Oscar Wilde: “Asgjë në këtë botë nuk është e pakuptimtë, për më tepër vuajtja”

Sot, në ditëlindjen e tij, kujtojmë shkrimtarin irlandez Oscar Wilde, i bërë i njohur për krijimet e tij plot imagjinatë, me mendime të mprehta dhe të pamohueshme, veçanërisht në romanin “Portreti i Dorian Greit” dhe për komedinë “Rëndësia e të qenit i ndershëm”, konsideruar si kryeveprat letrare të periudhës së vonë viktoriane. Megjithatë emri i tij lidhet edhe me arrestimin famëkeq, burgosjen pse ishte homoseksual. Mes admirimit dhe përbuzjes, ndikimi dhe vlerat e krijimtarisë së tij qëndrojne shumë më lart se sa asaj që ai kishte zgjedhur të ishte, ani se thashethemnaja, paragjykimet dhe dy vitet në burg do të shënonin në atë që do të vinte më pas, deri në vdekjen e tij. Në një letër, një kohë Wilde do të shkruante: “Asgjë në këtë botë nuk është e pakuptimtë. Për më tepër vuajtja.”

Oscar Wilde
Oscar Wilde

Oscar Wilde lindi më 16 tetor 1854 në Dublin, Irlandë. Babai i tij, William, ishte mjek ndërsa nëna e tij Jane Francesca Elgee, ishte poete. Kur u diplomua në Oxford, Wilde shkoi në Londër dhe jetoi me mikun e tij Frank Miles, një portretist i njohur në mesin e shoqërisë së larte londineze. Atje, i përkushtohet të shkruarit duke publikuar koleksionin e parë “Poezi”, në vitin 1881. Libri mori disa kritika modeste, megjithatë e radhiti Wilde-in në mesin e shkrimtarëve të rinj premtues. Më 29 maj 1884, Wilde u martua me një grua të pasur angleze Constance Lloyd. Ata kishin dy djem.

Oscar Wilde me bashkëshorten Constance Lloyd dhe një nga djemtë
Oscar Wilde me bashkëshorten Constance Lloyd dhe një nga djemtë

Pjesë e krijimtarisë së tij janë: “Princi i lumtur” një përmbledhje tregimesh për fëmijë, “Freskorja e zonjës Uindërmer”, “Një grua pa rëndësi”, “Burri ideal”. Në kohën që po shijonte suksesin më të madh, në vitin 1891, Wilde u takua me 21 vjeçarin, lordin Alfred Douglas, duke u dashuruar me të e duke nisur një marrëdhënie të vrullshme. Douglas ishte i llastuar, mendjemadh, ekstravagant, i paturp dhe shumë kërkues. Ndërsa Wilde-i ishte dorëlëshuar me paranë dhe ja dhuronte Douglas-it. Marrëdhënia e tyre ishte mjaft e trazuar, shpesh ndaheshin për zënka dhe mosmarrëveshje por në fund sërish ishin bashkë. Lidhja e tyre ishte intensive, me stuhi dramatike, e thellë dhe e vërtetë. Në një letër nga fundi i dhjetorit 1893, pas një përçarjeje të kohëve të fundit, Wilde-i i shkruan Douglas-it. “Faleminderit për letrën. Jam i pushtuar nga krahët e kreditorëve grabitqarë. Nuk jam mirë, por jam i lumtur të mësoj që jemi sërish miq. Edhe pse dashuria jonë ka kaluar mes dritëhijesh ftohjeje dhe pikëllimi, le të jemi pafundësisht të dashur me njëri-tjetrin, siç në të vërtet kemi qenë gjithmonë. Mendoj për ty çdo ditë, dhe jam besnikërisht i yti. Oscar”

Oscar Wilde dhe Alfred Douglas
Oscar Wilde dhe Alfred Douglas

Douglas dhe babai i tij, markezi i Kuinsberit, nuk patën kurrë një marrëdhënie të mirë. Markezi e kundërshtonte me forcë mënyrën e jetesës së të birit. Pas një kohe ai nisi të dyshojë se mes Douglas-it dhe Wilde-it kishte më shumë se sa një miqësi të thjeshtë, dhe nopran siç ishte, filloi të bëjë aluzione për dyshimet e veta. Më 18 shkurt 1895, babai i Douglas-it, i cili kishte kuptuar diçka nga lidhja e tyre, shkroi një letër fyese dhe e dërgon në shtëpinë e Oscar Wilde-it. Edhe pse homoseksualiteti i Oscar Wilde-it ishte një sekret që tashmë ishte marrë vesh, i zemëruar nga kjo, Oscar e paditi babain e të dashurit për shpifje. Ky vendim do t’i shkatërronte jetën.

