Alban Ramosaj: “Çdo gjë që ndodh në ‘Dance with me’, ndodh në të vërtet.”

Intervistë | nga Andri Xhahu

Dikur njihej si nipi i këngëtares Albërie Hadërgjonaj ose si vëllai i këngëtares Beatrix Ramosaj. Por tani ai nuk ka më nevojë për një mbiemër më shumë, sepse Alban Ramosaj thotë gjithçka. Këngëtari i talentuar që ka bërë për vete adoleshentet, të rnjtë dhe jo vetëm me këngët “Ç’kemi” dhe “A më do”, së fundi vjen me një tjetër angazhim. Këtë herë kryefjalë është kërcimi. 20 vjeçari është pjesë e spektaklit “Dance with me” por pa u shkëputur nga muzika, sepse në vazhdim Albani premton surpriza. Për BORDO, Ramosaj tregon se si u gjend në një spektakël kërcimi, marrëdhënien me konkurrentët e tjerë dhe për triologjinë e tij muzikore.

Alban Ramosaj
Alban Ramosaj

Alban, përshëndetje. Si po shkojnë provat?
Shumë lodhje, por kur mendoj për gjërat e mira që po vjel, çlodhem menjëherë (qesh).

Me çfarë kërcimi prezantohesh këtë javë?
Kam një kontemporane shumë të bukur, me një këngë të Jennifer Lopez. Albi Nako është gjeni.

Çfarë të joshi të bëheshe pjesë e një spektakli kërcimi?
Vetë kërcimi. Gjithmonë kam dashur ta praktikoj si talent, kërceja herë pas here dhe doja që ta përvetësoja pak më shumë. “Dance with me” m’u duk platforma e duhur për ta bërë këtë.

Shohim një kimi mes teje dhe Borës në skenë. Si është marrëdhënia juaj pas kamerave?
Jemi shumë shokë të mirë. Njihemi familjarisht dhe kemi shumë miqësi të përbashkët.

Cili ka qenë vallëzimi që të ka pëlqyer më shumë.
Paso Doble, java e dytë.

Alban Ramosaj në "Dance with me"
Alban Ramosaj në “Dance with me”

Si është marrëdhënia me konkurrentët e tjerë?
Me të gjithë kam marrëdhënie të mira, por më së shumti me Vikin, që e kam si vëlla të madh dhe Jessy-n, që e kam shumë xhan.

I frikësohesh ndonjërit prej tyre?
Aspak, s’ka pse fundja, nuk është kompeticion. Edhe sikur të ishte, nuk jam aq kompetitiv si njeri, që të arrij të manifestoj ndjenja negative.

Debati që lind shpesh mes konkurrentëve dhe anëtarëve të jurisë, a është i vërtet apo pjesë e show-t?
Show është real! Çdo gjë që ndodh në të, ndodh në të vërtet.

Alban Ramosaj në "Dance with me"
Alban Ramosaj në “Dance with me”

Çfarë synon të arrish në këtë spektakël?
Të them të drejtën, të jem njëqind përqind i sinqertë, kur pranova ftesën, kur mbarova javën e parë dhe deri më sot nuk ja kam idenë. Thjesht e di që po kënaqem shumë dhe kam zënë shoqëri të re, diçka që më bën shumë të lumtur. Ideja është që të marr sa më shumë eksperiencë në kërcim por nuk është vetëm kjo ajo që po marr. Me pak fjalë, jam i lumtur tani për tani.

Ndërkohë je pjesëmarrës edhe në “Këngën magjike”. Si po shkon kënga?
Shumë mirë. Çdo njeri që takoj më rikujton gjëra që s’dua t’i kujtoj, por hej, ja bëra vetes (qesh).

Alban Ramosaj në "Kënga magjike"
Alban Ramosaj në “Kënga magjike”

Ndonjë projekt i ri muzikor në vazhdim?
Sapo përmbylla triologjinë e parë të quajtur “Po nëse…”, e cila është në shitje në çdo portal muzikor online. Jam në prag të përfundimit të një triologjije tjetër nën emrin “Hiraeth, e cila do të publikohet sapo të kem mbyllur dhe xhirimet për të, duke marrë parasysh që është si një film me metrazh të shkurtër. Po më merr shumë kohë, kështu që ju kërkoj të jeni pak të duruar. Përveç kësaj të fundit, kam dhe disa singel-a që do i publikoj ndërkohë që “Hiraeth” po gatuhet.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.