KreuArt

Devis Xherahu: “Ertemiona është pasqyra e jetës sime, jam me fat që e kam!”

Intervistë | nga Andri Xhahu

Këngëtari Devis Xherahu prezantohet pranë publikut me një këngë të re, këtë radhë bashkëpunim me një reper. Për BORDO, këngëtari Xherahu na tregon për këngën konkurruese në “Kënga magjike” dhe se si e kanë pritur atë fansat dhe partnerja e tij Ertemiona Meidani, “Miss Shqipëria 2009”.

Prezantoheni së fundi me këngën “Nuk e kuptoj”. Kush janë autorët e saj?
Kënga ime më e fundit është “Nuk e kuptoj”. Teksti është shkruar nga Jorgo Papingji, të cilin gjej rastin ta falenderoj. Muzikën e kam bërë unë ndërsa orkestrimi nga miku im Gent Myftaraj, të cilin e falenderoj gjithashtu.

Çfarë “nuk kupton” Devisi?
Unë kuptoj gjithçka (qesh). Të pyesim Jorgo Papingjin si autor i tekstit më mirë.

“Unë di vetëm të të dua, dhe jo nuk mund të të urrej” A fshihet ndonjë ngjarje pas historisë së tekstit?
Një muzikë si kjo, vetëm një tekst i tillë mund t’i qëndronte më së miri. Nuk fshihet një histori pas këtij teksti përveç se është një baladë e bukur siç di të shkruajë i madhi Jorgo.

Ndërkohë që i këndon me trishtim dashurisë në këtë këngë, në jetën reale i këndon me nota pozitive besoj. Si shkon marrëdhënia juaj me Ertemionën?
Një marrëdhënie shumë e shëndetshme.

Sa vështirë është të kesh në krah një miss? 
Është mjaft e thjeshtë dhe aspak e vështirë kur emërues i përbashkët është skena dhe karriera. Do thija që ky është çelësi dhe sekreti pozitiv i kësaj marrëdhënieje.

Cila është kënga që i keni dedikuar dashurisë suaj apo që ja këndoni shpesh asaj?
Kemi disa sepse kjo ka të bëjë me gjendjen tonë shpirtërore, që është e larmishme.

Është Ertemiona një kritike e krijimeve tuaja? Çfarë ju ka thënë ajo për këngën konkurruese në “Kënga magjike”?
Ertemiona është një nga pasqyrat dhe kritiket më reale në jetën time artistike. Jam me fat që e kam. Kënga i pëlqeu mjaft dhe e dëgjon shpesh.

Pse zgjodhët të vini me një bashkëpunim këtë herë?
Ishte ideja ime të eksperimentoja te kjo baladë dhe i kërkova mikut tim Gentit një djalë të ri të stilit hip-hop, një figurë jo të lançuar më herët dhe propozimi i tij për Santin ishte zgjedhja e duhur për atë që unë mendoja. Gjej rastin ta falenderoj Santin, një i ri mjaft i talentuar që tani ka filluar rrugëtimin e gjatë të muzikës.

Çfarë komentesh keni marrë deri tani për këngën?
Kam marrë komente mjaft pozitive por ka patur nga ata që janë çuditur për këtë bashkëpunim baladë dhe hip-hop. Por gjithmonë ka një herë të parë dhe unë sapo e bëra.

Çfarë projektesh keni në vijim?
Projektet e mia janë gjithmonë surpriza.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF