KreuArt

Driada Dervishi: “Me teatrin nuk duhet bërë tregti!”

Intervistë | nga Andri Xhahu

“Sonte do të luajmë pa tekst” e Luigi Pirandello-s mbërrin në fund të rrugëtimit të nisur disa muaj më parë në “Teatrin Kombëtar”. Në datat 14, 15 dhe 16 tetor do të jenë tre shfaqjet e fundit të kësaj vepre të dramaturgut italian. Regjisorja, Driada Dervishi, e cila e ka vënë në skenë këtë pjesë, ka bërë bashkë në mënyrë të përsosur komedinë, melodramën, kabarenë, operën dhe dramën. Për BORDO, regjisorja Dervishi na tregon për emocionet dhe ndjesitë që lidhen pas kësaj shfaqjeje, puna me aktorët si dhe mbi atë çka e pret në vijim.

Driada, “Sonte do të luajmë pa tekst” do të ketë shfaqjet e fundit në “Teatrin Kombëtar”. Si ishte ky rrugëtim?

Teatri, më i vjetri nga artet, të jep një mundësi të madhe komunikimi, të shprehesh për mendimet e tua, ndjenjat e tua, e t’i ndash ato me një grup të madh njerëzish. “Fjala! Çfarë pushteti!” – thotë Shekspiri. Dhe këtë fjalë në teatër ti ke mundësi ta personalizosh, të përcjellësh shumë nga bota jote e brendshme duke u mbështetur në tekste nga autorë shumë të mëdhenj. Tekste që janë 400 vjet të vjetër apo vetëm 40 vjet, nuk ka rëndësi, por ti gjen mes tyre atë që ty të shqetëson, fenomene të shoqërisë që ti do t’i hedhësh për diskutim, për njeriun, madje për vetë natyrën e njerëzimit. Pirandello ka thënë shumë për të gjitha këto, por te “Sonte do të luajmë pa tekst“ gjeta atë që doja të ndaja me publikun në këtë periudhë të jetës. Nga njëra anë drama e  xhelozisë, burgosja e një gruaje, një temë tejet e fortë dhe e tmerrshme që më bën të ndjehem e pafuqishme dhe po aq më revolton sa herë shikoj gra të mbuluara kokë e këmbë. E duke parë që po shtohen frikshëm edhe në vendin tonë, është mënyra ime përmes shfaqjes t’i them: “Mos”, e për këtë dua të falendëroj dy aktorët kryesorë që me një lojë të fortë aktoriale e përcollën këtë dramë duke u bërë pjesë e këtij mesazhi, Dritan Boriçi  e Adelina Muça.

E nga ana tjetër është ndjesia si regjisore në këtë pikë të karrierës sime në marrëdhenie me aktorët. Konflikti mes konceptit, imazhit  regjisorial dhe procesit të brendshëm krijues të aktorëve. Gërshetimi i komedisë dhe dramës, i muzikës dhe fjalës, i vallëzimit dhe dehjes, e bënë të parezistueshëm ndërmarrjen e këtij rrugëtimi. Të gjithë regjisorët e dinë, që momenti i përzgjedhjes së një vepre është nisja e një historie dashurie me shikim të parë. Tani që jemi drejt fundit të kësaj historie, ndjej se është nga ato dashuri që nuk harrohen kurrë.

Çfarë mendoni se solli ndryshe “Sonte do të luajmë pa tekst” në jetën teatrore të kryeqytetit?

Pirandello kur thoshte dikur: “Unë jam bir i kaosit”, sigurisht nuk kishte parasysh një vend të vogël që quhet Shqipëri, ku  fjala kaos është sinonim i saj, dhe as që e mendonte se kjo pjesë do të mund të vihej në 2016-ën në një vend, që në 1930 (vit kur kjo pjesë u shkrua) nuk kishte ende brezin e parë të regjisorëve dhe as aktorëve profesionistë. Me këtë dua të them që pavarësisht kaosit, repertorit të teatrit shqiptar iu shtua një vepër e madhe teatrore. Një shfaqje që më bëri të zbuloj se sa shumë admirues kishte Pirandello në Shqipëri (gjë që me turp e them se e kisha paragjykuar) dhe që sa shumë të tjerë e zbuluan atë nëpërmjet kësaj shfaqjeje. Ishte kënaqësi kur mes urimeve dhe mesazheve nga shumë të panjohur, lexoja: “Pamë një shfaqje krejt ndryshe!” Unë dua të shkoj në teatër që të provokohem, të filloj të mendoj ndryshe, të mund të  lëvizë diçka brenda meje, të mundem të shoh disa gjëra ndryshe, të emocionohem, të nervozohem, të revoltohem, të qesh me lot e në atë të qeshur të më mbetet një mendim. E në këtë shfaqje jam përpjekur që të kishte shumë nga këto ndjesi. Jam përpjekur të zbuloj nëntekstin përmes një zbërthimi regjisorial energjik, dhe mbitekstin përmes një imazhi estetik e simbolik.