Kur gjyqi për këtë çështje u çel në mars, Kuinsberi dhe avokatët e tij prezantuan provat e homoseksualitetit të Wilde-it, pasazheve homoerotike në letërsinë e tij si dhe letrat e dashurisë dërguar Douglas-it, që shumë shpejtë rrëzuan padinë për shpifje dhe e arrestuan me akuzën “sjellje të turpshme me persona të të njëjtit seks”. Wilde-i u dënua me dy vjet heqje lirie. Në letrën “De Profundis”, Wilde-i mes të tjerave shkruan: Sigurisht, një herë që vendosa në lëvizje forcat e shoqërisë, shoqëria m’u kthye duke më thënë ‘Ke jetuar gjithë këtë kohë në kundërshti me ligjin, dhe tani kërkon ligjin të të mbrojë? Dhe rezultati… tani jam në burg.”

Oscar Wilde
Oscar Wilde

Wilde-i doli nga burgu në vitin 1897, i shterur fizikisht, i fikur emocionalisht dhe pa asnjë kacidhe. Emigroi në Francë, ku jetonte në hotele të lira dhe në shtëpinë e miqve, dhe u bashkua sërish me Douglas-in për një kohë të shkurtër. Wilde-i shkroi shumë pak gjatë viteve të fundit të jetës. E vetmja punë që la gjurmë ishte poema e përfunduar në 1898-ën rreth përvojës së tij në burg të titulluar “Balada e burgut të Ridingut”. Ndërkohë që ishte në burg, shkroi “De Profundis” si një letër dërguar Douglas-it, megjithatë është e paqartë nëse ky i fundit i ka marrë ato ndonjëherë. “De Profundis” do të thotë “nga thellësia” marrë nga vargu i parë i Psalmit 130 në Bibël. Gjithë sa ka shkruar tregon dhimbjen dhe vuajtjet, gjithë sa ka ndjerë në këtë periudhë të jetës. “Për ne ka vetëm një stinë, stina e dhimbjes. Edhe hëna e dielli duken të largët nga ne. Jashtë dita mund të jetë e kaltër dhe e artë, por drita hyn e paktë në atë dritare të vogël prej hekuri. Mendimi lëviz ndërsa koha jo.”

Nëna e tij, me të cilën ai ishte mjaft i lidhur, u nda nga jeta ndërkohë që ishte në burg, ndërsa gruaja e la dhe refuzoi që ai të takonte djemtë.

Bashkëshortja e Oscar Wilde-it, Constance Lloyd dhe djali i tyrer Cyril, në vitin 1889
Bashkëshortja e Oscar Wilde-it, Constance Lloyd dhe djali i tyrer Cyril, në vitin 1889

Suksesi dhe jeta publike morën një goditje fatale kur u akuzua për jetën e tij private. Poshtërimi që e shoqëroi deri në ditët e fundit të jetës, vuajtjet në burg dhe mërgimi në Francë e rrënuan shkrimtarin. Wilde-i u ndje i përbuzur dhe shpërfillej nga miqtë por edhe pas daljes nga burgu ai vijoi të njëjtin stil jetese për të cilin ishte dënuar.

Më 30 nëntor 1900, Oscar Wilde vdiq në moshën 46 vjeçare në hotelin “d’Alsace”, në të majtë të Senës, në Paris, ku kaloi ditet e fundit në dhomën numër 16, që lidhet gjithnjë me fjalët e tij të fundit: “Këto mure janë të tmerrshme. Unë bashkë me to jemi duke luftuar, një duel deri në vdekje. Njëri nga ne duhet të shkojë.”

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.