Gerta Mahmutaj: “Po, ne jemi në një lidhje dashurie”

Intervistë | nga Andri Xhahu

Gerta Mahmutaj është prezantuar me këngën e saj më të re si pjesëmarrëse në “Këngën magjike”. Këtë herë Gerta vjen pa vëllain e saj Klejti Mahmutaj. Por gjithsesi është bashkë me një tjetër person shumë të dashur e të rëndësishëm në jetën e saj, me të dashurin. Ai është John Van Ride, dhe është DJ-i që e shoqëron në performamcën e këngës “Vetes”. Më shumë, Gerta na tregon në këtë intervistë për BORDO…

Gerta Mahmutaj
Gerta Mahmutaj

Për çfarë flet kënga “Vetes”?

Kënga “Vetes” vjen si një mezash motivues për këdo. Jo pa qëllim është zgjedhur në vetën e parë sepse teksti i referohet nevojës që kemi për t’u mbështetur në veten tonë, për të gjetur lumturinë dhe për të përballuar çdo sfidë. Mesazhi vjen për të na kujtuar të gjithëve ne se kemi forcën e brendshme për ta jetuar jetën para se gjithçka të kthehet në kujtim.

Vitin e kaluar morët pjesë në një duet bashkë me vëllain. Pse këtë vit erdhët pa Klejtin?

Bashkëpunimet me vëllain tim, Klejtin, kanë qenë një çelës shumë i rëndësishëm i karrierës sime. Unë mendoj se artistët kanë nevojë të shpalosin veten e tyre në shumë dimensione. Këtë herë mendova të prezantohem ndryshe, me një pjesë timen të cilën publiku ndoshta nuk e njeh shumë. Kjo është arsyeja pse nuk zgjodha baladë por një këngë dance.

Gerta dhe Klejti Mahmutaj
Gerta dhe Klejti Mahmutaj

Ju vini në bashkëpunim me John Van Ride. Gjatë intervistës tek “E diela shqiptare” mes jush kishte një kimi shumë të mirë. Njohja juaj shkon përtej muzikës?

Unë jam përpjekur që jetën time personale ta mbaj larg profesionales, por ka raste të tilla kur ajo kimi për të cilën po flisni nuk mund të shmanget. Unë dhe Johny njihemi përtej këtij bashkëpunimi.

Çfarë do të thotë “njihemi përtej këtij bashkëpunimi”? Jeni në një lidhje dashurie?  

Po, ne jemi në një lidhje dashurie prej disa kohësh.

Si po shkon lidhja juaj?

Tani që jemi bashkëpunëtorë edhe në skenë, jemi shumë më mirë (qesh).

Gerta Mahmutaj dhe John Van Ride
Gerta Mahmutaj dhe John Van Ride

Çfarë ngjyre kanë ndjenjat e Gertës këto kohë?

Unë jam natyrë impulsive thuajse gjithmonë. Duke qenë e tillë, ndjenjat e mia mund të them se i marrin të gjitha nuancat e ngjyrave. Në qoftë se do t’i referohesha këtij moment, do të zgjidhja ngjyrën e qetësisë, të gjelbrën.

Me çfarë jeni marrë këtë periudhë përveç të kënduarit live?

Nuk mundem ta përmbledh të gjithë punën dhe impenjimet e mia në kaq pak rreshta. Sigurisht përveç muzikës live, kam punuar mbi projektet e mia muzikore dhe kam investuar në arsmin tim.

Jeni penduar ndonjëherë për diçka që nuk keni bërë?

Unë mendoj se të gjitha ato që kam bërë dhe ato që nuk kam bërë më kanë lejuar të jem Gerta që jam sot. Sigurisht që ka momente kur përpiqem të kuptoj se si do të isha në qoftë se do kisha zgjedhur të veproja ndryshe, por e vërteta është se pas çdo gjëje kam mësuar diçka. Të gjitha kanë qenë mësime që më kanë vlejtur. Për këtë arsye nuk jam penduar për to.

A jeni mësuar me botën e egër të muzikës?

Nuk do ta quaja të egër për sa kohë t’i përpiqesh të ruash një balancë midis asaj që jep në skenë dhe asaj që je jashtë skene. Unë mendoj se të gjithë artistët të cilët përpiqen të jenë më parë njerëz të mirë pastaj artistë të mirë, arrijnë të përshtaten.

Çfarë ju ka zhgënjyer më shumë në muzikë?

Nuk pres zhgënjime nga muzika. Diçka të cilën ti e bën me shpirt, pasion dhe dashuri nuk mundet të të zhgënjejë.

Cili është mendimi juaj për këngëtaret që zgjedhin të bëjnë muzikë me çdo gjë tjetër, vetëm me zë jo?

Unë mbroj mendimin se çdokush ka të drejtë të prezantohet në mënyrën që ka dëshirë. Është publiku ai i cili mund të klasifikojë ata që bëjnë muzikë.

Përveç “Këngës magjike”, ndonjë projekt tjetër muzikor?

Sigurisht muzika nuk është vetëm pasioni por edhe puna ime. Jam duke punuar në mënyrë të vazhdueshme për projekte të reja.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.