Në këtë vend, ku fenomeni jo më problematik se “Oh sa shumë paska në kaq pak metra katrorë vend” por më i çuditshmi është kaosi i vlerave, ka akoma njerëz që besojnë tek teatri. Sipërfaqësorja ose kultura, nuk do ta quaja e masave por e sufllaqeve, është një luftë ndaj së cilës arti më shumë çdo fushë tjetër i takon ta bëjë. Shfaqja “Sonte do të luajmë pa tekst” është një rezistencë pikërisht ndaj degradimit të së bukurës, një ftesë për t’u pasuruar mendërisht e shpirtërisht e për të mos harruar thelbin  e teatrit. E dimë që kushtet për të bërë teatër siç duhet nuk kanë për të qenë kurrë ideale, ashtu siç njerëzit e teatrit e dinë mirë se një jetë në teatër do të thotë një jetë pafund sakrificash e përkushtimi të pamatë, e qënë fund ndoshta shumë pak do të të kthehet mbrapsht. Por, për sa kohë ne i përkushtohemi teatrit me idealizëm, dhe përsa kohë publiku do të vazhdojë ta ndjekë atë ashtu si këtu e 3000 e ca vjet më parë, nuk ka pse të mos bëhen shfaqje të mira e nuk ka pse të mos i rezistojmë tundimit të të bërit sufllaqe me artin. Teatri të bën të mendosh, të ndjesh, të shkosh diku tjetër dhe kjo është vlera e tij. Jetojmë në një botë ku çdo gjë është bërë tregti, ku çdo gjë shitet e  blihet, por ajo që do doja të përcillja me këtë shfaqje është pikërisht: “Me teatrin nuk duhet bërë tregti!”

Sa e vështirë ishte të bëje bashkë disa nga emrat më të mirë të teatrit?

Arti teatror është arti i aktorit. Mund ta zhveshim nga çdo gjë një skenë teatri: nga dritat,  muzika, veshjet, dekori por kurrë nga aktori. Duke qenë elementi kryesor i një shfaqjeje, do një kujdes të veçantë përzgjedhja e tyre, e në këtë shfaqje nuk kishte vetëm aktorë, por dhe balerinë e një fizarmonicist. Nëse skena e teatrit është një telajo e madhe, është detyra e një regjisori që çdo personazh/penelatë të ketë nuancën e duhur dhe të gjitha në fund të jenë në harmoni. Për mua nuk ishte shumë e vështirë përzgjedhja e aktorëve, pasi me shumë prej tyre kam punuar dhe më parë në pjesë të ndryshme. Ata e njohin mirë mënyrën time të punuarit ashtu si unë mendoj se i njoh mirë, aq sa mund të njihet natyra njerëzore në gjithë kompleksitetin e saj, dhe them janë të vendosur secili në rolin e tij. E vështirë ndoshta ka qenë pak për drejtorin e “Teatrit Kombëtar”, pasi kishte disa aktorë të jashtëm e kjo ka një kosto financiare, por Hervin Çuli duke qenë vetë regjisor, u përpoq të plotësonte çdo kërkesë dhe u kujdes të mos kisha asnjë kufizim në përzgjedhjen e kastit, dhe për këtë e falenderoj. Ajo që është e padiskutueshme në këtë shfaqje është fryma e një grupi ansambël. Të gjithë ishin në vendin e tyre, askush nuk u përpoq t’i “vidhte” dikujt “skenën” apo të tërhiqte vëmendjen atëherë kur nuk ishte momenti i tij. Dhe kjo për mua është pjekuri profesionale. Kishte aktorë me emra të mëdhenj, por që askush prej tyre nuk la emrin që të punonte për të. Besoj me Pirandello-n u arrit të krijohej një familje e madhe, me një larmishmëri karakteresh, të cilët në fund ishin të gjithë bashkë për të dhënë më të mirën: Dritan Boriçi, Adelina Muça, Met Xhelili, Sokol Angjeli, Olta Daku, Niada Saliasi, Olta Gixhari, Amos Zaharia, Besmir Bitraku, Neritan Liçaj, Gent Hazizi, Marsel Rupi, Vilma Hodo dhe me pjesëmarrjen e veçantë të aktores Yllka Mujo, pa lënë mënjanë dhe  balerinët Elena Basha, Nertil Hoxha si dhe fizarmonicistin Elton Balla i cili iu bashkëngjit këndshëm trupës së aktorëve. Kalimi nga personazhi tek vetja dhe anasjelltas është bërë me një konkretësi e zhdërvjelltësi që të bën përshtypje, duke gërshetuar secili prej tyre mjaft mirë mendimin, emocionin dhe veprimet skenike. Dhe duhet thënë që veprimet skenike e koreografike në këtë shfaqje nuk kanë munguar. Nga ana tjetër me një skenografi minimaliste e me pothuaj aspak rekuizitë, puna e aktorit vështirësohet, por mendoj në këtë mënyrë ata u fokusuan më shumë tek thelbi, i dhanë peshë  asaj që duhej të përcillnin dhe ia dolën me profesionalizëm. “Sonte do të luajmë pa tekst “ nuk mund të vihej pa aktorët më të mirë të tre brezave të teatrit shqiptar e unë jam e lumtur që e ndava me ta këtë udhëtim pirandelian.

Fundi i një projekti është edhe fillimi i një tjetri. Çfarë ju pret në vijim?

Kemi dhe tri netë akoma shfaqje në “Teatrin Kombëtar” dhe kam filluar që tani të ndjej dalëngadalë nota nostalgjie. Emocione dhe orë që nuk do kthehen më, por që na kanë pasuruar nga pak apo shumë të gjithëve. Projekti i ri, është një sfidë e një natyre krejt tjetër, nuk ka një trupë kaq të madhe aktorësh, por ka vetëm një, ama mendoj më e mira e brezit të saj dhe jo vetëm. Një komedi me një zë të vetëm, do ta quaja, e ky zë do të jetë aktorja Olta Daku, në një pjesë të Willy Rusell. Nëse “Sonte do të luajmë pa tekst” ishte një dedikim për teatrin e mirë, kjo pjesë i dedikohet figurës femërore. Kështu nuk më mbetet gjë tjetër vetëm t’ju them: “Ejani në teatër. Teatri ju bën mirë dhe më të mirë!”

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF