Xhejn Kumrija: “Nuk kam bërë kompromise. Nëse do të ndodhte, do të kishte një arsye shumë të fortë.”

Intervistë | nga Andri Xhahu

Janex është një nga emrat më të rinj të muzikës shqiptare por padyshim shumë premtues. Pavarësisht moshës së saj të re, Janex numëron disa pjesëmarrje në festivale këngësh dhe videoklipe. Xhejn Kumrija ka zgjedhur këtë emër për t’u prezantuar në artin që ajo bën. Ndryshe nga daljet e mëparshme krah motrës Enxhi Kumrija, Xhejn ka ndryshuar stilin dhe mënyrën se si e koncepton muzikën. Këtë e dëshmon dhe kënga e saj më e fundit “Wannabe”. Ky krijim i ri muzikor çoi BORDO-në te Janex, ndërsa ju ftojmë të lexoni intervistën me të.

Xhejn Kumrija
Xhejn Kumrija

Xhejn, sapo keni publikuar këngën tuaj më të fundit “Wannabe”. Kush janë autorët e saj?
Kohët e fundit kam hyrë, le të themi, edhe në rolin e producer, duke qenë kështu autorja kryesore e këngëve të mia. “Wannabe” është shkruar nga unë e më pas i është besuar “Tull Productions” për finalizimin e saj.

Ka një mesazh që vjen bashkë me këtë këngë?
Kënga për mua përshkruan gjendjen aktuale përreth, të paktën si unë e shoh, për fasadën që jetojmë çdo ditë, në përpjekje për të qenë mbase ato që s’jemi por që do të donim të ishim. Është një këngë që ngre shumë pikëpyetje, si vetë refreni: – “You, wanna be, who?” (Ti, dëshiron të jesh, kush?) Sigurisht mund të interpretohet në shumë forma pasi gjithmonë kam zgjedhur ta lë të hapur, përveç mesazhit bazik.

A do të ketë një video kënga?
Po, do të ketë një video, e cila do të publikohet së shpejti. Jemi në punë e sipër për ta përmbyllur.

Kënga është publikuar në disa sajte të rëndësishme, si në “iTunes” dhe “Spotify”. Të paktë janë këngëtarët shqiptarë që ja kanë arritur kësaj. Si keni arritur ta mundësoni këtë gjë?
Kjo gjë është mundësuar nga labeli “360M Records” me bazë në New York, në të cilën kam nënshkruar një kontratë së fundmi. Kjo kontratë konsiston pikërisht në publikimin e këngëve të mia në mbarë botën përmes këtyre portaleve dixhitale, radio e DJ.

"Wannabe" nga Janex
“Wannabe” nga Janex

Ju komplimentoj për stilin tuaj në muzikë. Pse keni zgjedhur të vini në këtë stil?
Ju falenderoj. Duke lënë pas modestinë, përveç zgjedhjes mendoj që është diçka së cilës nuk i bëj dot bisht dhe po të doja. Kjo jam unë fundja.

Do bënit ndonjëherë kompromis për disa klikime më shumë? Ju është dashur të bëni ndonjë deri më tani?
Jam aq pro dhe kundra kompromisit. Besoj te kompromisi me masë dhe pa të fshirë identitetin apo karakterin që të përfaqëson. Të gjithë bëjmë kompromise. Tani akoma
nuk kam bërë asgjë të ngjashme, por nëse do të ndodhte, besoj që do të kishte një arsye shumë të fortë nga pas.

Xhejn dhe Enxhi Kumrija
Xhejn dhe Enxhi Kumrija

Duket se i jeni dedikuar muzikës më shumë se sa motra juaj. Nga bëhet Enxhi?
Enxhi i është dedikuar muzikës gjithashtu. Jo me këngën, por përmes violinës. Nuk ka shumë kohë që është diplomuar dhe së shpejti do të specializohet jashtë vendit. Jam shumë krenare për të, pasi e di që të arrish diçka të tillë me forcat e tua dhe talent është disi e rrallë në ditët e sotme.

Çfarë do të presim në vijim nga Xhejn?
Xhejn ka plot projekte në kokë . Dhe mendoj që ju pret një stuhi me të tilla!

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.