Festina Mejzini: “Si dielli dhe hëna që nuk takohen…”

Intervistë | nga Andri Xhahu

Me siguri emrin e saj e mbani mend që nga spektakli i talenteve “X-Factor”. Me një zë të veçantë, vajza nga Gjakova ishte e ndrojtur së jashtmi por shpërthyese në përformancat e saj. Ajo është Festina Mejzini. Ka kaluar kohë nga pjesëmarrja e saj në “X-Factor” dhe tani prezantohet si një artiste e vërtet me një këngë shkruar për të në nota e vargje nga Eriona Rushiti. Për BORDO, Festina rrëfen gjenezën e këtij bashkëpunimi dhe pritshmëritë e saj në “Kënga magjike”.

Festina Mejzini
Festina Mejzini

Festina, ju prezantoheni në “Këngën magjike” me këngën “Si dielli hanën”. Kush janë autorët e saj?   

Që vjet kemi dashur të bashkëpunojmë me Eriona Rushitin, e cila është kompozitorja dhe tekstshkruesja e kësaj kënge, si edhe me Enis Mullajn që e ka arranzhuar me profesionalizëm. Por për faktin që unë vazhdoja ende studimet në Tiranë dhe studioja diçka ndryshe nga muzika, menduam që prezantimin në “Kënga magjike” ta sillnim këtë vit.

Vini me një baladë të fuqishme. Dashuria është kryefjala e saj?

E vërtet është që kjo baladë ka një fuqi të madhe, sepse buron nga dashuria. Por bëhet fjalë për një dashuri që nuk i lejon të dashuruarit të jenë bashkë. Ashtu siç Dielli dhe Hëna ekzistojnë, dhe kjo dashuri është prezente aty, çdo ditë, por vetëm shpirtërisht. Ashtu siç Dielli e Hëna nuk mund të takohen, e të jenë bashkë, ashtu edhe këta të dashuruar nuk mund ta jetojnë dashurinë fizikisht bashkë. Eriona vendosi që këtë tekst ta shkruajë në dialektin gegë, që për mua të ishte sa më natyral në të kënduar. Shpresoj t’ja kemi arritur qëllimit dhe ideja e baladës të prekë gjithkënd që jeton një histori dashurie të pamundur. Së bashku me Erionën dhe Enisin mendoj që jemi bërë një ekip ku çdo ide dëgjohet, mirëpritet dhe realizohet. Dua t’ju them që kemi edhe surpriza të tjera me këtë ekip.

Festina Mejzini
Festina Mejzini

Si ishte përballja me jurinë?

Pavarësisht se kisha besim që kënga dhe interpretimi im do priteshin mirë dihet që përballja me çdo juri ka gjithnjë emocione të forta. Të shohësh dritat jeshile që shtypen sapo nis strofa, është një emocion akoma edhe më i madh. I falenderoj të gjithë anëtarët që e vlerësuan maksimalisht prezantimin tim.

Çfarë prisni nga kjo pjesëmarrje?

Për mua që më kishte munguar skena që nga dalja ime në “X-Factor” është një nxitje për më tepër. Dhe ju premtoj që do e realizoj.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.