KreuArt

Rosela Gjylbegu: “Dashuroni dhe bëhuni të dobishëm”

Intervistë | nga Andri Xhahu

Rosela Gjylbegu, një emër i padiskutueshëm i muzikës. Zëri i sa e sa hiteve dhe çmimeve në festivale. E angazhuar me punën e përditshme në administratë por duke mos u ndarë asnjë çast nga pasioni i saj më i madh, muzika. Në këtë rrëfim për BORDO, Rosela lë “dorezat” mënjanë dhe shprehet hapur për shumëçka.

Rosela, duket se puna e përditshme në administratë po ju merr disi kohën që i takon muzikës. Është zgjedhje apo…?
Jo, nuk do thoja që më merr kohë. Sigurisht që është zgjedhje dhe unë kam vite që e kam bërë këtë zgjedhje duke parë se gjërat në muzikë nuk funksionojnë si duhet në vendin tonë. Të qenit artist në kuptimin e plotë të fjalës arrihet me punë në ekip dhe me një staf të madh. Këtu artistët bëjnë çdo gjë vetë dhe detyrohen të punojnë e të vrapojnë pas aktiviteteve që ndoshta edhe nuk ju pëlqejnë por që janë të detyruar. Kështu që unë kam bërë zgjedhjen time, të punoj e të vendos vetë për daljet dhe pjesëmarrjet artistike.

Sa e vështirë është për shpirtin e brishtë dhe të lirë të një artisteje si ju, të punojë sipas një protokolli aq më tepër me njerëz që bëjnë politikën e vendit?
Asgjë nuk është e lehtë askund. Jeta nuk është fushë me lule sidomos në vendin tonë të vogël halleplot. Me kohën ti fiton eksperiencë se si të organizosh jetën, kohën dhe të dish të zgjedhësh çfarë është më e mira për ty, ta menaxhosh atë, dhe të dish cilat janë prioritetet. Unë e dua punën që bëj dhe më pëlqen të punoj, të angazhohem dhe të jem profesionale. Gjthmonë kam këmbëngulur t’i bëj gjërat me cilësi dhe pasion.

Është e lehtë që një femër t’ja dalë në një shoqëri maskiliste si kjo e jona?
Për asnjë femër nuk është e lehtë e as për mua. Mendoj se njeriu duhet të jetë i vendosur dhe në qoftë se ti bën mirë dhe me profesionalizëm punën e ngarkuar, fiton respekt dhe di vendin që të takon, besoj që askush, sado të mundohet, nuk të pengon e as të mohon vlerat që ke.

Zhgënjimin më të madh e keni përjetuar në punën që bëni në administratë apo në muzikë?
Në muzikë do thoja, sepse aty ti jep shpirtin dhe të gjitha emocionet e tua. Këto janë normale në fushën tonë, të lëndojnë por të rrisin, të forcojnë dhe të bëjnë të jesh më luftarake e më e qartë në atë çka ti do të jesh e të japësh për ato që të ndjekin e të mbështesin.

Kur do ta shohim Roselën të dalë jashtë kornizave që i keni vënë ju vetë artit që bëni?
Jetojmë në një shoqëri shumë paragjykuese ndaj jo vetëm unë po secili prej nesh është nën presion dhe ndjehet i kushtëzuar për disa gjëra të caktuara. Unë kam zgjedhur të jem e përmbajtur sepse më vjen natyrshëm për realitetin ku jetojmë.

Shumë këngëtare serioze kanë preferuar të bëjnë kompromis në një pikë të karrierës. Ju jeni tunduar ndonjëherë?
Këtu… asnjëherë nuk ia vlen.

Duket se bota e muzikës është paksa e paragjykuar. Ju, si pjesë e saj, për çfarë jeni paragjykuar?
E thashë edhe më lart, është diçka e pashmangshme. Jetojmë në një vend të vogël me një shoqëri të mbyllur ku sado përpiqemi të bëjmë sikur jemi “open mind”, në fakt dështojmë ose shtiren dhe më pas flasin pas krahëve.

Ruani një profil të rezervuar mediatik. Madje edhe kur ju shënjestrojnë, zgjidhni të përgjigjeni me heshtje. 
Nuk kam kohë për të humbur me njerëz të kompleksuar. Ata që më njohin mirë e dinë kush jam. Unë nuk mund t’i bëj të gjithë të më duan. Është normale, ndaj lë punën, kohën dhe veprat të flasin për mua.

Si është gjendja shpirtërore e Roselës këto kohë?
(Buzëqesh)

Çfarë i pret fansat e tu në vazhdim? Ndonjë projekt muzikor në horizont?
Nuk flas kurrë para kohe por po përgatis diçka të re. Për më shumë, kur të vijë koha do merret vesh.

Cili është mesazhi juaj për fansat, për ata që e duan Roselën? Po për ata që nuk ju duan?
Për të gjithë, si ata që më duan si ata që nuk më duan, dëshiroj të them që mos humbni kohë duke mbushur veten me energji negative, duke shfryrë ndaj të tjerëve, por dashuroni, bëhuni të dobishëm, lutjuni Zotit për gjithçka të bukur që keni mundësi të përjetoni dhe jetoni duke pasur mendjen dhe zemrën më të gjerë. Kemi vetëm një shans të jetojmë dhe jemi kalimtarë në këtë jetë. Le të lëmë gjurmën tonë për mirë.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF