KreuStil Jetese

Femrat presin flokët, i dhurojnë për të sëmurët me kancer!

“Dhuro flokë, shpresë, dashuri, mbështetje dhe sensibilizim për të gjithë ato që kanë më së shumti nevojë”. Ishte kjo motoja e aktivitetit të organizuar paraditen e sotme nga organizata “Europa Donna Albania”, e cila mblodhi në Parkun Rinia personazhe të njohur të ekranit, njerëz të thjeshtë si edhe pacientë që kanë luftuar me kancerin e gjirit për vite me radhe.

 

Në hapje të aktivitetit “Dhuro flokë, fal shpresë”, drejtuesja e kësaj organizate, Donjeta Zeqa shprehu emocionet për këtë nismë duke ndarë me të gjithë të pranishmit edhe historinë e saj familjare. “Unë e njoh shumë mirë këtë sëmundje, e di shumë mirë se cilat janë pasojat që sjell, stresin, vuajtjen dhe forcën që duhet për ta përballuar. Mamaja ime i ka kaluar të gjitha etapat e kësaj sëmundjeje dhe prandaj unë jam këtu sot, duke mbrojtur të drejtat e këtyre grave duke u mobilizuar në mbështetjen e tyre. Kjo fushatë do të thotë shumë për mua, duke qenë se kam kohë që dëshiroj të dhuroj flokët, jam shumë e lumtur që po e bëj në momentin e duhur dhe e rrethuar nga të gjithë ju”, u shpreh Donjeta.

Edhe gazetarja Fiori Dardha, e cila teksa tregoi përmes lotëve luftën e mamasë së saj me sëmundjen e kancerit, nuk hezitoi të jepte edhe një mesazh për të gjithë femrat, duke i kërkuar të mos neglizhojnë kontrollet e njëpasnjëshme tek mjeku.

Këngëtarja e njohur Irma Libohova dhe politikania Lajla Pernaska, po ashtu përcollën mesazhet e tyre duke kërkuar që të sensibilizohen sa më shumë femra dhe të kujdesen mbi të gjitha për veten.

Gjatë aktivitetit disa pacientë, të cilët ia kanë dal të mposhtin me sukses sëmundjen e shekullit, përcollën historitë dhe mesazhet e tyre.

Ndërsa ishin të shumtë vajzat dhe gratë që dhuruan flokët e tyre për pacientët në nevojë, duke i prerë ato përpara të gjithë njerëzve. Këto flokë do të shndërrohen në paruke të personalizuara, duke iu dhuruar më pas fëmijëve në nevojë.

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF