KreuArt

Venera Lumani: Pas pothuaj katër vitesh, “pasioni dhe dashuria si ditën e parë”

Intervistë | nga Andri Xhahu

Që nga fitorja në “The Voice”, Venera Lumani është vlerësuar për vokalin e saj si në gara festivalesh ashtu edhe nëpër ambientet ku këndohet live. Shumë të spikatura janë edhe duetet që Venera ka realizuar me partnerin e saj në muzikë dhe jetë, Lindi Islami. Këtë herë këngëtarja Lumani është ulur në karrigen jo dhe aq komode por me shumë përgjegjësi të jurisë që gjykon këngët e kategorisë së të rinjve, të cilët konkurrojnë për netët finale të “Këngës magjike”. BORDO ka biseduar me Venerën për këto e të tjera. Lexim të këndshëm.

Venera, ju shohim të dielave si pjesë e jurisë që përzgjedh këngët dhe artistët e rinj në “Këngën magjike”. Si ndiheni në këtë rol?
Është diçka e re për mua. Jam në siklet por edhe kënaqem shumë. Mendoj se është një gjë që po më rrit edhe vetë mua në të njëjtën kohë.

Mbi cilat kritere e bazoni gjykimin tuaj për një performancë?
E para gjë që më vjen në mendje është mosha dhe presioni, të cilat i japin emocione konkurrentit. Por e para për të cilën dua të flas dhe të gjykoj është vokali.

Ju keni qenë pjesë e një spektakli talentesh ku vlerësoheshit nga një juri. Ju ka bërë kjo që të jeni më pak e ashpër me konkurruesit?
Po, tani i kujtoj të gjitha fjalët dhe kritikat që kam marrë nga juria dhe nga publiku në rrjetet sociale apo drejtpërdrejt. Kjo ka ndikuar deri diku që të jem më e rezervuar por gjithsesi dua të jem e drejtë sepse dua që fjalët e mia t’ju bëjnë mirë për më tutje.

Cila është këshilla që partneri juaj Lindi Islami si artist, ju ka dhënë në lidhje me gjykimin që i bëni të rinjve konkurrues?
Lindi është i pari që më jep mendime dhe ide. Ndërkohë edhe babai im, i cili më jep gjithmonë këshilla. Pra para se të gjykoj unë, dijeni që më kanë gjykuar këta të dy më herët (qesh).

Kush, nga të dy ju, është më shumë kritikues për tjetrin?
Unë kritikoj më shumë, por edhe Lindi nuk mbetet pas (qesh). Pra mund të them se jemi goxha kritikues mbi atë që bëjmë, gjithmonë në të mirë të punës.

Prej sa kohësh jeni bashkë Venera? Sa ka ndryshuar raporti juaj gjatë këtyre viteve?
Ne i bëmë 3 vite e 8 muaj që jemi bashkë. Kanë ndryshuar shumë gjëra, por pasioni dhe dashuria është si ditën e parë.

Kur do ta presim hapin e madh tuajin?
(Qesh) Është ende herët.

Cila është kënga që e keni më afër vetes Venera?
Hmmm… Nga këngët e mia, “Mos më numëro” është ajo që e ndjej shumë.

Po kënga e dashurisë suaj?
“Nata e parë”, padyshim.

Çfarë keni rezervuar për fansat në muzikë?
Unë po punoj për këngën dhe klipin e radhës, që do të jetë si dhuratë për të gjithë fansat e mi gjatë periudhës së fundvitit.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF