua të kthehem në shtëpi.”

Pas darke, Jillian pa Sylvia-n që mori disa hape për gjumin dhe priti deri sa të flinte. Në orën 3:30 të mëngjesit, ajo ish zgjuar dhe po qante. Për dy orë folën për problemet e saj, për vdekjen e babait, tradhëtinë e Ted-it dhe gjykimeve të nënës së saj. Sylvia mori një antidepresant dhe fjeti. Të dielën, Sylvia i thotë Becker-it se dëshiron të kthehet në shtëpi. Bashkëshorti i Jillian-ës, Gerry, e shoqëroi me makinë për në shtëpi, dhe gjithë rrugës Sylvia qante. Për herë të fundit i tha të qëndronte në shtëpinë e tyre, por ajo refuzoi. Ai u largua nga Sylvia rreth orës 7 të pasdites, pasi Sylvia kish ushqyer fëmijët dhe i kish çuar në shtrat për të fjetur. Më pas doktori e telefonon për ta pyetur nëse ishte mirë.

Ishte 11 shkurt, dhe Sylvia Plath “po bëhej gati” të vdiste. La ushqim dhe pije për fëmijët në dhomën e tyre dhe u hapi dritaren. Në korridor, la një letër ku shënohej emri i doktorit dhe numri i një kujdestareje fëmijësh. Mbylli derën e kuzhinës, e izoloi me rroba dhe peshqirë. Më pas hapi gazin dhe futi kokën sa më shumë të mundte në furrë.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF