“Përgjithmonë, Mozart-i që të do me gjithë zemër…”

Një nga historitë e dashurisë që ka ardhur deri në ditët tona përmes një korrespondence të ndjerë, është ajo mes Constanze Marie Weber dhe Wolfgang Amadeus Mozart.

Constanze Marie Weber, një nga bijat e një muzikanti jo të rëndësishëm, e lindur në Zell, Gjermani, më 5 janar 1762, ishte, në shumë mënyra, partnerja ideale për Mozart-in. Ajo ishte më shumë se sa natyra e tij e levizshme dhe ndryshimet e humorit. Ajo ishte me këmbë në tokë, e aftë për t’u kujdesur për shtëpinë. Constanze ishte inteligjente, fliste rrjedhshëm italisht dhe frengjisht edhe pse ishte gjermane. Në shumë aspekte, ajo ishte bashkëshortja perfekte për një kompozitor. Dhe Mozart ishte i bindur për zgjedhjen e tij. Në një letër të kujdesshme, ai i shkruan babait të tij: “Më duhet të të njoh me karakterin e Constanze-ës sime të dashur. Bukuria e saj qëndron te sytë e saj të zi dhe te harmonia e paraqitjes së saj të jashtme. Ajo pëlqen të jetë e veshur në mënyrë të rregullt dhe të pastër. Dhe gjithçka një grua ka nevojë, ajo është e aftë ta bëjë vetë. Madje edhe flokët ajo i rregullon vetë çdo ditë. Unë e dua atë dhe ajo më do mua me gjithë zemër. Më thuaj nëse më duhet të kërkoj për një grua tjetër më të mirë.”

Në mendjen e Mozart-it kishte vetëm dy gjëra: kompozimi i një operaje të re dhe romanca me zonjushën Weber. Përfundimisht, pas disa muajve sorollatje, Mozart-i doli me lajmin se ai do të martohej. Në dasmën e tyre në katedralen “St. Stephen” në Vjenë, Mozart dhe Constanze lotuan, ashtu sikurse prifti dhe gjithë kongregacioni. Ishte martesë e një dashurie dhe mirëkuptimi të thellë, të cilat do t’i duheshin gjithë jetën. Në nëntë vite ajo solli në jetë gjashtë fëmijë, prej të cilëve vetëm dy mbijetuan. Ai shpesh sforcohej të shkonte në turne të ndryshme për të fituar para për të paguar faturat.

Wolfgang Amadeus Mozart
Wolfgang Amadeus Mozart

Edhe kur ishin larg, ata shkëmbenin letra me njëri-tjetrin. Ashtu siç ndodhi në vitin 1790 kur ai shkoi në Frankfurt, jashtë dëshirës së tij, por për të përballuar jetën e vështirë ekonomike. Mozart-i i shkruan Constanze-ës nga Frankfurti ku kishte shkuar për të kërkuar punë në kohën që familja ishte në vështirësi ekonomike. “E dashur zonja e zemrës sime! Sikur të kisha vetëm një letër nga ti, çdo gjë do të ishte ndryshe. E dashur, nuk kam dyshim që do të gjej diçka këtu, por nuk është aq e lehtë sa ç’mendon ti dhe miqtë. Është e vërtet që jam i njohur dhe i respektuar këtu, por, mirë, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Sidoqoftë, do ta marr qetë, sepse dua ta përfundoj këtë marrëveshje. Dua të fitoj para pa shpenzuar shumë. Gjithë çfarë duhet të bëj është të punoj, dhe do të jem i lumtur ta bëj këtë gjë për gruan time të vogël.”

Martesa mes Mozart-it dhe Constanze-ës ishte padiskutim e suksesshme. Ndonjëherë kishte dhe tension, si në çdo lidhje tjetër. Por pajtimi ishte gjithnjë i ëmbël: ato e adhuronin njëri-tjetrin pa rezerva dhe kujdeseshin për njeri-tjetrin butësisht.

Constanze Marie Weber
Constanze Marie Weber

Pas disa kohësh, Mozart i shkruan një tjetër letër, këtë herë i përfshirë dhe mjaft poetik. “Jam i ekzaltuar si një fëmijë kur mendoj që do të jemi bashkë sërish. Nëse njerëzit do të shihnin brenda zemrës sime, do të skuqesha i tëri. Çdo gjë këtu është e ftohtë, akull e ftohtë. Nëse do të ishe këtu me mua, ndoshta do të pranoja mirësjelljen që njerëzit janë duke shfaqur ndaj meje. Kështu siç jam, gjithçka është bosh. Adieu! Mirupafshim e dashura ime. Përgjithmonë, Mozart-i që të do me gjithë zemër.” 

Wolfgang Amadeus Mozart
Wolfgang Amadeus Mozart

Shëndeti i Mozart-it po përkeqësohej. Në vitin 1791, ai po punonte për operën “Flauti magjik”. Në këtë kohë e mundonte ideja që po shkruante diçka për funeralin e tij. Constanze përpiqej ta qetësonte e të mos e lejonte të punonte kaq shumë. Edhe në këtë moment, ai ishte i shqetësuar për të ardhmen e bashkëshortes së tij. Kur Mozart-i ndërroi jetë në vitin 1791, Constanze ishte 29 vjeç. Ajo kishte dy fëmijë për të rritur, djalin shtatë vjeç dhe fëmijën 4 muajsh. Në vështirësi ekonomike, me ndihmën e vazhdueshme të familjes së saj, Constanze nisi të organizojë koncerte përkujtimore në Vjenë dhe Pragë. Në këtë kohë ajo rinis karrierën si këngëtare duke mbajtur koncerte në Gjermani dhe Austri, bashkë me motrën e saj Aloysia, ndërkohë që nostalgjia për muzikën e Mozart-it shtohej çdo ditë e më shumë.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.